LAJMI I FUNDIT:

Kur Muhamed ibn Abdul Vehabi është patriot e Skënderbeu jo!

Kur Muhamed ibn Abdul Vehabi është patriot e Skënderbeu jo!

Ligjëratat e imamëve për historinë tonë po vazhdojnë edhe më tutje. Tashmë kemi dëgjuar e lexuar gjithçka nga ata.

Para disa dite, duke kërkuar diçka në internet rashë rastësisht në një artikull të imam Shefqet Krasniqit, me të cilin ai ishte munduar të shpjegojë se tek ne nuk ka vehabizëm, e se në realitet në këtë botë nuk ka fare vehabizëm si rrymë (sekt) në islam. Në këtë kontekst kishte shpjeguar edhe karakterin e (themeluesit të kësaj rryme) Muhamed IbnAbdul Vehabit, dijetarit islam shumë aktual. Në mes tjerash, imam Shefqet Kransiqi kishte shkruar se “… Muhamed Abdul Vehabi, i cili ishte reformator, një patriot, një dijetar dhe njeri i devotshëm…”.


Pastaj, duke hulumtuar internetin (në YouTube) pash edhe disa imamë tjerë (të shquar për pompozitetin e tyre) se edhe ata kishin mbajt derse apostafat për vehabizmin dhe profilin e Muhamed Ibn Abdul Vehabit, duke e shpjeguar pak a shumë njëjtë si “patriot, dijetar dhe reformator”.

Për aspektin e profilit të tij prej “dijetari dhe reformatori’ kësaj radhe nuk do të merrem, pos që do të përmendi se autori Halid Abu el Fadël (profesor i sheriatit ne Universitetin e Kalifornisë), në librin e tij “Vjedhja e Madhe” (shih: The Great Theft: Wrestling Islam from the Extremists, 2007) e paraqet paksa më ndryshe. Sipas El Fadël (fq 55-57) “Muhamed ibn Abdul Vehabi, filloi të mësojë islamin fillimisht nga babai i tij (Abdul Vehab) i cili i takonte shkollës juridike Hanbali. Pastaj vazhdoi në Mekë te myftiu Ibn Humaid. Muftiu Humaid nuk ishte i kënaqur aspak me nxënësin e tij (Muhamed ibn Abdul Vehab) për të cilin ankohej te baba i tij (Abdul Vehab) se nuk mësonte, se ishte nxënës i dobët dhe arrogant i cili shpesh ngatërrohej me mësuesit. Andaj, Muhamed ibn Abdul Vehab atëherë edhe i ndërpreu mësimet”.

Bile, sipas shumë autorëve, më vonë edhe vëllai i tij, Suleiman ibn Abdul Vehab nuk pajtohej me qëndrimet e tij.

Muhamed ibn Abdul Vehabi në historinë arabe si patriot hyn në vitin 1744, kur duke udhëtuar nëpër Gadishullin Arabik, takon një lider lokal shumë ambicioz, të quajtur Muhamed ibn Saud, i cili kishte për plan të bashkonte tërë atë regjion nën udhëheqjen e tij. Në këtë kohë duhet cekur se krahina e Nexhdit (pjesë e Arabisë Saudite) ku jetonin dy Muhamedët (edhe ai i biri i Abdul Vehabit edhe ai i biri Saudit) qeverisej nga Perandoria Osmane e cila pra ishte Kalifat Islamik.

Dhe, ata “dy Muhamedët” në atë takim arrijnë marrëveshjen që në shtetin e tyre të ardhshëm, politika të jetë nën udhëheqjen e Muhamed ibn Saudit (familjes Saud) kurse religjioni të jetë nën udhëheqjen e Muhamed ibn Abdul Vehabit (Familjes El esh – Sheikh), marrëveshje që edhe sot e asaj dite respektohet. Ndryshe, kjo marrëveshje në histori u bë e njohur si puqja e “shpatës së hekurit me shpatën e fesë”.
Dhe, në bazë të asaj marrëveshjeje filloi veprimtaria patriotike e Muhamed ibn Abdul Vehabit për çlirimin e tokave arabe nga hordhitë osmane.

Ai, pas vdekjes së shokut tij të idealit, Muhamed ibn Saudit (1765), aktivitetin e tij patriotik për çështjen saudite e vazhdoi me të birin e tij, Abdulazizin. Dhe, sakrificat e tij i vazhdoi derisa sa nuk e çliruan Riadin nga okupatorët osmanë (viti 1773). Edhe pas këtij viti e vazhdoi aktivitetin e tij patriotik, por në të shumtën ishte si një mësues dhe inspirues i ushtrisë saudite në luftën e tyre për krijimin e shtetit saudit.

Mësimet e Muhamed ibn Abdul Vehabit ishin inspirim për sauditët edhe pas vdekjes së tij (1801), kur ata sulmuan dhe pushtuan qytetet e shenjta, Qerbelanë dhe Naxhafin në Irak, me ç’rast i masakruan shumë myslimanë shiia dhe shkatërruan monumentin e Hazreti Aliut (kushëririt dhe dhëndrit të Profetit a.s. dhe njeriu i parë që pranoi islamin) dhe monumentin e Hazreti Hysejnit (nipit të Profetit a.s.).

Kjo është biografia (patriotike) e shkurtër e Muhamed ibn Abdul Vehabit, e cila përgjithësisht pranohet nga të gjithë, edhe pasuesit e tij, por edhe nga kritikuesit dhe mohuesit e tij. Pra, pa atë pjesën të cilën vehabitë (apo selefitë) nuk e pranojnë ku Muhamed ibn Abdul Vehabit paraqitet si “spiun i Mbretërisë britanike” i cili kontrollohej nga agjenti Hemfer. Sipas dokumentit “Kujtimet e z. Hempher, spiunit britanik në Lindjen e Mesme” (apo Rrëfimet e një spiuni britanik), i cili u publikua me 1888, aty shpjegohet roli i agjentit Hemfer në krijimin e sektit të ri me qëllim të përçarjes së mëtutjeshme të myslimanëve dhe shkatërrimit të Perandorisë Osmane.

Ajo që nuk arrijë të kuptoj dot është se nëse Muhamed ibn Abdul Vehabi (sipas imamëve tanë të nderuar) ishte patriot, kur dihet se ai luftoi kundër pushtuesve osmanë dhe myslimanëve shiitë për të çliruar dhe formuar shtetin saudit (pra edhe duke mos e llogaritur atë pjesën ku ai dyshohet se ishte spiun britanik), atëherë pse Skënderbeu nuk ishte patriot?!

Edhe Skënderbeu luftoi kundër pushtuesve osmanë! Bile Skënderbeu nuk luftoi vetëm kundër pushtuesve osmanë (mysliman), por edhe kundër armiqve ortodoksë (serbëve) dhe pushtuesve katolikë (venedikasve), bile edhe kundër dëshirës së Papës.

Skënderbeu kundër serbëve ortodoksë luftoi atëherë kur Gjuraq Brankoviqi nuk e lejoi që të kalojë nëpër territorin e tij me ushtri, për t’i ndihmuar mbretit polak Vladislavit dhe atij hungarez Janosh Hunjadit, në Betejën e Varnës (1444). Skënderbeu, siç dihet, iu kundërpërgjigj duke e shkatërruar territorin e Brankoviqëve. Gjersa, kundër venedikasve katolikë, Skënderbeu luftoi më 1447-48 (Lufta e Kalasë së Dejës). Madje, venedikasit (katolikë) dhanë një çmim prej 100 dukatë ari për kokën e Skënderbeut.

Kurse, kundër vullnetit të Papës u aktivizua me rastin e luftës për fron të mbretërisë së Napolit. Siç dihet, Papa Kaliksi III, me vdekjen e Alfonsit V (1458), e shpalli të vdekur dinastinë e Aragonit (sepse Ferdinandi i I-rë ishte djalë jashtëmartesor i Alfonsit V, me të dashurën e tij Gjiraldona Karlino) dhe pronën mbretërore të tyre e shpalli “feudum” (pronë) të Kishës. Këtë situate Gjoni i anzhujve tentoi ta shfrytëzojë për vete, duke u futur në garë për fron (të cilën e kishte humbur babai i tij Rene). Por, Skënderbeu, për shkak se ishte i ndihmuar nga babai i Ferdindandit (Alfonsi i V) në ditët më të vështira, i shkoi në ndihmë djalit të tij, të cilit Alfonsi V i kishte lënë fronin trashëgim .

Për ta shkurtuar këtë mesele, nuk e kam të qartë si është e mundur për disa shqiptarë që një njeri (arab), me emrin Muhamed ibn Abdul Vehab, i cili ka luftuar vetëm kundër myslimanëve (qoftë kundër osmanlinjve, qoftë kundër myslimanëve shiia) dhe të ketë dyshime të bazuara për spiunllëk, të jetë patriot (hero) e një njeri tjetër (shqiptar) i cili ka luftuar edhe kundër të krishterëve të mos jetë patriot (hero) shqiptar, por vetëm hero i krishterëve?! E pakuptimtë apo jo?