LAJMI I FUNDIT:

Kur matemi me kutin e vetvetes

Me një dozë keqardhjeje e dëfrimi e shikova në KTV një pjesë të intervistës së një të riu që pretendonte se vazhdonte të ishte kryetar i një parlamenti të të rinjve të Kosovës. Kryetari në fjalë, si duket, është shumë i ri, mbase as njëzet vjeç, ndërsa parlamenti në fjalë, si duket, është i regjistruar si OJQ (janë më shumë se 6,000 të regjistruara sot në Kosovë). Me gjithë punën fisnike që kjo iniciativë e të rinjve mbase edhe bën, nuk munda të mos spikasë seriozitetin e padurueshëm e tepër të hershëm të këtij të riu. Dhe për më shumë, nuk munda të mos bezdisem për faktin se i riu në fjalë siç duket i ishte nënshtruar një klonimi vullnetar, apo klonimi autodidakt, duke personifikuar deri në gjestin me të detajshëm, deri në intonacionin më të stërholluar, kryetarin e parlamentit të Kosovës! Ishte e habitshme shkalla e ngjashmërisë së të riut / protezhe me politikanin tashmë të rryer të skenës kosovare. Natyrisht, çdo i ri mund të ketë nevojë për rolë-modele, aniçka se ata modelë mund të jenë politikanët tanë, por që një i ri të ngjasojë deri në atë masë me idhullin e tij, kjo ishte trishtuese. Është e tillë sepse kjo ngjarje ilustron një dukuri shumë të përhapur në shoqërinë tonë, e ajo dukuri është standardi i ulët i aspiratave tona profesionale.

Izolimi i Kosovës dhe pamundësia e qytetarëve të saj për të udhëtuar është një realitet i dhimbshëm, dhe këto janë pengesa teknike dhe politike drejt përafrimit me Evropën dhe standardet e saj. Çka është mbase edhe më e rrezikshme dhe me pasoja më afatgjata është krijimi i një sistemi në Kosovë që në dukje shihet si i vetëmjaftueshëm. Këtë sistem mund ta përfytyrojmë edhe si një treg pune, ku konkurrenca dhe ofertat, si në politikë, arsim, kulturë, shkencë apo sport, caktohen sipas standardeve që ne vetë i krijojmë dhe me të cilat ne dhe vetëm ne luajmë. Por ato standarde nuk qëndrojnë në tregun e gjerë evropian, sepse ky treg është shumë më kompetitiv, shumë më i ashpër e versatil. Këtë sistem vlerash apo standardesh e hasim për shembull në arsim, ku konkurrenca për grada e tituj bëhet gjithmonë brendapërbrenda këtyre kufijve tanë, në një atmosferë të pështirë politizimi e animi partiak. Mirëpo, këto standarde janë absolutisht të pavlera në momentin kur këta profesorë ballafaqohen me kolegët e tyre në shtetet evropiane. Është kjo arsyeja se pse ish-profesorët e UP-së të cilët janë në diasporë, jetojnë nga ndihmat sociale ose bëjnë punë fizike. Me fjalë të tjera, diploma e tyre dhe arritjet e tyre akademike, fatkeqësisht, ishin të konsumueshme për tregun e brendshëm kosovar, dhe janë të pavlera për tregun e gjerë evropian. Apo, siç thuhet në popull, jemi duke u matë me kutin e vetvetes. Por ky kut është joadekuat për kutin evropian.

Ky është vetëm një ilustrim. E njëjta gjë përsëritet në politikë, ku kemi një klasë politike e cila bartë me vete një bagazh të rënduar akuzash për korrupsion, krim të organizuar, shantazh etj., e që e bën qytetarin të ketë dyshime serioze që këta mund të na shpijnë në Evropë. Politika nganjëherë mund të jetë e bazuar në perceptim e instinkt: nëse ne qysh në shikim të parë kemi përshtypjen se kjo klasë politike nuk e ka kapacitetin të na çojë në Evropë, atëherë gjasat janë se ashtu edhe është.
Thashë më lartë se vetizolimi dhe vetëmjaftueshmëria e shoqërisë sonë në tregun / sistemin e rrejshëm që e kemi krijuar, potencialisht bartë me vete pasoja shumë më afatgjata. Kjo sepse përderisa ne jemi te kredhur dhe të akomoduar në këtë sistem të shkëputur nga sistemi i gjerë evropian, rinia jonë do të vazhdojë të ketë për modelë pikërisht ata (politikanë, profesorë, apo “elitë” të vetëshpallur) të cilët nuk janë të konkurrueshëm për Evropën. Të rinjtë tanë duhet të aspirojnë të sillen, të shkruajnë, të këndojnë, apo të rebelohen, si Martin Luther King Jr, Sex Pistols, Fan Noli, Garcia Marquez, Nëna Terezë, Mandela, e mendje të tilla të ndritura. Pa pritur aspak për hapjen e kufijve të Kosovës ndaj Evropës, të rinjtë duhet të kenë kurajon, apo ambicien e guximshme, që të aspirojnë më lartë. Sepse vetëm kështu ata, e bashkë me ta edhe shoqëria jonë, do të kapërcejë përfundimisht vakumin e konkurrencës me bashkë-evropianët. Përndryshe, aspirimi mediokër e meskin, i kufizuar në kufijtë e mikrokozmosit kosovar, paraqet rrezik të humbjes së një gjenerate të tërë karshi Evropës. Evropianëve të rinj u duhet faktori konkurrencë si domosdoshmëri për bashkëjetesë me Evropën e sotme.


Në trend

Më shumë
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Loredana dhe Valbona nuk mund të këndellen nga ikja e Jozit prej BBVA, vazhdojnë të qajnë dhe vajtojnë teksa lexojnë letrën e tij

Loredana dhe Valbona nuk mund të këndellen nga ikja e Jozit prej BBVA, vazhdojnë të qajnë dhe vajtojnë teksa lexojnë letrën e tij

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina
Kalo në kategori