LAJMI I FUNDIT:

Kur të gjithë gënjejn, çdo gjë është e vërtetë!

Nëse nisemi që nga politika, e deri te ekonomia, arsimi, drejtësia dhe shumë segmente tjera të shoqërisë sonë kosovare do vërejmë se çdo gjë është në dekadencë. Të thuash alarmante e cila ka tendenca marramendëse të rritjes në progresion. Por, sikur shumicën prej këtyre realiteteve me të cilat po ballafaqohemi ne sot, t’i konsiderojmë si sfida të paevitueshme të një faze transitore që natyrshëm duhet kaluar, atëherë mund të shpresojmë se patjetër dikur do t’i tejkalojmë ato. Ama, sa i përket krizës morale e cila si shoqëri na ka kapluar deri në palcë, këtu duhet të jemi pak më skeptik, sepse, për evitimin e saj, patjetër do të na duhej një shërim më i gjatë kohor. Një kurim i cili në vete ngërthen rrezikun real që, edhe përpos disa përmirësimeve të vogla, të mbetemi invalid të përhershëm.

Simptomat e kësaj krize morale, në shoqërinë tonë mund t’i hasësh kudo dhe në çdo hap. Ato shprehen në formë të mediokritetit politik në pushtet, topitjes së ndjenjës kombëtare dhe krenarisë ndaj vlerave të mirëfillta nacionale, korrupsionit, hajnisë, përhapjes së prostitucionit tek femra shqiptare, kudo dhe në çdo hap gënjehet! Gënjehet dhe vetëm gënjehet. Miku gënjen mikun, gruaja burrin (dhe anasjelltas), prindërit fëmijët, fëmijët prindërit, i dashuri dashnoren… Gënjejnë më të mëdhenjtë dhe më të nderuarit; Gënjejnë kryetarët dhe ministrat e tyre, forumet më të larta dhe klerikët; Gënjehet në deklarata dhe proklamata, në televizion, radio dhe gazeta…fëmijët prindërit… Asgjë më nuk është ashtu sikur na prezantohet. Gënjeshtra është bërë si dukuri normale e raporteve të ndërsjella publike dhe individuale.
Dhe, kur të gjithë gënjejnë, çdo gjë na duket e vërtetë?!


Urtësia dhe mençuria

Këtë gjendje tonë aktuale, mjaftë analitik e vlerësojnë si një proces të paevitueshëm transformues, të cilën, e kanë kaluar edhe shumë shtete tjera thuaja post komuniste.
Ka mundësi që edhe të pajtohemi me këtë tezë, por, mua si individ, aspak s’ma kap logjika e shëndosh se kjo krizë morale, na ka shkuar aq larg, saqë, kudo dhe në çdo hap të jetës tonë shoqërore- politike tentohet të nënçmohet mençuria dhe dija e jonë kombëtare e personifikuar në veprat e pashlyeshme të disa intelektualëve dhe individëve madhor, të cilët, përmes dyerve të mëdha, veç kanë hyrë në historinë e lavdishme të popullit tonë. Mos vallë mu për këtë e kemi gjendjen ashtu siç e kemi? Jemi aty ku jemi…?!

Pa dyshim se, në këtë kohë të trazuar në të cilën gjendemi ne sot, edhe sikur të kishim shumë mend, nuk do të na mjaftonte. Sepse, përveç mendjes dhe mençurisë, na duhet edhe urtësia.
Po, po! Edhe URTËSIA! Sepse këto të dyja në mes veti janë tejet të kundërta.
Me dijeni nënkuptojmë, që nga njohja dhe mbajtja në mend e shumë të dhënave e shënimeve që na ofrohen në çdo çast, e deri tek intelekti që na formon si intelektual. Fatmirësisht, këso "dijetar" kemi mjaft dhe në çdo vend, e më së shumti aty ku vendoset nga lartë – Në PUSHTET.

Nga ana tjetër, urtësia është shumë më e lartë se vetë intelekti dhe tërë mençuria së bashku. Ajo vendos shpejtë dhe drejtë. S’ka gabime dhe nuk frikësohet nga askush, e më së paku nga vetja. është aftësia e Zotit e ndërtuar gjatë dhe me vrojtim të qartë në rrjedhën e gjërave. Ajo i gjen shkaktarët në pasoja, dallon realitetin nga iluzionet, vlerëson saktë ç’është patjetër për momentin, është e panënshtrueshme para emocioneve dhe instinkteve momentale. Nuk është egocentrike dhe në gjykime është tejet e shpejtë dhe e qartë. Në të s’ka kokëfortësi, por vendosmëri, nuk është imponuese dhe zëdhënëse, por është e patjetërsueshme, sepse në vete përmban forcën e madhe të realitetit.

Urtësia sot na nevojitet shumë dhe më së tepërmi, por ku ta gjejmë atë? A ekziston?
E k z i s t o n! Por, jo në vendet ku vendoset. Ajo nuk gjendet aty, sepse nuk di të vardiset, nuk imponohet dhe as lajkaton, prandaj edhe me arsye të plotë nuk është në pushtet ku ne jemi mësuar ta kërkojmë.
Fare nuk është çudi pse ajo nuk është në pushtet, por duhet të jetë çudi pse pushteti nuk i këshillon ata që e kanë këtë aftësi, së paku për të pasur edhe me se të lavdërohen si zakonisht, se urtësia e dikujt është e tyre.

Pajtohemi të gjithë se, tani para nesh si kosovar është sprova më e madhe historike dhe dhashë Zoti, që mençuria dhe urtësia të cilave i kemi besuar gjithmonë se i kemi, t’i shfrytëzojmë pikërisht në këto raste vendimtare??!
Por, pak dyshoj! Sepse, sikur të gjykojmë me gjendjen e mendjes tonë të tashme, nuk duhet të shpresonim edhe aq shumë. Ama, nëse mbi të gjitha, si vendimtare, do të dominoj instinkti kolektiv shekullor i popullit tonë, ndërtuar përherë mbi trimërinë, moralin e shëndosh, drejtësinë dhe dinjitetin, atëherë mund të thuhet se nga pak ka shpresa….?!!