LAJMI I FUNDIT:

Ku është shteti?

Ku është shteti?

Barrikada në pjesë veriore të Urës së lumit Ibër u largua në mëngjesin e të mërkurës. Të gjithë ngarendën t’i marrin meritat për këtë “kryevepër”.

Të martën fillimisht u larguan kontejnerët që shërbenin për rojat e barrikadës. Atë ditë mediat raportuan se kjo ishte rezultat i disa takime që kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, kishte zhvilluar me ambasadorët e akredituar në Kosovë.

Gjatë natës mes të martës dhe mërkurës, u largua edhe barrikada prej dheu, ku kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, doli në vend të ngjarjes dhe tha se u përmbush premtimi i tij që barrikada do të hiqet gjashtë muaj pasi që ta marrë detyrën.


Pas këtij deklarimi të tij, ishte zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, e cila kërkoi nga Bahtiri që mos t’i merr meritat e të tjerëve.

“Po dëgjoj disa zëra që tentojnë të marrin merita. Nuk dua të apostrofoj me emër, por kjo çështje nuk është e nivelit lokal”, kishte deklaruar zëvendësja e kryeministrit Thaçi.

Por, si për inat, nuk kaloi as një orë nga kjo deklaratë e Edita Tahiri dhe serbët e Mitrovicës së veriut, të udhëhequr nga kryetari i kësaj komune, Goran Rakiq, filluan vendosjen e një barrikade “moderne”, të quajtur “Parku i Paqes”.

Kjo barrikadë është vendosur në gjysmën e Urës së Ibrit, në pjesë veriore të saj. Gjatë këtij veprimi, ata nuk u penguan nga askush. Madje gjatë gjithë kohës pranë tyre qëndronte njësia e reagimit të shpejtë e drejtorisë rajonale të veriut të Policisë së Kosovës. Krahas tyre, aty vetëm vëzhgonin edhe pjesëtarët e KFOR-it, të cilët për asnjë moment nuk reaguan.

Serbët e veriut sot ndërtuan edhe dy të ashtuquajtura “vazo” prej betoni me dimensione prej disa metrash, të cilat faktikisht bllokonin dy korsitë e rrugës mbi Ibër. Prapë aty ishin Policia e Kosovës dhe karabinierët italianë të KFOR-it. Dhe, prapë vepruan njëjtë, nuk ndërhyn për asnjë moment për ta penguar bllokimin e Urës.

Shtrohet pyetja se si do të vepronte Policia e Kosovës, nëse protestues shqiptarë do të bllokonin dhe betononin ndonjë urë në cilindo qytet të Kosovës. Edhe për karabinierët italianë vlen pyetje e njëjtë, si do të vepronin po të betonin ndonjë urë në Itali, protestues të ndryshëm.

Ku janë tash paria e shtetit?!

Kush duhet t’i merr meritat për këtë barrikadë, e cila më nuk ka pamje të vrazhdë dhe i paraqet serbët më paqësor, se sa ajo e kaluara që i paraqiste si të dhunshëm!

Edhe çka duhet të bëjnë serbët e veriut, që të reagohet?

Thjeshtë, ku është shteti që nuk po vepron, e të cilit po i shkelet sovraniteti për çdo ditë apo vetëm emrin e kemi shtet?!