LAJMI I FUNDIT:

Katalogu i frizurave iraniane

Katalogu i frizurave iraniane

Qeveria e Iranit ka publikuar katalogun për modelet e flokëve të pranueshme për meshkuj. Nuk është se ky katalog ndjek trendin më të ri të modës, por ky është ligj, dhe këto janë stile të flokëve të cilat u lejohen meshkujve në Iran.

Me qëllim që të zvogëlohet ndikimi i trendeve perëndimore, Ministria e Kulturës ka miratuar publikimin e katalogut me frizurat e pranueshme. Frizurat e djelmoshave, me qethje të rregullt me një vijë anash por edhe frizura të stilit Elvis Prelsey janë të lejuara, por është e ndaluar rreptësisht që burrat të kenë flokë të gjata, të lidhin flokët mbrapa, dhe të kenë të ashtuquajturat frizura-iriqi.

Përdorimi i xhelit, dhe i preparateve tjera për forcimin e flokëve nuk është i ndaluar, por duhet të përdoret në sasi të arsyeshme, ndërsa gjykuar nga fotografitë të cilat i prezantoi ministri iranian i Kulturës të gjithë burrat duhet të jenë edhe të rruar.

“Stilet e prezantuara janë të inspiruar nga kultura iraniane, feja dhe ligjet e sheriatit. Jemi të lumtur që qeveria ka mbështetur këto stile”, tha Jaleh Khdayar, njëri prej organizatorëve të festivalit të frizurave i cili do të mbahet në fund të korrikut në Teheran dhe në të cilin do të promovohet katalogu i frizurave të lejuara, shkruan Daily Telegraph.


Përndryshe në Iran vitet e fundit disa rrojtore dhe floktore janë mbyllur sepse kanë mbështetur stilin perëndimor të frizurave.

Policia iraniane rregullisht kryen kontrolle nëpër rrugët e qyteteve. Burrat nuk lejohen të vishen në stilin perëndimor, bile edhe kravatat këqyren me rreptësi, pasi vlerësohen si simbol i dekadencës perëndimore.

Edhe femrat po ashtu nuk lejohen të ecin me pallto të shkurtra, respektivisht me veshje të cilat nuk duhet të jenë provokuese. /Telegrafi/