LAJMI I FUNDIT:

Këshillat e Bedri Pejanit para se ta dorëzonin te serbët dhe Shqipëria e begattë e pasluftës që u plaçkit nga jugosllavët – me ndihmën e shqiptarëve

Këshillat e Bedri Pejanit para se ta dorëzonin te serbët dhe Shqipëria e begattë e pasluftës që u plaçkit nga jugosllavët – me ndihmën e shqiptarëve

Nga: Petro Marko (pjesë nga Intervistë me vetveten)

Pyetje: Si rrodhën ngjarjet?

Përgjigje: Unë iu luta Koçit [Xoxes] dhe Mehmetit [Shehut] që të me lejonin të shkoja në Brigadën e Parë, se desha të merrja pjesë dhe unë në luftën tone, siç pata ëndërruar. Ata e pranuan kërkesën time. Në Tiranë, nga ata që solla nga Italia, mbajtën vetëm Nexhmedinin Zajmin, si piktor. Të tjerët u inkuadruan në Brigadën e VI dhe të VII dhe shumica u vranë në tokat e Jugosllavisë, duke ndjekur gjermanët gjer ne Sanxhak.


Mua më mbajtën në Shkodër për të botuar Buletinin e Korparmatës së Tretë. Flija në shtëpinë e Nush Topallit, ku merrja lajmet me radio dhe përgatitja lëndën te Jeta e re, ku bashkëpunoi dhe Vehbi Bala e të tjerë. Shkodra ishte në festë të madhe. Nuk ka qytet në Shqipëri që t’i ketë pritur aq mirë partizanët, si Shkodra. Çdo familje e kishte për nder të mbante një partizan me të gjithë të mirat.

Familja e Nush Topallit më ka mbajtur si bir të saj, shumë familje bujare, patriote dhe fisnike. Mirëpo, në Shkodër, siç duket me ndikimin e malazezëve, nisi ndjekja kundër katolikëve. Kishin ardhur shumë podgoriçanë dhe ata ishin thuajse shumica. Nisi rrëmbimi i mallrave, zbrazja e dyqaneve nga jugosllavët. Shkodranët ishin tmerruar dhe prisnin se çdo të bënte qeveria shqiptare: a do t’ua ndalonte sllavëve rrëmbimin e mallrave, zbrazjen e dyqaneve?

Pyetje: Pse jugosllavët i zbrazin dyqanet dhe magazinat e Shkodrës?

Përgjigje: Do të them të drejtën: gjykimi i çdo veprimi duhet bërë sipas kohës kur është kryer. Ne si antifashistë dhe internacionalistë, ishim shumë legale, shumë të sinqertë dhe për veprimet e jugosllavëve, megjithëse na ngacmonin me shumë dyshime dhe pikëpyetje, nuk shpreheshim, se besonim shumë tek ideali i përbashkët. Kurrë nuk na shkonte ndër mend se një parti e majtë, mund të vepronte me djallëzi. Mua më thoshin disa shokë e miq shkodranë, katolikë e myslimanë: “Druzhet po na plaçkitin dhe ne i bëjmë sehir”!

Dua të shënoj këtu edhe një bisedë që pata pas një viti me Nako Spirun, ministër i Ekonomisë: “Ne kemi aq mall dhe materiale të çdo kategorie, sa dhe për 10 vjet s’kemi nevojë të importojmë asgjë”, – më tha. Edhe Nush Topalli, një njeri me mend dhe i ndershëm, një mbrëmje, duke ngrënë bukë në shtëpinë e tij, më pyeti me druajtje:

Më falni, zoti Petro. Unë e di që ju jeni një patrioti ndershëm, dhe dua t’ju bëj një pyetje. A më lejoni?

Unë ha bukën e një vëllai shqiptar,- iu përgjigja,- si të mos kem besim dhe respekt për të? Ç’doni të më thoni?

Ai më pyeti:

Pse zoti Petro, sllavët po na zhveshin? Të paktën të marrin një pjesë e një pjesë ta mbajmë edhe ne, se ku ti gjejmë tërë këto mallra të çdo kategorie: që nga lënda e ndërtimit, te manifaktura, te makineritë, te pijet, madje deri tek furçat e nevojtoreve?! Më vjen keq, vërtet miku është mik, po duhet t’i japim ne atë që kërkon dhe jo t’i hapë vetë depot, magazinat, dyqanet… dhe t’i zbrazë pa na thënë as faleminderes! Unë e kuptoj këtë zoti Petro. I shoh te gjitha dhe hesht, se, po hapa gojën, burgu më pret …!

Nuk e kuptoja këtë veprim zhvatës pa skrupull nga ana e druzhve…!

Të gjithë katolikët shiheshin me sy të keq, madje nisi dhe arrestimi i tyre.

Pyetje: Ç’ta ka mbetur në kujtese nga Shkodra?

Përgjigje: Kujtimet më të mira, por edhe hidhërimet më të thella. Ato ditë kishte ardhur në Shkodër Hysni Kapoja, shoku dhe armiku im qysh në fëmijëri. Ishte komisar i Korparmatës III. Desha t’i kallëzoja ato që shihja në Shkodër, por mu kujtuan fjalët e Sejfulla Malëshovës ne Berat: “Dëgjo e shiko, por mos hap gojën një vit”. Atë natë me kishte thirrur për darkë një dentist kosovar. Pyeta një shok që ishte i Sigurimit, dhe ai me tha se mund të shkoja.

Kur vajta te familja e mjekut, pashë aty si fantazmë Babushin – Bedri Pejanin; m’u duk sikur m’u fanit në ëndërr. Më përqafoi me lot në sy. U çmallëm, se kishim pa u parë që në Paris, më 1939. Ndenjëm gjithë natën pa fjetur, se ai më tregonte gjëra të pabesueshme: terrorin e madh serb në Kosovë e Metohi, poshtërsitë dhe krimet e stilit hitlerian të bëra nga Rankoviqi e Mihaillovqi. Unë u habita shumë për ato bëma ç’njerëzore.

Dhe, ai më tregoi se si Partia Komuniste Shqiptare ishte krijuar nga agjentët e Titos, Dushani dhe Miladini. Babushit i ishte dashur të organizonte Lidhjen e Dytë të Prizrenit dhe të pranonte të bëhej prefekt i Pejës, duke u justifikuar me thënien e Hasan Prishtinës: “Edhe me djallin do të bëhem aleat e ortak, vetëm Kosova të çlirohet e të bashkohet me nënën Shqipëri…”!

Në mëngjes do të nisesha për në Tiranë me Hysniun, se ai kishte ardhur që të më merrte për të botuar gazetën Bashkimi …! Unë i kundërshtova, po ai, si shok i dashur, më bindi duke më thënë se isha gazetar dhe shokët e kishin ngarkuar të më merrte me vete. I thashë se unë kisha një shok të vjetër, Babushin, për të cilin, fola shumë. Ai më tha që ta merrnim me vete në Tiranë. Dhe gjatë gjithë rrugës Shkodër- Tiranë, Babushi fliste për situatën në Kosovë dhe për tradhtinë tonë ndaj kosovarëve.

Kur arritëm në Tiranë, Hysniu i tha Babushit: “Të gjitha këto që na kallëzove, i shkruaj dhe jepja Petros”. Dhe, u ndamë. Babushin e shpura në shtëpinë e Abdurrahmanit, dhëndrit të tij. E pritën të habitur dhe shumë të emocionuar. Babushi pas një jave më dërgoi me vajzën e tij një “Promemorie”, ku shkruante ato që na kishte treguar gjatë udhëtimit Shkodër- Tiranë. Ishin 13 faqe të daktilografuara. I kopjova. Kopjen e mbajta unë, origjinalin ia dërgova Hysniut.

Nuk e gjej dot kopjen, se jam bastisur dy herë nga Sigurimi Shtetit: herën e parë kur u arrestova unë dhe herën e dytë kur u arrestua djali. Nuk më lanë dorëshkrime, poezi, romane, letra, gazeta të vjetra e të tjera pa më marrë. Por, do të përpiqem të them thelbin e atyre që na rrëfente Babushi, që nga Shkodra e deri në Tiranë, të cilat i përmblodhi në promemorien që unë ia dorëzova Hysni Kapos.

… Ju keni bërë një krim fatal jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë Shqipërinë. Ratë në grackën e Titos. Ai me Miladinët, me Vukmanoviq Tempot, dhe veçanërisht me udhëheqjen e Partisë suaj që e drejtojnë serbët, i dhatë fund pavarësisë sonë. Në mos vënçin dorë aleatët e mëdhenj, s’ka Shqipëri më, por një bijë e bindur të Federatës së Titos. Titoja ia mbushi mendjen Stalinit që të mos pranohej ideja e Dimitrovit për krijimin e një Federate Socialiste Ballkanike ku, aty ku flitej serbishtja, të ishte Republika Serbe, aty ku flitej shqipja te quhej Republika Shqiptare, aty ku flitej bullgarishtja, Republika Bullgare e kështu me radhë për gjithë popujt e Ballkanit, se Ballkani jetoi afro 500 vjet nën të njëjtin sundim otoman, me të njëjtat kanune e zakone.

Popujt e Ballkanit nuk mund t’i ndash prerazi në kufij, se ata kanë lëvizur gjatë pesë shekujve duke e bërë Ballkanin një vend ku mund të gjesh vetëm një popull brenda një kufiri. Por këtë ide nuk e pëlqeu marëshalli Tito, madje edhe Stalini, se, po të bëhej Ballkani një federatë socialiste, do ta kalonte shumë Bashkimin Sovjetik të prapambetur, kështu që Stalini nuk donte të ishte despot i një populli të prapambetur.

Edhe politikanët anglo-amerikanë nuk e përkrahën këtë mendim të Dimitrovit. Ata gjatë Luftës së Dyte Botërore, ngritën dy figura: në perëndim De Golin dhe në lindje Marëshallin Tito, i cili pretendonte të bëhej marëshall i gjithë Ballkanit, sipas dëshirës se Çurçullit, djali i të cilit qëndronte gjatë Luftës pranë Titos. Por, ja që Titoja nuk u bë dot Marëshall i gjithë Ballkanit, por u bë i Shqipërisë.

E vërteta është se Stalini i kishte thënë që, ta inkuadronte edhe Shqipërinë si Republike të shtatë, por Titoja i zgjuar nuk e pranoi, duke thënë se shqiptarët nuk janë sllavë dhe se … janë xhelozë për pavarësinë e tyre. Këtë e tha, se, po te bashkohej Shqipëria si republikë e shtatë, do të ishte republika më e madhe, më e pasur, më e fortë, se do të bashkohej edhe Kosova në këtë republikë të shtatë”.

Babushi pretendonte se ishte dakord me idenë e Dimitrovit, por pasi e pa si veproi Titoja, me agjentët e tij në Shqipëri, ishte më se i sigurt se Shqipëria tashmë ishte e Titos. Tragjedinë e Kosovës – thoshte Babushi – e shkaktuam ne, se ishim servilë, frikacakë dhe shërbëtorë besnikë të Titos, i cili kishte këtu agjentët e tij të famshëm, Miladinin dhe Dushanin, të cilët krijuan një parti sipas planeve të tyre.

Sot na vjen turp të themi se një popull me njerëz të zgjuar dhe patriotë i ra në gjunjë një Miladini, i cili e krijoi Partinë ashtu siç e deshi vetë Titoja. U përpoqëm dhe krijuam Lidhjen e Dytë të Prizrenit, kryetar më caktuan mua. U bëra dhe prefekti i Pejës. Edhe i shkreti Emrush Myftari, luftëtar trim edhe në Spanjë, krijoi një çetë për të mbrojtur nga serbët dhe çetniket popullin shqiptar.

Madje, ai erdhi në Shqipëri, me një thes plot me duar dhe koka të prera fëmijësh të vegjël shqiptar, i solli në Tiranë dhe, në shtëpinë e Esat Dishnicës, thirri Enver Hoxhën dhe Nako Spirun, zbrazi thesin me koka e duar fëmijësh kosovarë dhe u tha: “Ja se ç’bëjnë druzhet tuaj, që i mbani në krahë”! Pastaj Emrushi doli në Tiranë, pa dy krye çetnikë, i ndoqi dhe i vrau të dy para Bankës Kombëtare.

Mbaj mend se në fund të promemories thoshte: Hapni sytë e qëroni këlyshët e Titos, përndryshe nuk ka as Shqipëri e as Kosovë!

Pyetje: Po pastaj ç’ngjau me Babushin?

Përgjigje: Pas disa kohësh, Babushin ua dorëzuan jugosllavëve, të cilët e burgosën. Ky shkroi dy letra: njërën për Dimitrovin, tjetrën për Kolarovin. Para se të vinte përgjigja e tyre, ata të burgut e helmuan. Ky ishte fundi i njërit nga bijtë më të shquar të Kosovës e të Shqipërisë, i shokut të Fan Nolit, të Hasan Prishtinës, të Bajram Currit dhe i të gjithë revolucionarëve dhe patriotëve shqiptarë.

Pyetje: Thonë se gjatë jetës së tij ka edhe shumë qyfyre! A di ndonjë nga ato?

Përgjigje: Ishte djalli vetë. Fan Noli e mori në qafë me dy vargje që i thuri në parlament: Popullorja brigje-brigje / Digje, o Bedri Peja, digje. Me Nolin puqeshin shumë në humor dhe në çapkënllëqe. Babushi tregonte se si një ditë, kur shkoi të rruhej në Berlin, hyri ne berberhane që ishte e ndarë në dhoma të vogla dhe ku çdo klient futej në dhomëz. U fut edhe Babushi në një dhomëz dhe berberi e mbylli derën. Pastaj, sapo Babushi u ul në fron, berberi shkeli me këmbë një sustë dhe froni i Babushit u përmbys, u hap nën të një kamare e madhe ku do të binte Babushi, por ky hapi menjëherë duar e këmbë, thirri me të madhe shumë here, gjersa u hap porta dhe erdhën e ngritën.

Babushi shpëtoi për mrekulli, se ajo berberhane ishte një kasaphane, ku klientët i përmbysnin poshtë, u merrnin paratë dhe ç’kishin e nuk kishin dhe ata që ishin të shëndoshë si Babushi, i thernin dhe i bënin mortadel. Kur ia tregonte Nolit këto Babushi, Noli dhe shokët e tjerë që ishin aty, u shkulën së qeshuri, pastaj Noli tha: Do të kishim ngrënë si mortadel!

Pyetje: Kur erdhe në Tiranë, ku u vendose?

Përgjigje: Unë shkova në hotel “Dajti”, ku gjeta shumë shokë. Aty u vendosa, si gjithë shokët e tjerë; paguante Ministria e Kulturës. Që të nesërmen, shkova te shokët e Shtabit, ku gjeta edhe Koçin. Enveri më tha se: “Duhet botuar sa më parë gazeta Bashkimi, prandaj dhe të thirrëm të vije”.

Pranova me një kusht: Kërkova që shokët Enver Hoxha, Sejfulla Malëshova, Omer Nishani, Nako Spiru, Ymer Dishnica të më jepnin nga kryeartikull secili, një herë në javë. Të tjerat do t’i bëja vetë. Më thanë të merrja kë të doja dhe të kërkoja çdo gjë, vetëm gazeta të dilte sa më parë! “Brenda këtyre ditëve”! – u thashë dhe fillova nga puna. Kërkova Rebi Alikajn dhe shkova në shtypshkronjën “Bashkimi”.

Aty gjeta cinkografin Nexhdet Kosturi dhe i thashë se duhej të botonim sa më parë gazetën “Bashkimi”, të cilën e miratuam dhe pastaj menjëherë ai e stampoi. Në cinkografinë e tij, vendosa një radio që e mora nga Shkodra, nga depot që zbraznin jugosllavët. Para Vitit të Ri, nisa botimin e “Bashkimit”. Kisha si korrektor Nuçi Priftin e shkretë, që vdiq pas ca kohe.

Thirra aty edhe Reshat Again, që e njihja që në rini, të më merrte lajmet si stenograf i mirë që ishte: pak nga pak po vinin edhe shokë të tjerë që bashkëpunonin, si Remzi Xheneti e të tjerë që vinin e shkonin, si: Kolë Jokova, Mark Gurakuqi, Vebi Bala, Jusuf Alibali, Enver Fico, por nuk qëndronin. Për fat të mire, tipografët ishin italianë, faqosësi italian dhe ai i rrotatives italian.

Ata punonin shumë, me kujdes me cilësi, prandaj edhe unë u sigurova nga një litër qumësht çdo mëngjes dhe të shtunave, sapo hidhej gazeta në flan, u kisha caktuar 200 franga që t’ia shtronin me se të donin.

Kërkoja zyrë. Më thanë të futesha në një ndërtesë aty pranë, por unë shkova dhe zgjodha në bulevard një ndërtesë të mirë ku italianët kishin zyrat e tyre të siderurgjisë. Mora katin e dytë, gjersa ata të iknin, pastaj do të merrja edhe katet e tjera. Më erdhën ne gazetë publicistë të rinj, si: Astrit Delvina, Mustafa Greblleshi, Osman Bishqemi, të cilët i aktivizova si reporterë dhe ishin të mirë. Më vonë erdhën dhe Mustafa Xhaxhiu e Raif Hasani.

Pyetje: A mund të na përshkruash situatën e ditëve, muajve, viteve të para çlirimit?

Përgjigje: Kanë kaluar afro 47 vjet qysh atëherë, por unë pata mundësinë që, si gazetar që isha, të shkruaja aq sa mundja për atë situatë dhe këto të mbeteshin në shiritin e kohës, që regjistronin shkrimet e gazetës. Unë, darkave, kur gazeta thuajse ishte plotësuar me materiale, aty për aty, shkruaja rubrikën time “Një orë në Tirane”.

Kapja një ngjarje të ditës dhe, duke shkruar aty pranë linotipit, ja jepja pjesë-pjesë linotipisit. E vërteta është se pas çlirimit, Tirana kishte bollëk: për të ngrënë, për të pirë, për të veshur ishte si asnjëherë. Tregtia private konkurronte. Shkruante mirë në një artikull të botuar te Bashkimi, Sejfulla Malëshova: “Në duhet t’u jemi mirënjohës tregtarëve tanë, të cilët, me rrezik koke, kalonin Adriatikun me vaporë plot me mallra, që e mbushën Shqipërinë. Ata rrezikonin kokën, se nëndetëset aleate ishin kudo dhe kur shkonin vapore italianë, i torpilonin dhe i mbytnin. Në vend që ti falënderojmë” – shkruante Sejfullai – “ne i dënojmë si kapitalistë, kulakë, spekulantë ose i burgosim dhe u’a marrim edhe mallin. Merrni për shembull një tregtar nga Durrësi, Vangjel Manushin, i cili edhe me qerre i sjell patatet nga Korça, kurse ne, si qeveri, që kemi gjithë ato automjete, nuk begenisim të furnizojmë popullin”. /Memorie.al/

Në trend Kultura

Më shumë
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Kulture
Ismail Qemali, bekuesi i këngës sonë kombëtare

Ismail Qemali, bekuesi i këngës sonë kombëtare

Kulture
O GRUA

O GRUA

Poezi
Disa mësime nga historia, për Lindjen e Mesme të ditëve të sotme

Disa mësime nga historia, për Lindjen e Mesme të ditëve të sotme

Kulture
Kalo në kategori