Donald Trump e bëri të qartë disa ditë më parë: “Ne jemi prodhuesi numër një i naftës dhe gazit natyror, jemi të pavarur dhe nuk kemi nevojë për naftë nga Lindja e Mesme”.

Por, a është vërtet kështu? A është konfrontimi i vështirë në Gjirin Persik edhe një përplasje për arin e zi?

Përgjigja nuk mund të jetë e paqartë. Një ekspert dhe ish-naftëtar si Massimo Nicolazzi, e përcakton konfrontimin në vazhdim “më shumë si një luftë për të ardhurat e naftës sesa për lëndët e para”.

Kjo do të thotë, më shumë një luftë për fitimet që sjell shitja e naftës, e domosdoshme kjo më tepër për stabilitetin e vendeve prodhuese dhe të regjimeve të përfshira, sesa për nevojat e ekonomive perëndimore. Duhet thënë se presidenti amerikan ka të drejtë për pavarësinë e zgjeruar tashmë të SHBA nga nafta e Lindjes së Mesme.

Shifrat flasin vetë: në vitin 2018, Shtetet e Bashkuara e konsoliduan pozicionin si prodhuesi kryesor i naftës së papërpunuar në botë me 17.7 milion fuçi në ditë, duke u vendosur kështu përpara Arabisë Saudite dhe Rusisë. Amerika është kthyer preh kohësh në superfuqi energjetike, siç kishte qenë pas Luftës së Dytë Botërore.

Jo vetëm për naftën, por edhe për gazin natyror, hidrokarburin binjak, prodhimi i brendshëm tani mbulon të gjithë konsumin. Me pak fjalë, nuk është më koha e varësisë nga importet që zhytën në ankth për vite me radhë presidentët nga Richard Nixon e tutje.

E gjithë kjo, falë revolucionit teknologjik të “fracking”-ut, një mënyrë e veçantë e nxjerrjes së naftës dhe gazit që përfshin nevojën për të pasur njohuri teknike dhe impiante në një numër të tillë që vetëm Shtetet e Bashkuara mund ta përballojnë në një nivel kaq të lartë.

Ndërkohë, nga lufta e Jom Kipurit, deri në vitet 2000, përplasja ka qenë vërtet për naftën: për të mbuluar konsumin, nga 1973 deri në 1974, SHBA duhej të importonte të paktën gjashtë milionë fuçi në ditë. Ky ishte edhe rasti në 1979, me revolucionin iranian dhe gradualisht shkon deri në 1991-shin, me Luftën e parë të Gjirit nga Bushi.

Pikën maksimale të varësisë, Amerika e arriti në 2005-sën: më shumë se 60 për qind e naftës së papërpunuar që i nevojitej ekonomisë dhe transportit (12.5 milion fuçi) vinte nga jashtë. Situata e atyre viteve ndihmon të shpjegohet lufta e dytë në Gjirin Persik, tashmë nga Bushi I ri, në vitin 2003. Pastaj, papritmas, erdhi revolucioni i “shale oil” dhe “shale gas” dhe gjërat ndryshuan shumë.

Lindja e Mesme, megjithatë, vazhdon të mbetet thelbësore: duke nisur nga ngushtica e Hormuzit, nëpër të cilën kalojnë çdo ditë 21 milionë fuçi naftë. Vetëm se ndryshe nga të shkuarën, ato më së shumti i drejtohen Azisë: tre milionë fuçi në ditë për Kinën, diçka më pak drejt Indisë, Japonisë, Koresë së Jugut, përkatësisht, dhe më pas Singaporit e pjesës tjetër.

Në vitin 2018, ShBA importoi rreth 1.5 milion fuçi nga Gjiri, të gjitha këto mes Arabisë dhe Irakut. Shifër e konsiderueshme, por që gjendet lehtësisht në tregjet botërore. Ka pasur një bollëk të naftës në planet për disa kohë. Duhet marrë sidoqoftë parasysh – këtë sulmi ndaj rafinerive saudite të naftës e tregoi qartë – se në lojë janë infrastrukturat. Ekonomitë nuk përdorin naftë, por produkte të naftës që vijnë nga rafineritë.

Në mënyrë që të funksionojnë në maksimum, secilës prej tyre i duhet një cilësi e caktuar nafte (çka shpjegon përse me krizën e Libisë, Azerbajxhani i largët u bë furnizuesi i parë i naftës për Italinë).

Amerika i ka zgjidhur problemet e brendshme të furnizimit, por hegjemonia nuk vendoset vetëm me aq.

Irani nga ana tjetër e pa vetë sa e rëndësishme është lufta për naftën, sepse politika amerikane e “presionit maksimal” me sanksione të ashpra, ia gjunjëzoi ekonominë. Një gjë është e sigurtë: lufta e re e naftës do t`i kushtojë shtrenjtë të gjithëve, thonë analistët, ndaj mirë është që askush të mos vihet me shpatulla pas muri. /Burimi: Corriere Dela Sera/Përktheu: Gazeta “Shqip”/