0Shares

“Kumtesë e parashkruar për vitin 2037: Si përshpirtje letrare në njëqindvjetorin e Lindjes së Anton Pashkut – Shkrimtarit më Shkrimtar Ndër Shkrimtarë Shqiptarë”

Më 31 tetor (2010), bëhen 15 vjet që kur shkrimtari ynë i mirënjohur Anton Pashku u nda edhe fizikisht nga bota e këtejme dhe kaloi në amshim (më 31 tetor 1995). Dhe, siç ka ndodhur gjithmonë me shkrimtarë të mëdhenj, që ishte edhe Anton Pashku, komunikimi i lexuesve të veprës së këtij krijuesi jo vetëm që nuk u zbeh, por, me ecjen e moteve, u intensifikua shumë më tepër se kur ai ishte në mesin tonë dhe gjithnjë e më shumë po intensifikohet.

Në fakt, Anton Pashku ishte simbol i shkrimtarit modern i letrave shqipe, ishte stilisti më i dallueshëm i mëvetësisë, të cilit i atribuohet arti i mbijetesës, që është cilësi vetëm e shkrimtarit që posedon vlera të veçanta estetike. Përndryshe, krijimtaria letrare e Anton Pashkut padyshim se gjendet në piedestalin e letrave shqipe, aty ku vlerat e vërteta estetike kanë krijuar zonën e tyre të ekzistuarit, zonën e pacenueshme nga zhurma e kohërave.

Anton Pashku për së gjalli ishte bard i shkrimit modern psikologjik dhe simbol i shkrimit bashkëkohor në letërsinë shqipe në përgjithësi. Ai krijoi për t’i vënë gurin themeltar një fillimi të ri dhe trasoi dhe krijoi një rrugë të re dhe shumë të kursyer e të përkryer në letërsi. Pra, Anton Pashku e gdhendi krijimtarinë e vet deri në përsosmëri si asnjëri ndër krijuesit tjerë te ne dhe më gjerë. Në krijimtarinë e tij gjendet gjuha e shkrimit, stili dhe mëvetësia e tij e veçantë e krijimtarisë artistike letrare, e cila në mënyrë të thuktë flet nëpërmjet figurës për aktualitetin e kohës kur jetoi, për të kaluarën, si dhe për realitetin e mitin.

Shkrimtari më shkrimtar ndër shkrimtarë shqiptarë

Dhe me të drejt vëllai i tij krijues Adem Istrefi “mbajti” një “Kumtesë të parashkruar në vitin 2037”, ku ndër të tjera thotë: “Si përshpirtje letrare, në njëqindvjetorin e Lindjes së Anton Pashkut – Shkrimtarit më Shkrimtar ndër Shkrimtarë Shqiptarë”. Tha kështu Adem Istrefi me qëllim që të shpjegojë se Anton Pashkun do ta kuptojmë se kush ishte në “njëqindvjetorin e lindjes, në vitin 2037” (Anton Pashku u lind në Grazhdanik, më 1 janar 1937, kurse u regjistrua më 8 janar 1937) dhe vazhdoi “asnjë shkrimtar para tij në këtë truall tonin, as në gjallje të tij (fizike) nuk mundi të sjellë këtë mori dendësie proze, këso parafytyrimesh mitike që ta kthenin vetë atë në një mit brenda mitit të tij krijues.

Anton Pashku (është i regjistruar si Ndue Pashku) ishte dhe mbeti shkrimtari shqiptar më i dallueshëm i këtij shekulli. Ai ishte një lloj fenomeni letrar. Vepra e tij përmban shumësinë e mendimit, shumësinë figurative të fjalës dhe njëkohësisht vetëdijen e lartë estetike të ngritur deri në model. Prej shkrimit të parë (”Jeta e re”, 1955), vepra e Anton Pashkut u formësua si vepër e identitetit të lartë artistik, kryesisht në prozë dhe në gjininë e dramës (“Tregime”, 1961, “Një pjesë e lindjes”, 1965, “Kulla”, 1968, “Sinkopa”, 1969, “Oh”, 1971, “Kjasina”, 1973, “Gof”, 1976, “Lutjet e mbrëmjes”, 1976, “Tragjedi moderne”, 1982, përkatësisht kompleti i veprave “Tregime fantastike”, ”Oh” dhe ”Tragjedi moderne”, që të gjitha më 1986), e cila është e ngritur në lartësinë e tekstit artistik, ndaj si të tilla këto tekste duhet parë në të gjitha shtresimet dhe nënshtresimet e tyre, në mënyrë që të shihen qartë mesazhet dhe vlerat e tyre kumtuese.

Në anën tjetër, aty kah vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar, së bashku me një grup krijuesish të tjerë, ngrihen fuqishëm kundër ideologjizimit të artit, që shkaktoi trandje në krejt mjediset letrare. Ndaj, Anton Pashku mbetet stilisti më i madh dhe më i denjë në letërsinë shqipe. Vlerësimet për veprën e këtij krijuesi janë të shumta, për çka edhe kritika letrare e ka ndjekur admirueshëm krijimtarinë e tij, kritikë kjo e cila e cilëson si “Anton Pashku mbetet Xhojsi i letërsisë shqipe” (Ibrahim Rugova). Bile, që nga dita kur Anton Pashku u nda fizikisht nga ne, për veprën e këtij shkrimtari janë shkruar dhjetëra libra, që lexohen me ëndje sikurse edhe vetë vepra e Anton Pashkut. Mu për këtë Anton Pashku mbetet si krijues i papërsëritshëm i letërsisë sonë kombëtare, që rileximi i veprës së tij sjellë gjithmonë një zbulim të ri. Kjo edhe e bënë që Anton Pashku të cilësohet shkrimtari më i veçantë i letërsisë shqiptare.

“Gofi” në “Teatar ITD” të Zagrebit

Në anën tjetër, nga vargu i shumë krijuesve shqiptarë të Kosovës, Anton Pashku në dramën bashkëkohore shqiptare ka sjellë risi dhe kthesa cilësore, sidomos në shprehjen dhe pasqyrimin e realitetit e me këtë ai ka arritur ta eliminojë kufirin ndërmjet nacionales dhe iracionales. Ka eliminuar kufirin ndërmjet botës iluzore dhe asaj reale. Anton Pashku përmes krijimtarisë teatrale ka vënë në spikamë botën e brendshme – gjendjen shpirtërore halucionative të mbuluar me realitetet e përditshme.

Anton Pashku ka shkruar dy pjesë teatrale “Gof” (1967) dhe “Sinkopa” (1969), të cilat vepra edhe janë vënë me sukses në skenë (Prishtinë (dy herë), Prizren, Pejë, Ferizaj e Shkup (dy herë), por edhe në Zagreb të Kroacisë), si dhe tregimi “Kulla”, që u skenua për film, regjinë e të cilit e bëri Agim Sopi. Që në fillim duhet të thuhet se dy dramat e Anton Pashkut kanë një strukturë të ngjashme ndërtimi, përbëhen nga dy pjesë, e jo siç praktikohet – akte. Sipas kritikut tonë të mirënjohur Sabri Hamiti dramat qëndrojnë mbi këtë bazë: “Gof” nga Mbas një epilogu e Para një prologu e “Sinkopa” nga Mbarimi i fillimit të sinkopës e Fillimi i mbarimit të sinkopës”. Pra nga vlera shënjuese të këtyre pjesëve teatrale del nocioni ndëriterpretues e interpretues.

Pjesën teatrale “Gof” të Anton Pashkut së pari në skenë e ka vënë Drama Shqipe e Teatrit të Kombësive në Shkup. Premiera është dhënë më 21 dhjetor të vitit 1979. Regjinë e kësaj vepre e kishte bërë Ahmet Jakupi, kurse rolet i kishin interpretuar Xhevat Limani (Lulashi), Sefedin Nuredini (Lulani) dhe Zijadin Murtezi (Lulua), si dhe figurantët tjerë aktivë si Z. Duraku e H. Loga. (Teki Dërvishi “Edhe një premierë”, “Flaka e vëllazërimit”, 21 dhjetor 1979, faqe 13 dhe Musa Ramadani “Metaforë e pësimit dhe e gjakimit”, “Rilindja”, 31 dhjetor 1979, 1 e 2 janar 1980, faqe 20). Ndërkaq, pjesën teatrale “Gof”, të përkthyer nga Mirko Gashi, e kishte vënë në skenë, në “Teatar ITD” të Zagrebit të Kroacisë, Skënder Nimani. Në skenën e atij teatri, që ishte ndër më të njohurit në Kroaci, përkatësisht në ish-Jugosllavi, rolet i kishin interpretuar aktorët e mirënjohur Rajko Bundallo, Zharko Saviq dhe Dragolub Lazarov. Skenograf ishte Zvonko Shuler, kostumograf Ruta Knezheviq e kompozitor Igor Savin (Skënder Zogaj “Inskenohet “Gofi” i Anton Pashkut”, “Rilindja”, 22 janar 1980, faqe 13).

Njëherësh, Skënder Nimani e vuri në skenë edhe një herë “Gofin” e Anton Pashkut. Kështu, më 11 shtator të vitit 1980 TPK në Prishtinë e dha premierën e kësaj pjese me aktorët Skënder Tafaj (Lulashi), Avdush Hasani (Lulani) e Asllan Hasaj (Lulua). Skenografinë e kishte punuar Nuredin Loxha, kurse muzikën e kishte zgjedhur Skënder Oroshi. (Skënder Zogaj “Premiera e parë – “Gofi”, “Rilindja”, 10 shtator 1980, faqe 10). Do përmendur se Skënder Nimani këtë pjesë teatrale e kishte vënë edhe në skenën e Teatrit Amator të Pejës, kurse Agim Sopi “Gofin” e kishte vënë me shumë sukses në skenën e Teatrit Amator të Ferizajit, sikurse që kishte vepruar edhe Fetah Mehmeti në Teatrin Amator në Prizren (Skënder Zogaj “Rrëfimi në tri veta”, “Rilindja”, 30 maj 1989, f. 14).

Më pastaj, Drama Shqipe e TPK-së në Prishtinë e vuri edhe një herë këtë dramë në skenë. Kësaj radhe regjinë e “Gofit” e kishte bërë aktori Xhevat Qorraj me interpretime të personazheve nga aktorët Bislim Muçaj, Drita Boshnjaku – Begolli e Selman Lokaj (Beqir Musliu “Akti i ri-leximit”, “Fjala”, 25 prill 1994, faqe 22). Dhe, më në fund, Teatri i Dramës Shqipe në Shkup ishte marrë edhe një herë me veprat e Anton Pashkut. Kësaj radhe jo vetëm me “Gofin”, por edhe me “Oh”-un, si dhe tragjedinë “Trojanët” të Europidit, që i kishte kompozuar në një shfaqje autoriale regjisori Sylejman Rushiti. Në këtë pjesë rolet i kishin interpretuar Vehbi Qerimi (Lulashi), Veton Ibrahimi (Lulani) dhe Osman Ahmeti (Lulua). Skenografinë dhe kostumografinë i kishte punuar Agim Zajmi, kurse muzika ishte e grupit “Dead Can Dance” (Selman Jusufi “Ikona shqipe e Pashkut, obelisku me ëndrrat ilire”, “Rilindja” (botim për perëndim), Tiranë, 29 prill 1999, f. 19).

Do përmendur se edhe drama tjetër e Anton Pashkut “Sinkopa” është interpretuar një herë në skenën e TPK-së në Prishtinë, ku rolet kryesore i kishin interpretuar Xhevat Qena (Xhexheu), Shani Pallaska (Gjegjeu) e të tjerë. Kjo vepër është sinonim i dobësisë dhe i vetëdijes së mjegulluar, sepse si thotë Nebi Islami ”… në mënyrë lucide shqyrton lëndën jetësore të ambientit urban në transformim duke depërtuar si me shkop magjik në thellësi të subkoshiencës së njeriut dhe duke pasqyruar trazimet dhe shqetësimet e pashpjegueshme të tij të ngritura në rrafsh të transhendencës metafizike në mënyrë që vetë natyra e njeriut mistifikohet dhe mitizohet deri në nivelin e gjendjes fantastike të marionetës, fati i të cilit duket se jo rrallë varet nga forca e misterit kozmik.

Duke mos iu përmbajtur parimit të tri uniteteve të dramës së traditës dhe në veçanti mënyrës së thurjes së ngjarjes, “Sinkopa” shndërrohet në një formë të antidramës dhe rrumbullakohet si kreaturë moderne e trajtimit kontemplativ të vetmisë, të monotonisë dhe të gjendjeve psikike në lëvizje, në të cilat mbizotëron zbrazësia shpirtërore, zvetënimi i vullnetit, mungesa e energjisë dhe paaftësisë për t’u ballafaquar me sfidat dhe rreziqet shkatërrimtare që i kërcënohen njeriut. Më tutje, A. Pashku me shkathtësi i ka pasqyruar antinomitë dhe kundërthëniet jetësore si dhe ato shqetësime jetike njerëzore që shtrihen që nga kohët antike e deri në kohën aktuale” (“Iracionalja si sferë tematike e shqetësimit lucid si dhe vizioni krijues”, revista “Filologji”, nr. 4, 1997, faqe 702-708).

“Kulla” – film artistik

Regjisori i mirënjohur Agim Sopi në vitin 1979 ia kishte dorëzuar Televizionit të Prishtinës skenarin e filmit artistik “Kulla”, që ishte hartuar sipas tregimit me të njëjtin titull të Anton Pashkut. Për shkak të censurës që atëbotë zbatohej në mediat informative, regjisori ngjarjen e kishte “hedhur” në kohën e Perandorisë Osmane, në mënyrë që shikuesve shqiptarë t’ua mundësonte idenë e tregimit. Megjithatë, kompetentët e TVP-së e kishin hetuar “dredhinë” dhe nuk e kishin lejuar realizimin e filmit. Kohët kishin kaluar e regjisori nuk kishte hequr dorë nga synimi. Kështu, nga fundi i qershorit të vitit 1990 Agim Sopi e kishte filluar realizimin e filmit artistik “Kulla” me TVP-në. Megjithatë, pushtimi i TVP-së nga okupatori serb filmin e kishin gjetur në ditën e nëntë të xhirimit. Mirëpo, falë gjeturisë së regjisorit, filmi është kryer, kurse është shfaqur në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës në Prishtinë në vitin 1992. Do përmendur se regjisor dhe skenarist i filmit artistik “Kulla” është Agim Sopi, kurse rolet kryesore i interpretuan: Lumnije Muçaj, Istref Begolli, Bajrush Mjaku, Mysherefe Llozana, Xhemajl Maksuti, Hajriz Mustafa e shumë të tjerë. Kompozitor i filmit është Gjon Gjevelekaj, skenograf e kostumograf Nazmi Sadiku e kështu me radhë (Arif Demolli “Si u ndërtua “Kulla” e Agim Sopit?”, revista “Fjala”, nr.12, Prill 1992).

Dhe, më në fund, të themi edhe këtë se në verën e fundit (gusht 1995) të Anton Pashkut, Nezir Sefaj kishte filluar me kameramanët Hasan Gashi e Fatmir Bajrami ta incizonte një film dokumentar me Anton Pashkun. E ndiqnin kudo, në shtëpi (në Prishtinë, “Dardania” SU 1/6, Hyrja 3, nr. 40), në rrugë, në kafene. Atëbotë, Antoni ishte vetëm në shtëpi, sepse bashkëshortja Paulina dhe vajza Lulja kishin udhëtuar për në Shqipëri për t’u takuar me djalin përkatësisht vëllain Paulinin, që vinte nga Gjermania për t’ua takuar me nënën (Paulinën) dhe motrën (Lulen). Paulini kishte migruar në Gjermani nga Spliti, ku kishte qenë ushtar i ish APJ-së, e nga kishte dezertuar nga kazerma “Lora” të Splitit qysh në vitin 1991.
Filmimi kishte vazhduar edhe më pastaj, por kurrë nuk ishte kryer… Sido që të jetë, Antoni kaloi në amshim (më 31 tetor 1995) në vjeshtë të po atij viti (1995), kurse filmi u zhduk (lexo u dogj) kur forcat e okupatorit serb ia dogjën shtëpinë Nezir Sefajt dhe kameramanëve të përmendur në pranverë të vitit 1999. Filmi dokumentar nuk arriti deri te shikuesit… (Nezir Sefaj “Anton Pashku i zënë gjallë në film”, “Zëri”, 11 nëntor 1995, faqe 42-43).

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)