LAJMI I FUNDIT:

Kur keqkuptohet koncepti i kulturës: Shpërfillja e “De Radës” nga MKRS-ja

Kur keqkuptohet koncepti i kulturës: Shpërfillja e “De Radës” nga MKRS-ja

Nga: Zyrafete Shala, kryetare e Klubit Letrar “De Rada”

Në listën përfundimtare të përfitueseve të Thirrjes për projekt-propozimet Kulturore 2023″ Art dhe Trashëgimi Kulturore, nuk figuron emri i Klubit letrar “De Rada” të Ferizajt, një nga klubet më të vjetra dhe më të suksesshme letrare në Kosovë. Në thirrjen publike për vitin 2023 ne kemi aplikuar vetëm me një projekt, me Koloninë letrare “Muzat e Jezercit” që këtë vit do të shënonte edicionin e shtatë. Mirëpo, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka ndarë as buxhet minimal për këtë aktivitet me një arsyetim të sajuar e të paqenë: Nuk janë dorëzuar të gjitha dokumentet e kërkuara. Edhe vetë komisioni që e ka dhënë këtë arsyetim është i vetëdijshëm që është i pavërtetë, sepse platforma përmes së cilës kemi ngarkuar dokumentet e kërkuara nuk të jep mundësi të anashkalosh asnjë fazë. Nëse kjo platformë ka mundësi të jep konfirmimin se dokumentet janë ngarkuar, edhe nëse kanë mbetur pezull, sërish problemi nuk është te ne që aplikojmë, por tek ata që na kanë ofruar një mënyrë të tillë aplikimi, pa qenë të sigurt se është funksionale.

Klubi letrar “De Rada” i Ferizajt përveç që është nga klubet më të vjetra në Kosovë (i themeluar në vitin 1970) është edhe i vetmi klub letrar në Ferizaj që ende bën përpjekje për të ngjallur te popullata, e veçmas te të rinjtë interesimin ndaj librit dhe leximit. Ferizaj njihet për numrin e madh të aktiviteteve kulturore dhe çuditërisht shumica prej tyre janë mbështetur nga MKRS këtë vit, madje disa prej tyre kanë të njëjtin funksion, vetëm se udhëhiqen nga persona të ndryshëm. Thjesht nuk ka sqarim se si komisioni i thirrjes publike në fjalë ka mbështetur disa festivale për fëmijë në Ferizaj, gjithashtu edhe projekte të tjera nga fusha e muzikës gjë që të krijon përshtypjen se për komisionin përzgjedhës të projekteve muzika është sinonim i kulturës.


Por, çka është kolonia letrare “Muzat e Jezercit” që nuk u vlerësua e denjë për mbështetje nga ana e MKRS-së? Kolonia letrare “Muzat e Jezercit”, e para e këtij lloji në Kosovë, u organizua në vitin 2017, si takim i krijuesve nga të gjitha trevat shqiptare me qëllim të zhvillimit të debateve mbi letërsinë, diskutimit të prurjeve të reja në letërsinë shqipe, prezantimit të veprave, shkëmbimit të tyre mes pjesëmarrësve, si dhe përjetimit të natyrës piktoreske rurale si burim i frymëzimit për krijimin e veprave të reja. Koloni të tilla letrare janë një praktikë e shpeshtë në vendet e tjera, ndërsa në Kosovë janë realizuar më herët, gjatë viteve ’70 dhe ’80. Ideja fillestare ishte që kjo koloni të zgjaste 7 deri në 10 ditë, në mënyrë që krijuesit ta shfrytëzojnë kohën e qëndrimit për të shkruar, krahas aktiviteteve të tjera. Mirëpo, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme financiare, kolonia u reduktua në tri ditë, gjegjësisht një fundjavë.

Në gjashtë edicionet e realizuara kanë marrë pjesë emra të njohur të letrave shqipe si: Agron Tufa, Ibrahim Kadriu, Xhevdet Bajraj, Lulzim Haziri, Halil Matoshi, Fatmir Sulejmani, Olimbi Velaj, Rozafa Shpuza, Ahmet Selmani, Azem Deliu, Leonard Veizi, Entela Kasi, Viktor Canosinaj, Helena Halilaj, Kliton Nesturi, Ndue Ukaj, Agron Shala, Sibel Halimi, Naime Beqiraj, Ramë Oraca, Mirela Papuçiu, Sabit Rrustemi, Klejda Plangarica etj. krahas krijuesve ferizajas. Përveç prezantimit të botimeve të klubit “De Rada” në këto edicione janë mbajtur edhe orë letrare dhe tryeza diskutimi për çështje të ndryshme letrare, si: Pasqyrimi i luftës së fundit në krijimtarinë letrare shqipe, Përdorimi i gjuhës standarde dhe dialekteve në poezinë dhe prozën e sotme, Temat dhe motivet dominonte në letërsinë aktuale shqipe, Poezia e Xhevdet Bajrajt dhe vendi i saj në letërsinë shqipe etj. Për nder të 120 vjetorit të vdekjes së rilindësit arbëresh, Jeronim de Rada, temë qendrore e edicionit të këtij viti ishte planifikuar të jetë “Krijimtaria e De Radës nga perspektiva e shekullit 21”, me qëllim të ofrimit të qasjeve të reja ndaj veprës së tij.

Gjithashtu, krijuesit e rinj, krahas përfitimeve nga ambienti miqësor me njohje të ndërsjella, diskutime për letërsinë dhe nga kumtesa mbi problemet e caktuara letrare, kanë pasur rast edhe të promovojnë krijimtarinë e tyre përpara një publiku të zgjedhur. Nga kontaktet dhe relacionet e krijuara mes krijuesve pjesëmarrës në edicionet e kësaj kolonie, kanë lindur vepra dhe aktivitetet të tjera të rëndësishme për kulturën kombëtare.

Me pamundësimin e organizimit të kësaj kolonie, si një nga aktivitetet më të rëndësishme të klubit “De Rada” krahas konkursit “Ora e Astritit” dhe Panairi i librit, ne si kryesi e klubit ndodhemi në një udhëkryq të rëndësishëm të aktivitetet tonë të mëtejmë. Kjo sepse në Kosovë është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, gjetja e donatorëve të tjerë për aktivitete letrare, gjë që është shumë e kuptueshme sepse kur aktivitetet letrare nuk vlerësohen (lexo: injorohen) nga institucioni më i lartë i kulturës në Kosovë, atëherë si mund të vlerësohen këto aktivitete nga kompanitë e ndryshme të bizneseve.

Vitin e kaluar MKRS hapi edhe një thirrje publike të vonshme, për t’i mëkuar edhe ato aktivitete që kishin mbetur pa përkrahje. Pas dhjetëra mijëra eurove të dhëna për festivale të ndryshme që ecin në hap me kohën dhe promovojnë veç tjerash edhe kulturën e popujve fqinjë, (duke përfshirë edhe ata që ende nuk na kanë kërkuar falje publike), na lëshuan edhe neve me pikatore pak nga mjetet e mbetura. Në rast se kjo praktikë është planifikuar edhe për këtë vit, ne do të refuzojmë atë lëmoshë, sepse kur mjetet financiare dalin në muajin dhjetor nuk mund të bëhet fjalë për aktivitet serioz dhe është tejet e vështirë përgatitja e dokumentacionit për mbylljen e projektit.

Nga e tërë kjo vetëm mund të themi se nuk duhet të habitemi pse Kosova nuk ka kulturë të mirëfilltë; ne si shumëçka e kemi keqkuptuar edhe konceptin e kulturës, po harrojmë ose po duam të harrojmë që kultura fillon nga libri.

Në trend Lajme

Më shumë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori