LAJMI I FUNDIT:

Këshilla për përshtatje sa më të lehtë të fëmijëve që fillojnë kopshtin/çerdhen

Këshilla për përshtatje sa më të lehtë të fëmijëve që fillojnë kopshtin/çerdhen

Ditët e para në çerdhe ose kopsht paraqesin një ndryshim të madh në jetë për çdo fëmijë. Fëmija vjen nga një familje ku ndihej i sigurt, në një mjedis të panjohur, mes njerëzve të panjohur. Duhet një kohë e caktuar gjatë së cilës fëmija përshtatet në ambientin e ri


Gentina Bacaj Gashi
Pedagoge
Drejtoreshë në Kopshtin “Yll”

Nisja e një fëmije në çerdhe/kopsht është një ngjarje e rëndësishme për të gjithë familjen. Shpesh është momenti kur një fëmijë ndahet për herë të parë nga prindërit për një kohë pak më të gjatë. Një fëmijë që deri tani jetonte në atmosferën familjare, hyn në një ambient të ri ku kalon një pjesë të konsiderueshme të ditës. Fillimi mund të zgjojë ndjenja të ndryshme. Kjo është arsyeja pse ky ndryshim i madh kërkon kohë përshtatjeje si për fëmijën ashtu edhe për prindërit.

Për shumicën e fëmijëve, procesi i përshtatjes kalon pa vështirësi të mëdha, por një numër më i vogël fëmijësh kalojnë një formë më të vështirë. Përshtatja kërkon mesatarisht 3-4 javë vizita të rregullta në kopsht. Mund të thuhet se ekzistojnë tre lloje të përshtatjes: përshtatje e lehtë (10 deri në 15 ditë), përshtatje me vështirësi mesatare (deri në 30 ditë), përshtatje e vështirë (nga 2 deri në 6 muaj). Përshtatja e vështirë e një fëmije zakonisht shoqërohet nga një sërë faktorësh që e zgjasin procesin, si kushtet e pafavorshme familjare, sëmundjet dhe të ngjashme. Reagimet e vonuara mund të shfaqen në disa fëmijë. Pikërisht kur menduat se gjithçka shkoi shumë mirë, fëmija ju befasoi. Bëhet fjalë për faktin se fëmija vetëm tani e ka kuptuar se shkuarja në çerdhe/kopsht është bërë pjesë e përditshmërisë së tij.

Preferohet që adoptimi të bëhet gradualisht duke filluar nga 30 minuta bashkë me prindërit e pranishëm në klasë, mandej ditën tjetër me një orë të qëndrimit vet në klasë dhe gradualisht duke ia zgjatë orarin.

Prindërit gjithashtu duhet të përpiqen që fëmijës t’i tregojnë që e kanë zgjedhë kopshtin më të mirë për ta, t’i flasin rreth ambientit, rreth edukatoreve, pra t’i ofrojnë siguri që ata të jenë rehat dhe komod në ambientin e ri.

Çdo prind që vendos ta dërgoj fëmijën në kopsht, duhet të ketë parasysh disa karakteristika:

• Cilin kopsht po e zgjedhë?
• Objekti i kopshtit a ka hapësirë brenda\jashtë, ajrosje, ndriçim, ngrohje?
• A ka staf të kualifikuar?
• Çfarë ushqimesh servohen?
• A ka mjaftueshëm lodra për kohën e lirë?
• A ka planprogram që i përshtatet zhvillimit të fëmijëve?
• Cila është rutina e përditshme?
• Sa kohë do të qëndrojë atje fëmija juaj?

Në momentin që vendosni ta dërgoni fëmijën tuaj në kopsht, mos krijoni pritshmëri të larta, se që në ditën e parë fëmija do të shkoj me dëshirë, mundoheni me qenë rezistues ndaj të qarave, lotëve dhe refuzimeve të fëmijës.

Si ta dojë fëmija kopshtin?

Para shkuarjes në kopsht:

▪ Bisedoni me fëmijën për çdo gjë të bukur që e pret atje, për fëmijët të cilët do të qëndrojnë aty, do të jenë miqtë e tij/të saj, për edukatoret etj.

▪ Është e rëndësishme që atmosfera në shtëpi të jetë e hareshme dhe e relaksuar gjatë përgatitjes për kopshtin e fëmijëve.

▪ Ndani një kohë të mjaftueshme që të shëtisni përreth kopshtit. Nëse e shihni të nevojshme, bashkë me fëmijën vizitoni hapësirën e kopshtit.

▪ Ndani së paku një javë të lirë për t’i ndihmuar fëmijës të përshtatet në kopsht.

▪ Gjatë disa ditëve të para mundeni dhe preferohet të qëndroni në grup me fëmijën tuaj, me kusht që të përfshiheni në aktivitetet që zhvillohen atje.

▪ Në marrëveshje me edukatorët e kopshtit caktoni kohën e shkuarjes dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në kopsht gjatë kohë së përshtatjes. Përmbajuni kohës përcaktuar për shkak të fëmijës tuaj, sepse ai kupton dhe di më shumë që ju prisni dhe mendoni.

▪ Bashkë me fëmijën përgatitni gjërat të cilat do t’i marrë me vete në kopsht.

▪ Kur të filloni për të shkuar në kopsht mos u përgatitni duke nxituar – jepni kohë të mjaftueshme vetes dhe fëmijës.

▪ Ndarjet le të jenë të shkurtra dhe thoni gjithmonë fëmijës sinqerisht kur do të shkoni ta merrni. Silluni të qetë dhe të sigurt.

▪ Kurrë mos kërcënoni fëmijën me shkuarje në kopsht.

▪ Çdo ditë bisedoni haptas me edukatorët, bëni pyetje por edhe përgjigjuni sinqerisht pyetjeve të edukatorëve – sinqeriteti dhe besimi ndaj njëri-tjetrit janë parakusht themelor i përshtatjes së suksesshme.

▪ Rregullisht dërgojeni fëmijën në kopsht.

▪ Mos e teproni me rëndësinë e shkuarjes në kopsht, trajtoni si diçka normale në jetën e fëmijës tuaj.

▪ Përpiquni t’u përgjigjeni të gjitha pyetjeve të fëmijës që kanë të bëjnë me kopshtin, nëse nuk dini pyesni edukatorët.

▪ Përpiquni të mos tregoni shqetësim, pikëllim, frikë, por as gëzim të tepruar.

▪ Thoni fëmijës kush do ta dërgojë në kopsht dhe kush do të shkojë ta marrë nga kopshti. Përpiquni që ai person të jeni Ju apo personi i cili i ka mbushur 18 vjeç dhe për të cilin i keni thënë edukatorit.

▪ Mos e lini fëmijën vrullshëm, por as mos e zvarrisni përshëndetjen me të – kjo mund ta shqetësojë fëmijën se kështu do të “zhdukeni” në situata të tjera të jetës.

▪ Prindërit para se të largohen duhet ta përgatisin fëmijën, që duhet të largohen për shkak të punës apo cilësdo arsye.

▪ Mos i thoni fëmijës: “Do të kthehen shpejt”, por shpjegojani ku do të jeni dhe kur do të shkoni për ta marrë dhe jini të saktë. Kjo i jep fëmijës një ndjenjë sigurie dhe besimi.

▪ Është e rëndësishme që ndarja me fëmijën të jetë e shkurtër dhe e përzemërt. Pasi të thoni lamtumirë, drejtojeni fëmijën te edukatorja. Ju mund të hartoni një ritual të shkurtër që do ta bëjë më të lehtë qëndrimin e fëmijës në kopsht (përqafim, puthje,…).

▪ Ditët e para ndani kohë për fëmijën. Këto janë ditë kur prania juaj i është e domosdoshme.

▪ Në marrëveshje me edukatoren qëndroni në dhomë, njiheni me moshatarët e tij, merrni pjesë në lojë.

▪ Ndani kohë për të biseduar me edukatoren lidhur me fëmijën, por jo në praninë e fëmijës, kërkoni kohë dhe hapësirë për të biseduar me edukatoren.

▪ Krijoni qëndrime pozitive për kopshtin. Nëse ju tregoni frikë dhe mosbesim ndaj kopshtit, përkatësisht ndaj edukatorëve edhe fëmija do të veprojë si ju.

Si do të reagojë fëmija ndaj përshtatjes?

Nuk reagojnë të gjithë fëmijët njësoj.

▪ Disa fëmijë haptas shfaqin pakënaqësi (qajnë gjatë dhe pas ndarjes, bërtasin, hidhen në dysheme, përpiqen të ikin, agresionin e orientojnë në gjëra, në fëmijët e tjerë apo në edukatoren), ndërsa disa janë shumë pasivë (refuzojnë komunikimin me edukatoren apo tërësisht janë të orientuar vetëm tek ajo).

▪ Disa fëmijë kanë prirje të reagojnë edhe në planin fiziologjik (refuzojnë ushqimin dhe gjumin, kanë probleme me tretjen, shpesh sëmuren), ndërsa reagojnë edhe në sjellje të tjera (të qarët, agresiviteti, pasiviteti).

▪ Një ndër reagimet e mundshme janë sjelljet agresive (p.sh. fëmija i cili tashmë ka filluar të ecë sërish do të fillojë të zvarritet). Regresioni në sjellje është i karakterit kalimtar dhe zakonisht kalon kur fëmija të përshtatet në ambientin e ri.

▪ Ndonjëherë shfaqet e ashtuquajtura përshtatje e vonuar (shfaqet kur fëmija e kupton që shkuarja në kopsht është bërë pjesë e përditshmërisë së tij dhe që ajo është gjendje përfundimtare).

Reagimet ndaj përshtatjes, çfarëdo qofshin janë dukuri normale dhe tregojnë atë që fëmija dhe prindërit kanë zhvilluar një lidhje cilësore. Reagimi dobësohet dhe zhduket me shpejtësinë me të cilën fëmija përshtatet me mjedisin.

Përshtatja nuk përfundon kur fëmija pushon së qari, por kur, gjatë qëndrimit në kopsht, ai fillon të shprehë spontanisht ndjenjat, mendimet dhe nevojat e tij.

Duke qenë se përshtatja nuk kërkon të njëjtën kohë për çdo fëmijë dhe se fëmijët nuk reagojnë në të njëjtën mënyrë, ju këshillojmë që kur bëhet fjalë për kohëzgjatjen dhe rrjedhën e përshtatjes, mos e krahasoni fëmijën tuaj me fëmijët e tjerë. Në vend të kësaj, përqendrohuni te vetja, fëmija juaj dhe këshillat e edukatores.

Rëndësia që kanë çerdhet\kopshtet për fëmijë

• Pavarësimi i fëmijëve është qëllimi kryesore i institucioneve parashkollore. Fëmijët mësohen të përshtaten edhe në ambiente jashtë familjes\shtëpisë, mësohen t’iu përmbahen rutinave, të ushqehen, të mbajnë higjienën personale, etj.

• Përshtatja emocionale, në kopsht fëmija takon së pari norma shoqërore të sjelljes dhe mëson të sillet siç duhet në shoqëri, t’i respektojë të tjerët, të fitojë aftësi të nevojshme të sjelljeve dhe shprehive jetësore që kanë për qëllim parapërgatitjen për shkollë.

• Përvetësimi i njohurive të reja, fëmijëve u servohen informacione bazike duke filluar nga përshëndetjet, fjalët magjike e deri tek njohja me shkronja dhe numra.

Nga ana tjetër, një program i balancuar mirë, stimulues që nuk ushtron asnjë presion mbi fëmijët mund të jetë emocionues dhe mund t’i pasurojë me dije të gjithë fëmijët nga mosha dy deri në pesë vjeç dhe t’u japë prindërve njëfarë lirie, pavarësisht nëse janë të punësuar apo në në shtëpi.

Një program cilësor i kopshtit u ofron fëmijëve të vegjël një gamë të gjerë përvojash që ata mund t’i përdorin edhe për ata fëmijë të cilët qëndrojnë në shtëpi me një prind ose një dado të ndërgjegjshme.

Në kopshtin e fëmijëve, fëmijët mësojnë disa aftësi themelore – të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, të marrin radhën në lojë dhe të presin radhën, të ndihmojnë në punët e vogla të shtëpisë, të ndjekin rregullat, të marrin vendime dhe të shkojnë mirë me grupin. Një program i mirë parashkollor do të jetë një sfidë intelektuale dhe krijuese për fëmijën dhe do t’i mësojë atij disa baza të jetës shoqërore. /Telegrafi/

Në trend Femra

Më shumë
Sa fiton Kate Middleton: Pasuria e Mbretëreshës së ardhshme, është ende larg burrit të saj

Sa fiton Kate Middleton: Pasuria e Mbretëreshës së ardhshme, është ende larg burrit të saj

Femra
Modeli i patejkalueshëm i çizmeve është i njohur edhe këtë sezon dhe ja si mund t'i kombinoni gjatë vjeshtës

Modeli i patejkalueshëm i çizmeve është i njohur edhe këtë sezon dhe ja si mund t'i kombinoni gjatë vjeshtës

Moda
Adriana Lima në një veshje në të cilën rrallë e shohim! Ajo u shfaq me një mantel dhe me çizme gome

Adriana Lima në një veshje në të cilën rrallë e shohim! Ajo u shfaq me një mantel dhe me çizme gome

Moda
Kampionia e botës Getta Beqa ngrit alarmin rreth imitimit të Mishit të Freskët të Perutninës, kërkon kujdes nga konsumatorët

Kampionia e botës Getta Beqa ngrit alarmin rreth imitimit të Mishit të Freskët të Perutninës, kërkon kujdes nga konsumatorët

Ushqim i shëndetshëm
U zgjodh gruaja më e bukur në botë, për një detaj hyri në histori

U zgjodh gruaja më e bukur në botë, për një detaj hyri në histori

Femra
Këto tri modele flokësh mund t'i bëni vetë: Janë të thjeshta, efektive dhe trendi më i madh i këtij sezoni!

Këto tri modele flokësh mund t'i bëni vetë: Janë të thjeshta, efektive dhe trendi më i madh i këtij sezoni!

Flokë dhe stil
Kalo në kategori