LAJMI I FUNDIT:

Kompozitori Ballata nderohet me çmimin “Niketë Dardani”

Kompozitori Ballata nderohet me çmimin “Niketë Dardani”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot i ndau Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani”, kompozitorit të mbi 170 veprave artistike, Zeqirja Ballata.

Kompozitori Ballata me rastin e marrjes së çmimit, tha se e gëzon fakti se në vendin tonë krahas kompozitorëve meshkuj po rritet edhe numri i kompozitoreve femra.Ai pati fjalë të mëdha për kolegët e tij, të cilët i inkurajoi të jenë sa më aktivë në aktivitete tjera shoqërore dhe artistike, pasi në këtë mënyrë jemi më afër vendeve të zhvilluara. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi  shprehu gatishmërinë e tij dhe të ministrisë që drejton për të mbështetur krijuesit dhe performuesit e Kosovës.


Ndërsa kryetari i jurisë, Valton Beqiri tha se nuk ka mënyrë më të mirë që të përmbyllet viti me ndarjen e çmimeve për ata që i dhanë shumë pjesës artistike në vend.

Gjatë kësaj ceremonie u nda edhe çmimi për veprat vokalo-instrumentale dhe muzikore-skenike, të cilin e mori kompozitorit Kreshnik Aliçkaj për veprën “Përtej luftës e paqes”.

Çmimi për veprat orkestrale-simfonike dhe koncertante iu dha kompozitores Dafina Zeqiri, për veprën “Koncert për piano dhe orkestër”. Çmimi për veprat kamertale iu nda kompozitorit Mendi Mengjiqi për veprën “String Quartet Nr. 4”. Ndërsa çmimi për veprat korale e morri  kompozitori Rafet Rudi për veprën “Deti i varreve të hapura” për kitarë dhe kor. Çmimi për veprat solistike dhe duo nuk është ndarë fare pasi që në këtë kategori nuk pati vepra konkurruese të kësaj gjinie. Komisioni që ka bërë përzgjedhjen e fituesve është kryesuar Valton Beqirit, ndërsa anëtarë ishin edhe Baki Jashari e Dinor Zymberaj. /Telegrafi/