LAJMI I FUNDIT:

Kur është gabim të mendosh në mënyrën dëshirore

Kur është gabim të mendosh në mënyrën dëshirore

Ardian Haxhaj

Historia est magistra vitae. Më 30 shtator, 1938 kryeministri i atëhershëm i Mbretërisë së Bashkuar, Arthur Neville Chamberlain, e pati nënshkruar të ashtuquajturën “Marrëveshjen e Munihut” me Gjermaninë Naziste, e cila i jepte dorë të lirë edhe de jure për aneksimin e një pjese të territorit të atëhershëm të Çekosllovakisë. Atëbotë Gjermania nën Hitlerin bëhej gati për gllabërimin e fqinjëve, ndërkohë që shtetet përreth, duke i përfshirë edhe shtetet e fuqishme që dy dekada më herët e kishin nënshtruar atë: Anglia, Franca e Rusia, llogarisnin në mënyrën dëshirore se apetitet e Hitlerit do të ndaleshin vetëm te popujt dhe shtetet e dobëta e të vogla. Pak para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, më 23 gusht 1939, edhe vetë BRSS-ja e Stalinit lidhi pakt të fshehtë me Hitlerin, duke e nënshkruar të ashtuquajturin “Paktin e Mossulmimit”. Viktima ishin shtetet dhe popujt e vegjël: Çekosllovakia, Shqipëria, Polonia … dhe zyrtarisht filloi Lufta Botërore.


Pas më shumë se gjysmë shekulli, Evropa Perëndimore e organizuar politikisht, ekonomikisht e ushtarakisht në union të veçantë, sikur e ka lënë pa vëmendje të shtuar rrezikun që mund të prodhojë një shoqëri e shtet i organizuar në formën centraliste, siç është Federata Ruse. Për më keq, me armatën e pestë Federata Ruse mbërriti t’i përçajë anëtarët e të njëjtit union. Bashkimi Evropian filloi të fliste me zëra të ndryshëm, të përçartë, të shurdhër, të qyqarët, ashtu siç patën folur me zëra të ndryshëm e nën frikë shtetet e dikurshme evropiane në raport me Gjermaninë naziste. Atëbotë historia në Evropë e botës, por kryesisht në Evropë, rrodhi tragjikisht si rezultat i mosgatishmërisë së shteteve dhe popujve për të qenë të bashkuar kundër një agresori që kishte marrë hov. Tash, mekanizmat e demokracisë liberale të Evropës po lëvizin për t’i dalë ballë putinizmit, por me shumë pasoja, të cilat do të ishin evituar, ose nuk do të ndodhnin sikur të mos kishin menduar në mënyrën dëshirore se Rusia e Putinit do të demokratizohet dalëngadalë.

Ndërkaq, dy shtetet shqiptare deri më tani kanë qenë të zëna me zënka të brendshme se kush është më i zoti të gllabërojë më shumë të mira materiale nga pasuritë dhe taksat e qytetarëve të nënshtetasve të vet. Cubat cubçe qeverisin gjithmonë e në çdo vend. E ndërkohë kujtesa jonë si shoqëri e të mbijetuarve të Holokaustit të para dy dekadave na bënë që ta rilexojmë e rikujtomë kontekstin e fjalisë së Ciceronit: Historia është mësuese e jetës.