LAJMI I FUNDIT:

Krishtlindja që na la Atjoni!

Krishtlindja që na la Atjoni!

Vetëm në fund do ta merrni vesh titullin e këtij shkrimi! Për shumë arsye nuk është një Krishtlindje e qetë kjo e këtij viti. Nuk dua të bëj bilance a të radhis ngjarje që kanë shënuar këtë vit e po shënjojnë fatkeqësisht jetën e shumë popujve. Duket sikur nuk është një “Natë e qetë”, duke parë e dëgjuar që nga shumë anë konfliktet dhe vuajtja e shumë njerëzve po zbehin disi festën e Krishtlindjes.

Në këtë shkrim mund të merresha me shumë gjëra. Mund të merresha për shembull me kryetarin e Bashkisë së Prishtinës, që nuk ka zbukuruar qytetin për festat e fundvitit (nëse nuk do ta quajë Krishtlindje), mund të merresha me ata të krishterë që po vuajnë nën terrorin e një regjimi absurd dhe kriminal si ai i ISIS në Siri dhe Irak, me vrasjet e kohëve të fundit në Shqipëri, me varfërinë apo me rritjen e papunësisë, me heqjen absurde nga puna të policëve të burgut që nuk kanë paguar dritat, duke u hequr kështu bukën e gojës. Mund të merresha edhe me politikanët që edhe këtë vit do të shkojnë nëpër kisha e komunitete religjioze të krishtera për të bërë urimet para telekamerave me formulat e tyre bajate, që janë të njëjta si për Krishtlindje, si për Pashkë e si për Bajram (të Madh e të Vogël) e po ashtu për Ashure.


Ka shumë gjëra me të cilat mund të merresha në këtë shkrim, por të gjitha këto gjëra sot dua t’i përmbledh në “stallën” në të cilën lindi Jezusi para 2014 vjetësh.

Krishti lind në një stallë! Një stallë nuk është ambient fort i rehatshëm dhe i përshtatshëm për të jetuar, e jo më për të lindur një fëmijë. Në Bibël na thuhet që për Jozefin dhe Marinë shtatzënë nuk kishte vend në bujtinë. Askush pra nuk “i bujti”. Ata që i bujtën për të lindur fëmijën e tyre ishin disa bagëti e një stallë. Krishti lind pikërisht në një ambient të tillë, që kundërmon dhe nuk është aspak i rehatshëm. Ai lind pavarësisht ambientit, pavarësisht të fuqishmëve të kohës së tij, e duke lindur realizon misionin e tij pa marrë leje te autoritetet vendore e as qendrore, lind në mes të mjerimit dhe braktisjes.

Qetësia e asaj nate që këndohet në këngë ka të bëjë nga njëra anë me indiferencën e asaj nate, por edhe me shkëputjen nga zhurmat e bujtinës, nga dritat e reflektorëve e nga fjalët boshe të t’pushtetshmëve të kohës së tij. Qetësia e asaj nate është sot indiferenca ndaj varfërisë dhe skamjes, ndaj shkeljes së dinjitetit, kur heshtet dhe bëhet kompromis me të keqen.

Krishti lind në një stallë! Sot pas 2014 vjetësh ajo stallë është bërë globale e megjithatë Krishtlindja ndodh përsëri në një mënyrë të mistershme, sepse në fakt ajo çka ndodh në fshehtësinë dhe heshtjen e kësaj nate është shumë më e fuqishme se sa mijëra fjalë, zhurma e ndriçues të rrugëve e salloneve tona. Kundërmimi i konfliktualitetit, varfëria e shumë njerëzve, shtypja dhe dhunimi që u bëhet grave e fëmijëve në shumë anë të botës, nuk mund ta ndalin dot lindjen e këtij fëmije, sepse jeta do të vazhdojë e do të lindë përsëri.

Stalla është e errët, por gjithsesi fëmija lind, sepse dashuria e prindërve të tij bëhet dritë e ngrohtësi për të. Është familja që pret jetën e re që lind. Pikërisht ajo familje, që sot nga shumë anë po zhvlerësohet, është e vetmja e aftë të presë ashtu si duhet një jetë që lind. E megjithatë, edhe ajo familje sot ndodhet në një stallë.

Krishti lind në një stallë! E tani nuk mund të mos shikojmë atë stallën brenda nesh. Po, ka shumë rëndësi ta shikojmë pasi është mbushur shpesh me kundërmimin e egoizmit dhe farizezmit tonë të sëmurë. Është vështirësisht i shërueshëm, pasi është antiteza e dashurisë dhe e solidaritetit me njerëzit. Kur mbështillemi në ngrohtësinë kundërmuese të gunës sonë e harrojmë se kush është afër apo përkundruall nesh. E megjithatë, Krishti lind edhe aty. Nuk përçmon asgjë, as kundërmimin dhe errësirën në të cilat zhytemi shpeshherë.

Do të kisha shumë mënyra për të përshkruar Krishtlindjen, por po e mbyll me një histori me të cilën dua t’i bëj homazh një personi. Kjo është historia e Atjonit, djali të mikut të shumë personave, Visar Zhitit, që sigurisht me gruan e tij nuk e kishin menduar të kalonin një Krishtlindje të tillë. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, një mik i Atjonit ka treguar këtë histori:

“Një mbrëmje pranvere në Milano, te Naviglio, u takuam si bënim shpesh. Kalon një zonjushë duke na kërkuar një shami se i ishte këputur sandalja dhe ishte detyruar të ecte zbathur… ‘Keni një shami?’, na thotë vajza. ‘Më vjen shume turp të eci zbathur mes njerëzve që më shohin si të isha e çmendur’… ‘Zonjushë, shami nuk kemi, por ju premtoj se kureshtjen dhe habinë e njerëzve do e marr unë përsipër’, thotë Atjon flokë-kaçubja me atë rr-n që tallesha gjithmonë. Heq këpucët bashkë me çorapet dhe e shoqëron vajzën deri te taksitë duke qeshur dhe duke i buzëqeshur çdo shikimi kureshtar… ‘Shihemi pas 5 minutash plako’, më tha, dhe tërë rruga atë natë buzëqeshi me mirësi dhe alegri prej gjestit tënd. Kështu do e mbaj mend gjithmonë ikjen tende, duke lënë pas vetëm alegri dhe adhurim për gjigantin e bukur me ata flokë sikur ishe zënë me centrifugën e lavatriçes; kishte fituar lavatriçja, kuptohet! Do më mungosh gjithmonë”.

Përtej afeksionit njerëzor që ka shprehur shoku i tij, unë këtu gjeta historinë më të bukur të këtij viti. Fatmirësisht në këtë stallë ka ende njerëz që e bëjnë të bukur dhe e ndriçojnë atë. Krishtlindja është pikërisht kjo: Hyji që ecën me njerëzit, duke u bërë si ata e duke marrë shpesh mbi vete përqeshjen dhe talljen e njerëzve për të mbrojtur ata që kanë nevojë më shumë.

(Marrë nga: Panorama)