LAJMI I FUNDIT:

Koçobashët

Koçobashët
Ilustrim

Shyti e Karriqi ishin koçobashë të njohur, jo vetëm në fshatrat e tyre, por shumë më larg. Megjithëse, në dukje, donin njëri-tjetrin si shokë për kokë, mes tyre zhvillohej garë e fort për krye koçobash.

Secili prej tyre peshonte mirë e mirë edhe kohën kur vizitonin njëri tjetrin. Pse erdhi nëpër shi apo nëpër borë? Pse nuk erdhi sa ishte koha e mirë? A hyri në odë me këmbë e majtë apo me të djathtën? U ulë këmbëkryq, apo u shtri menjëherë? Pse erdhi këmbë, kur kishte kalin? Pse erdhi me kali e nuk erdhi me qerre? Pse nuk ka ardhur me pelë, po me kali? Pse me shall e pse pa shall rreth koke? Pse me plis të ri , me tirq të larë apo pa larë? Pse nuk më shikoi drejt në sy? Cilën fjalë e tha të parën?

Me çfarë çehre e priti njëri, e me çfarë tjetri? Si përgjigjej njeri kur tjetri thërriste te dyert e oborrit? Do të pyes ku ta lidhi kalin! Do më pyes kur e ku e bleva plisin e ri? Në cilin dyqan? Në cilin shehër? Sa e bleva? A kishte ma kësi plisi!? Mendonin shumë herë se a do të vjen dikush prej grave me iu fol në odë, tek vizitojnë njeri tjetrin?


Mendonin gjatë si ta kurthonin njeri tjetrin me mesele. Çka shtroi për darkë njeri, e çka ky tjetri?

Nuk ishte ajo vizitë e zakonshme e Karriqit, në orët e vona të natës të shoku i tij. Shyti e Karriqi, këtë herë nuk patën kohë as për të ndezur nga një duhan prej gazepit që i kishte kapluar që nga ajo mbrëmje kur Krye Koçobashi dogji plemen e Trakaliçëve. Gara e koçobashëve kishte marr flakë.

E pashë çka ndodhi! Dëgjova edhe krismën e pushkës tënde, edhe thirrjen e Krye Koçobashit! E pashë e po shoh për ditë! Po shoh e dëgjoj vetëm të liga! Më mirë mos dëgjofsha, as mos pafsha! Në Zezë janë bërë më shumë kolonë se zijoshë, o Karriq! Kolonët po na marrin tokën, po na vrasin, e na po vritemi mes veti ! A duhet të bëjmë diçka për pajtim sa nuk kemi rënë të gjithë në bela?

Ku t’ia nisim kësaj pune o Karriq?

Të vazhdojmë aty ku e pat lënë Islihati, tha me zë të ulët Karriqi, sikur të fliste jermi. Po, i thërrasim edhe disa burra në emër të Islihatit!

A di çka Karriq, ia preu fjalën Shyti? Sefte, ti duhet të pajtohesh me Brithyerin!

Karriqi u step! Shyti ia mbylli shtegun shokut të tij më të dashur.

– Brithyerin e ke djalë të mixhës, o Karriq! E ke pasur deri dje më shumë se vëlla, e moti nuk flet me të, për shkak të asaj lehe lëndine, që e thuri për ta bërë arë buke!

Karriqi, prapë nuk foli!

E kuptoi mirë ku po vriste fjala. E dinte që së pari vet duhej të falte, e pastaj të mësynte diku tjetër për pajtim gjaku.

Eh pra, pasi nuk fole, nesër do të vemi në Zezë, në odë të Brithyeri, dhe aty do të përqafoheni së pari ju të dy, vazhdoi Shyti.

Prapë, Karriqi nuk foli. I humbi gjaku në fytyrë. Në vete po ziente inatin e moçëm. Nuk kishte harruar çka i pat thënë Brithyerit! “Ma përpara ta jap gruan, se që të lejojë të lëvrosh atë copë lendinë”!

Shyti, atë që fliste një herë, nuk e kapërdinte më. E dinte këtë Karriqi fare mirë.

Ishte tepër vonë. Karriqi, më me dëshirë do të ikte nga konaku i Shytit e të kthehej nëpër terr në shtëpinë e tij. Të ikte sa më larg, për të mos dëgjuar edhe një herë atë fjalën pajtim me Brithyerin. Në këtë çast, më me dëshirë do të pranonte njëqind dajakë të Islihatit, se këto fjalë që ia tha në sy shoku më i mirë i tij.

Hëngri vetën sikur ta përtypte inatin e madh që e digjte nga brenda. Vazhdoi ta gjykonte vetveten. Brenda tij nuk kishte përfunduar e liga e moçme. Paska mesele kjo puna e pajtimit, i tha vetës pa zë, duke gjëmuar.

Së pari duhej nisur nga vetvetja. Rrudhi trupin edhe më shumë dhe iu duk sikur u zvogëlua. U shtrëngua fort dhe nuk foli më. Edhe heshtjen dhe rrudhjen e trupit të Karriqit e kuptonte mirë Shyti.

Qysh si fëmijë, Shyti kishte parë mirë inatet e bashkëkombësve që sillnin vëllavrasje për asgjë, pa gjykuar drejt asnjëherë.

Po çka do të thotë dikush kur ne kërkojmë dorën e pajtimit, ndërsa ti nuk flet tash sa vjet me Brithyerin, e përfundoi bisedën Shyti me Karriqin dhe u shtrinë për të fjetur.

Shytit nuk i flihej aq sa i flihet malit. Edhe Karriqi vetëm po shtihej sikur po flinte. Tërë natën përkujtuan gjithë ato vrasje, zënka e bela për të cilat kishin dëgjuar nga burrat në odë, por edhe ato që po i shihnin vet me sy, pa mundur të bëjnë asgjë për pajtim deri tash.

Shyti ishte rritur e bërë burrë, më shumë kohë në mal me lisa sesa në shtëpi. Emri Shyt nisi t’i bëhet pjesë e tij që kur filloi hapat e parë. Kështu e kishin pagëzuar që kur kishte lindur, dhe ishte bërë burrë me këtë emër. Shumë herët filloi të dëgjonte me vëmendje çka flisnin burrat në odë. Sa herë kishte mysafirë, sapo i rehatonte lopët, shkonte lehtë atje në fund të odës, ulej në trapazan, i shkëlqente fytyra, i gëzohej zemra, përherë i zhdërvjelltë, i gatshëm për t’iu shërbyer. Shpejt filloi të dallonte edhe temat e bisedave. Kur flitej për ndonjë drejtësi, e regjistronte gjithë bisedën si magnetofon i mirë. Peshonte çdo fjalë dhe gjykonte mprehtë. Kur një bisedë mes burrash, merrte kahe të padrejtë, largohej nga oda me nxitim për të mos dëgjuar tutje. Kishte ndodhur që ndonjë plak i mençëm ta ketë parë largimin e rreptë të djalit. Jo të gjithë kishin arritur të kuptojnë pse ai largohej ashtu nga oda. Edhe i ati kishte parë largimin e pazakonshëm të t’ birit dhe një ditë e pyeti me urtësi. Shyti i tregoi babait si ndjehet, si ngushtohet, si i pëlcet zemra, kur një drejtësi nuk ndahet si duhet! Që nga ajo ditë, kur kuptoi më mirë sjelljen e të birit, babai ndryshoi shumë. Me kalimin e kohës, plakut iu bë shprehi të shikonte më shumë andej ku ulej i biri. Më nuk gjykonte pa menduar gjatë e gjatë dhe pa shikuar mirë e mirë andej nga trapazani.

Shyti, përditë po shihte me sy e po dëgjonte me vesh si po shumoheshin kumbaritë e zijoshëve me kolonë, ndërsa garat vrastare mes koçobashëve të Zezës ishin trefishuar. Së fundit herë dëgjoi e dalloi mirë edhe një krismë pushke nga shoku i tij.

Shyti, qysh si fëmijë, kishte kuptuar pse kishte dal në mal Shpati i Zezës. Kishte dëgjuar nga dora e parë rrëfimin, pse ai kishte vrarë Dukën e Dangallëve para dyerve të oborrit të tij, duke u kthyer nga mali me qerren ngarkuar me dru. Kishte dëgjuar edhe për rixhanë e Shpatit që ua kishte bërë zijoshëve për lëçitjen e Dangallëve, por edhe pse Becit të Zezës nuk i kishte hëngër palla për këtë rixha, pasi ai e ndjente vetën koçobash mbi koçobashë. Becit nuk ia ndryshoi mendjen as plumbi që mori në bark nga pushka e Shpatit dhe po vazhdonte me të vjetrën, derisa një ditë u përballë edhe me Hundëleshin.

Mendonte Shyti i ri pse vriteshin njerëzit e tij për aq shumë gjëra të vogla, për të cilat gjithmonë mund të gjendej zgjidhje e pajtim.

Të gjithë e mbajnë mend mirë sesi Shyti i Shurrëpelës ia kishte dal të pajtonte njerëz edhe kur kjo dukej e pa mundur. Në moshë fare të re, ai më shumë se një herë, ishte dëshmuar i mençëm, i drejtë, trim e guximtar.

Në orët e vona të një mbrëmjeje vjeshte, Trakaliçët, pasi nuk ia kishin hapur derën e odës Krye Koçobashit të nahijes, ua kishte djegur plemen me ushqim të bagëtisë. Zjarrin e kishte parë gjithë fshati, por askush nuk kishte marrë guxim të shkonte për ndihmë. Atë natë, megjithëse shumëkush e dinte se Rasati i Trakaliçëve kishte marr pushkë me leje, nuk i shkrepi fare. Nga kodra përballë, Karriqi i pezmatuar, duke shikuar zjarrin, kishte shtënë me pushkë në ajër, pa i vajtur mendja se me çetën mund të ishte edhe shoku i tij më i mirë, Shyti.

Krye Koçobashi i nahijes, më të dëgjuar krismën e pushkës, e kishte thirr me zë Karriqin!

O Karriqooo! Nesër mbrëma, e ka rendin plemja jote!

Thirrjen e Krye Koçobashit të nahijes e kishte dëgjuar mirë edhe Brithyeri, i cili me keqardhje po shikonte zjarrin, që dukej i tëri nga oborri i tij, por as ky e as edhe një zijosh tjetër nuk morën guxim të shkojnë për ndihmë. Djegia e plemes së Trakaliçëve shtoi plasaritjet e marrëdhënieve edhe ashtu të këqija mes zijoshëve.

Zjarrin e pa gjithë lagja e Karriqit, por as njëqind vjet më vonë, nuk pushuan thashethemet dhe nuk u kuptua e vërteta pse sejmenët e Krye Koçobashit dogjën plemen e Trakaliçëve.
Kolonët me vite kishin përgatitur kurthin. Kishin parë mirë zhvillimet në terren dhe vështirësitë me të cilat po përballeshin zijoshët. Ata që morën armë me leje nga pushteti, kishin rënë në grackë. Shtimi i vjedhjeve u shërbeu kolonëve për të përgatitur planin e armatosjes së zijoshëve me leje. Hajnat nuk zgjidhnin prenë. Vidhnin zakonisht bagëtinë që ishte ekzistenciale për jetën e fshatarëve. Ankesat shtoheshin përditë. Hajnia po i leverdiste pushtuesit, e në anën tjetër po dëmtonte rëndë jetën e fshatarëve, të cilët edhe ashtu ishin në gjendje të mjerë ekonomike. Edhe pasi ndonjë zijoshë mori armë me leje nga pushteti, vjedhjet po vazhdonin.

Ata zijoshë që morën armë me leje u ballafaquan me kërcënimin e prerë të Krye Koçobashit. Kurthi në të cilin kishte rënë Karriqi, la pasoja të rënda, që e ndoqën familjen e tij plot një shekull. Thashethemet për zjarrin e asaj nate nuk pushuan plot njëqind vjet më vonë. As historianët e kohës nuk u morën asnjëherë me të vërtetën e asaj ngjarjeje, e cila udhëtoi ndër breza, mbuluar me velin e misterit. Nuk u kuptua kurrë, as pse të nesërmen, Krye Koçobashi i nahijes nuk dogji plemen e Karriqit, duke lënë peng fjalën e tij, që siç thoshin, nuk e shkelte asnjëherë! (sic.)

Në trend

Më shumë
Injorimi dhe mosmirënjohja që ia bëri pas fitores në Big Brother VIP Kosova, Driloni i përgjigjet Edit pas akuzave

Injorimi dhe mosmirënjohja që ia bëri pas fitores në Big Brother VIP Kosova, Driloni i përgjigjet Edit pas akuzave

Magazina
Vuçiq: Në dhjetë ditët e ardhshme do të vendosim nëse do të shkojmë në zgjedhje apo do të formojmë qeverinë e re

Vuçiq: Në dhjetë ditët e ardhshme do të vendosim nëse do të shkojmë në zgjedhje apo do të formojmë qeverinë e re

Serbia
Konfirmohet fajësia për vrasësit e Enver Hadrit në Belgjikë, mbetet dënimi i përjetshëm

Konfirmohet fajësia për vrasësit e Enver Hadrit në Belgjikë, mbetet dënimi i përjetshëm

Drejtësi
Në Prishtinë zbulohet laboratori i sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve

Në Prishtinë zbulohet laboratori i sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve

Kronika e Zezë

"Fitore e shitur", Rezarti me akuza të forta për produksionin e BBVK: A jeni gati t'i nxirrni votat Drilon-Gjesti në gjykatë? Me qëllim i tërhiqnit kamerat për Drilonin

Magazina
Robert Nolfe thyen heshtjen: Parashqevia nuk u paraqit në gjykatë plot katër seanca, kam paguar qiranë 12 vite për të

Robert Nolfe thyen heshtjen: Parashqevia nuk u paraqit në gjykatë plot katër seanca, kam paguar qiranë 12 vite për të

Magazina
Kalo në kategori