LAJMI I FUNDIT:

KDI i reagon Konjufcës: Pengimi i deputetëve të Listës Serbe, cenim i mandatit kushtetues

KDI i reagon Konjufcës: Pengimi i deputetëve të Listës Serbe, cenim i mandatit kushtetues

Deputetët e LVV kanë bllokuar pjesëmarrjen e Listës Serbe në punimet e Kuvendit të Kosovës.

Sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputetët e Listës Serbe morën pjesë për herë të parë pas një bojkoti të gjatë.

Prania e tyre shkaktoi reagime të forta nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i quajti të turpshëm veprimet e tyre.


“E luftoni Republikën e Kosovës e sot vini këtu që të merrni pjesë në seancë. Turp të keni!”, deklaroi Konjufca me revoltë, duke ndërprerë seancën plenare.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) gjithashtu ndërmorën hapa për të bllokuar pjesëmarrjen e deputetëve të Listës Serbe, duke e konsideruar këtë një veprim politik për të mos lejuar përfundimin e mandatit të tyre pa përmbushur përgjegjësitë kushtetuese.

“I qëndroni gatitu Radoiçiqit dhe luftoni Republikën e Kosovës” – Konjufca i ashpër me deputetët e Listës Serbe, u kërkon të largohen nga Kuvendi
Lexo po ashtu “I qëndroni gatitu Radoiçiqit dhe luftoni Republikën e Kosovës” – Konjufca i ashpër me deputetët e Listës Serbe, u kërkon të largohen nga Kuvendi

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) reagoi ndaj këtyre zhvillimeve, duke e cilësuar pengimin e pjesëmarrjes së deputetëve si shkelje të mandatit kushtetues.

“Sipas ligjit, deputetët i nënshtrohen vetëm ndërgjegjes së tyre, andaj edhe bojkoti – si mjet politik – ndonëse e dobëson efikasitetin e Kuvendit dhe cenon përfaqësimin e interesave të qytetarëve, nuk mund të përdoret si arsye për pengim të pjesëmarrjes së deputetëve në punimet e Kuvendit”, thuhet në reagimin e KDI-së.

KDI vlerësoi se, pavarësisht mospjesëmarrjes së tyre të vazhdueshme, deputetët e Listës Serbe kanë të drejtë të marrin pjesë në punimet e Kuvendit dhe se bllokimi i tyre është i jashtëligjshëm.

“Bojkoti i deputetëve të Listës Serbe ka dëmtuar funksionimin e Kuvendit dhe ka minimizuar dialogun ndërmjet komuniteteve, por pengimi i tyre në seancën e sotme përbën cenim të mandatit të tyre kushtetues,” theksohet në deklaratën e KDI-së.

“Sipas Rregullores, deputetët mund të largohen nga seanca, vetëm në rast se ata përdorin fjalë fyese, cenojnë personalitetin e kryesuesit të seancës ose deputetëve tjerë, apo vazhdojnë të bëjnë shkelje në raport me të cilat paraprakisht janë sanksionuar. Ndërsa, ndërprerja e seancës mund të bëhet vetëm në rastet kur në sallë bëhet rrëmujë dhe nuk respektohet kërkesa e kryesuesit të seancës për mbajtjen e rregullit”, deklaroi tutje KDI./Telegrafi/