LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe kultura në sytë e të huajve

Kultura nuk guxon të shndërrohet në tabu temë për njerëzit e artit dhe kulturës. Duke hezituar të veprojmë për kulturën, tashmë na është servuar ky akulturim me të cilin po përballemi sot

1.
“Derisa gjendem për një javë në Kosovë, dëshiroj të njihem me trashëgiminë tuaj kulturore dhe të përcjell edhe ndonjë shfaqje në teatër. Po të më shoqëronit ju, do të më nderonit dhe do të më ndihmonit shumë!”. Kështu thoshte kolegu im nga Poli i Veriut gjatë një vizite të tij në Kosovë në vitin e pakëndshëm 2004. Realisht vetëm kur të bëhet një kërkesë e këtillë, atëherë bindesh se sa Kosova është aq e parestauruar në fushën e trashëgimisë kulturore në njërën anë dhe sa moskujdes të pakundshoq kemi dëshmuar për ruajtjen e saj dhe avancimin e segmenteve të tjera kulturore dhe artistike në dekadën e fundit në anën tjetër.


Sprova për t’ia prezentuar mikut nga Poli i Veriut trashëgiminë kulturore në Kosovë nuk ishte premtuese. Fillimisht e dërgova në qytetin “Ulpiana” në periferi të Prishtinës dhe të gjitha gjësendet arkeologjike në “Ulpianë” kishin mbetur nën mëshirën e kohës pa asnjë kujdes. Më pak zhgënjyese nuk ishte edhe vizita tjetër në Muzeun e Kosovës, ku një vizitori qoftë edhe vendor i duhet sakrificë për ta vizituar atë, pasi mungojnë gjërat elementare të informacionit se si mund të shkosh dhe me kë mund të kontaktosh për ta realizuar një vizitë aty.

Hiç më pak zhgënjyese nuk ishte edhe vizita në Tyrben e Sulltan Muratit në Mazgit të Obiliqit. Tash pas gjashtë vjetësh, këto hapësira të trashëgimisë kulturore kanë mbetur ashtu siç ishin, me të vetmin dallim që në këtë të fundit ka bërë investime të dukshme të restaurimit Qeveria turke, e cila me të drejtë më shumë se sa për trashëgiminë tonë kulturore, është përkujdesur për lavdinë e Kryekomandantit të saj të rënë në Betejën e Kosovës në vitin e largët 1389.

Nuk ishte dhe nuk vazhdon të jetë vetëm trashëgimia kulturore ana e errët e medaljes në Kosovë. Edhe Teatri Kombëtar në Prishtinë kishte dhe vazhdon të ketë shfaqje gjithnjë e më pak si në cilësi ashtu edhe në sasi, ndërkohë që me kolegun norvegjez vetëm katër vjet para se ai ta vizitonte Kosovën i kisha përcjellë disa shfaqje në Teatrin Kombëtar “Henrik Ibsen”, për ta përjetuar lojën e aktrimit mbi dërrasat e teatrit elitist norvegjez.

Kryeqyteti i Kosovës edhe pas kaq vjetësh vazhdon të mbetet me Teatër Kombëtar, i cili tashmë gjendet para vdekjes klinike, ku përveç mbledhjeve komemorative paraditeve dhe akademive përkujtimore pasditeve, në hapësirat e këtij teatri që preferojmë ta quajmë nacional, nuk ka ndonjë shfaqje për t’u veçuar.

Kosova edhe më tej vazhdon të mbetet me vetëm një kinema në kryeqytet edhe kështu e frekuentuar shumë pak, me një Filharmoni shpesh të kooptuar për evenimente të rëndësishme me instrumentistë nga shtetet fqinje Shqipëria e Maqedonia, pa një sallë koncertale, me një trupë të deformuar të baletit, që ka mbetur për lakmi ai kur e themeluam në fillim të viteve ’70-ta…

2.
“Arsyet” për moskujdes janë nga më të ndryshmet. Mund të arsyetohemi me robërinë mijëvjeçare të Kosovës dhe pamundësinë tonë kolektive e institucionale për përkujdesje ndaj artit, kulturës dhe trashëgimisë sonë kulturore, por në dekadën e fundit as kemi dashur, as kemi patur vullnet e vizion për avancimin e këtyre segmenteve aq të rëndësishme për vendin tonë.

“Shumë kam shpresue se do të zgjidhem ministër i Kulturës. Mbasi nuk u zgjodha, po ta them se më ësht bo padrejtsi e madhe!”. Kështu thoshte një ish-ministër i zhgënjyer thellë ngaqë pas zgjedhjeve të fundit nacionale, nuk është rizgjedhur në dikasterin ku ai e ka drejtuar dhe ku të paktën si monedhë për kusuritje ka shpresuar që të udhëheq me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve!

Prononcimi i ish-ministrit nuk ishte edhe për ta hedhur poshtë. Pse jo, kur ai i bënte llogaritë me cilësinë e ministrave pararendës të këtij dikasteri. Në dhjetë vitet e fundit, dikasteri i Kulturës është keqpërdorur aq shumë, sa duhet t’i dhurohet ndonjë militanti për t’ia mbyllur gojën si monedhë për kusuritje!

Vështruar në këtë aspekt, atëherë lë të kuptohet se është i kotë fryrja e buxhetit të kulturës, pasi këto fonde menaxhohen nga amatorët kulturorë. Qasja ndaj kulturës nuk mund të jetë qasje e çastit, por qasje profesionale dhe afatgjate. Viteve të fundit kemi patur edhe situata paradoksale për “mburrje”. Jemi “mburrur” me shtimin e madh të punonjësve të administratës në Ministrinë e Kulturës (hiç më pak se mbi 220 sish), duke harruar se shumë shtete evropiane edhe nuk kanë ministri të kulturës dhe fondet shumë të mëdha për kulturë menaxhohen nga agjencitë përkatëse.

Po rinia dhe sporti? Ky togfjalësh është vetëm barrë që zyrtarët e kulturës e ndjenjë si të tepërt mbi supet e tyre. Në dekadën e fundit, për të rinjtë tanë, si dhe për stadiumet e palestrat sportive nuk kishte as më të voglin kujdes. Stadiumet janë shndërruar në arena mesjetare, ndërsa futbollistët pa dashje janë shndërruar në gladiatorë, pasi më shpesh ndodhin përgjakje se sa ndeshje futbolli.

Në këtë anarki apokaliptike, futbollistët kosovarë më shumë tundin baltë në fushat që asnjëherë nuk është investuar se sa bëjnë ndeshje sportive, ndërkohë që pranimi i Kosovës në institucionet prestigjioze ndërkombëtare mbetet vetëm një ëndërr e parealizuar fatkeqësisht edhe për një kohë të gjatë.

Kultura nuk guxon të shndërrohet në tabu temë për njerëzit e artit dhe kulturës. Duke hezituar të veprojmë për kulturën, tashmë na është servuar ky akulturim me të cilin po përballemi sot.