LAJMI I FUNDIT:

Kosova – tre vjet pas!

Me 17 shkurt 2008, Prishtinën e patën mbuluar fishekzjarret, këngët, buzëqeshjet dhe lotët e gëzimit. Ishte një ditë e ftohtë, por e ngrohtë për qytetarët e Kosovës. Ishte dita kur e ardhmja e jonë si shtet për herë të parë do të shkëlqente mbi ne. Dita kur ne besuam se duke u bërë edhe ne pjesë e një shteti do të kemi përkrahje, mbrojtje, zhvillim ekonomik dhe punësim. Tash pas tre vjetëve prapë në sheshin e Prishtinës u dëgjuan këngët, fishekzjarret dhe gëzimi, por më të ftohta sesa tre vjet më parë. Gjendja në veri, zgjedhje të manipuluara, imazhi i dëmtuar në botë, varfëria, papunësia dhe frika se çfarë do te sjellin bisedimet e ardhshme sikur e kanë zbehur gëzimin dhe buzëqeshjet e njerëzve në fytyrat e tyre.

“Tri vjet qeverisje… Kosova ka shënuar një progres në të gjitha fushat, përfshirë këtu edhe zhvillimin ekonomik dhe mirëqenie sociale…”, ishin këto fjalët që erdhe një ditë para këtij përvjetori nga kryeministrit i Kosovës në largim, Hashim Thaçi. Fjalë këto që nuk paraqesin as pak gjendjen e vërtetë në Kosovë. Është e vërtetë se që nga shpallja e Pavarësisë, Kosova e ka miratuar Kushtetutën në përputhje me standardet evropiane, i ka kontribuar paqes dhe stabilitetit në rajon dhe sigurimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Po ashtu, Kosova arriti të bëhet anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtarë, e Bankës Botërore dhe anëtare e CEFTAS ku këtë vit është edhe kryesuese. Por këto të arritura kanë ndihmuar shumë pak në ndërtimin e një të ardhme të sigurt, në zhvillim dhe prosperitet ekonomik për qytetarët e saj.


Kosova edhe sot vazhdon të sfidohet nga probleme të shumta politike, ekonomike dhe sociale. Kosova vazhdon të jetë shtet në “limbo”, i panjohur për 117 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara. Vazhdon të jetë e burgosur nën ombrellën e pavarësisë së mbikëqyrur dhe vazhdon të jetë e pa aftë për ta shtrirë pushtetin e saj në tërë territorin e Kosovës. Injorimi dhe inferioriteti i qeverisë që ta marrë nën kontroll dhe të vendos ligjshmëri në tërë territorin e Kosovës ka bërë që veriu i Kosovës të mbetet në duar të strukturave paralele serbe. Duke lënë mundësin e shndërrimit të kësaj pjese në vatër krimi, korrupsioni dhe kontrabandimin. Dhe duke bërë të pamundur për qytetarë të asaj ane të kthehen dhe të punojnë në qytetin e tyre.

Për më tepër Kosova edhe sot vazhdon të jetë e varur në donator të huaj për mbështetje financiare si vendi më i varfër në Evropë. Deklaratat e kryeministrit në largim se Kosova ka bërë progres edhe në fushën e zhvillimit ekonomik janë thjesht joreale, sepse vetë niveli i papunësisë dhe niveli i varfërisë e tregojnë të kundërtën. Nëse i analizojmë raportet e organizatave të njohura ndërkombëtare, si shembull atë të Bankës Botërore, shihet qartë se Kosova ka ngecur aty ku kishte filluar. Sipas Bankës Botërore edhe pse ekonomia në Kosovë ka shënuar rritje niveli i varfërisë (45% varfëri relative dhe 17% varfëri absolute) dhe i papunësisë (47% papunësi) që nga viti 2007 deri ne 2010 ka mbetur i njëjtë.

Po ashtu duke iu referuar fjalëve të kryeministrit në largim del se Kosova ka bërë një hap shumë të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por pasqyra e raporteve nga organizatat e njohura botërore na e tregojnë të kundërtën. Sipas organizatës botërore Transparency International, Kosova renditet e 112-ta ndër vendet më të korruptuara në botë. Pra në realitet korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë edhe me tutje të jenë pjesë përditshmërisë në Kosovë. Aq më shumë kur korrupsioni është prezent brenda institucioneve të vendit. Fenomene këto që e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë rëndë zhvillimin e këtij vendi dhe për të cilat ҫuditërishtë nuk ndërmerret asgjë.

Me një fjalë ky është realiteti po na shoqëron në çdo përvjetor dhe i cili na shtyn ta pyesim veten se a jemi duke ecur përpara, kthyer mbrapa apo kemi mbetur aty ku ishim. Unë me pak fjalë do të kisha thënë se ne ishim, mbetëm dhe kam frikë se do të vazhdojmë të mbesim në gjendjen e njëjtë siç ishim para tre vjetëve me pavarësi jo të plotë, nivel të lartë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, nivel të lartë të papunësisë dhe të varfërisë dhe reputacion të dëmtuar ndërkombëtarë.

Ndoshta po tingëllon pak si pesimizëm i thellë, por është gjendja në të cilën ndodhet Kosova dhe mënyra sesi politikanët për interesa partiake e sjellën Kosovën në këtë gjendje. Ata me egoizmin e tyre na treguan se janë gjendje ta dëmtojnë imazhin e Kosovës edhe t’i vënë në pikëpyetje të arriturat sa do të vogla të Kosovës. Ishin në gjendje ta dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme vetëm e vetëm për ta shfrytëzuar situatën e krijuar për manipulime dhe vjedhje të votave. Bënë çmos për te arritur në maje të shtetit duke dëmtuar edhe reputacionin e Kosovës në botë. Me këto zgjedhje u pa dhe u dëshmua se është e vështirë të bëhet ndryshim rrënjësor derisa nuk do të ketë vetëdijesim të plotë tek politikanët tonë se në demokraci, nëse mund ta quajmë Kosovën si të tillë, nevojat dhe interesat qytetarit merren sado pak parasysh.

Andaj problemet dhe zhgënjimet e popullit e kanë arritur deri në atë pikë të cilat në çdo kohë mund të shpërthejnë. Prandaj qeveria ardhshme duhet te jetë shumë e kujdesshme, të jetë transparente dhe e hapur ndaj qytetarit. Qeveria duhet të bëjë atë që asnjë qeveri se ka bërë deri më tani. Ajo duhet t’i tregoj botës se është në gjendje të krijoj një shtet demokratik në të cilin sundon ligji dhe drejtësia. Të jetë këmbëngulëse në arritjen e qëllimeve të saja në këtë rast shtrirjen e pushtetit në tërë territorin e Kosovës. Me një fjalë t’i tregoj bashkësisë ndërkombëtare se ka ardhur momenti që termi Mitrovicë veriore të ndërrohet përgjithmonë në Mitrovicë. Dhe, të bëjë çmos që t’i kthej të gjithë qytetarët e larguar në shtëpitë e tyre në veri, në mënyre që ata t’i kthehen jetës normale.

Qeveria e ardhshme duhet ta ndërroj mënyrën sa i përket lobimit në botë. Qeveria duhet të ketë një platformë të unisuar duke përfshirë kuadro nga partitë politike, elita intelektuale, shoqëritë civile dhe individ të suksesshëm brenda dhe jashtë vendit. Këtë nuk e kemi parë në qeverinë e kaluar. Ne e kemi parë se liderët tanë kanë dështuar në promovimin e Kosovës në botë. Nuk kanë arritur që të jenë unik kur ka qenë fjala për njohjen e Kosovës në mënyrë që të dërgojnë një mesazh të përbashkët në botë. Përderisa, Serbia ka gjithmonë platformë unike sa i përket Kosovës. Ndryshe në Kosovë kemi parë konkurrencë mes politikanëve se kush po arrin njohje më shumë e kush më pak. E të gjitha këto kanë rezultuar që Kosova të njihet nga vetëm nga 75 shtete.

Po ashtu qeveria pa tjetër duhet që të ndërmerr hapa konkret në reformimin e gjyqësorit në Kosovë duke e transferuar atë në një gjyqësorë të pavarur demokratik, të drejt dhe transparent; të mos i mbyllë sytë para korrupsionit dhe krimit të organizuar duke i luftuar këto dukuri negative që çdo dite e ma tepër po e ngufatin jetën dhe zhvillimin e Kosovës; të merr nën kontroll pikat kufitare atë në Zubin Potok dhe në Leposavic ku dyshohet se nga moskontrollimi i këtyre dy pikave Kosova humb rreth 100 milion euro në vit. Para këto që do të mund të investohen në krijimin e programeve zhvillimore.

Të përkushtohet në zhvillimin e një shoqërie të drejt duke u munduar që sado pak ta ngushtoj zbrazëtirën që po zgjerohet dita ditës në shtresa shumë të varfra dhe shtresa shumë të pasura. Dhe kjo shoqëri mund të zhvillohet duke hapur vende të reja të punës që do të ndikonin në uljen e papunësisë. Po ashtu duke ofruar programe zhvillimore dhe edukative për të rinjtë në lëmi të ndryshme për të krijuar një shoqëri të aftë për punë brenda ose jashtë vendit. Kjo do të kishte kontribuar në uljen varfërisë në vend.

E për më tepër të jetë vigjilente e sy hapur për të mbrojtur interesat shtetërore duke lënë anash ato partiake dhe personale në dialogun e ardhshëm me Serbinë, i cili mund të jetë një dialog sfidues për Kosovën. Së paku të mundohen që përvjetorin tjetër ta presim në një Kosovë plotësisht të pavarur, me zhvillim ekonomik, me më pak varfëri dhe pa punësim. Gëzuar Pavarësinë Kosovë!

(Autorja është studente në London School of Economics – MSc Politika dhe qeveria e Unionit Evropian)