LAJMI I FUNDIT:

Kaos në një ceremoni përkujtimore në Amsterdam

Kaos në një ceremoni përkujtimore në Amsterdam

Mijëra njerëz janë lënduar pas panikut që i kishte kapluar ata gjatë një ceremonie përkujtimore, që është zhvilluar në sheshin Dam të Amsterdamit. E gjithë rrëmuja u shkaktua të martën, kur një person 39-vjeçar kishte filluar të bërtiste gjatë dy minutave të heshtjes përkujtimore.

Personi në fjalë u arrestua nga policia, mirëpo motivi i sjelljes së tij akoma mbetet i paqartë, tha zëdhënësi i policisë për televizionin holandez Nos Tv.

Shumica e të lënduarve pësuan thyerje të këmbëve, duarve dhe gërvishtje të ndryshme pas panikut që i kishte kapluar, ndërsa duke ikur pa krye rrëzuan barrierat që ndalonin popullatën të kalonte në anën tjetër të rrugës, ku ndodhej monarkia holandeze dhe zyrtarët e lartë shtetëror.

Një dëshmitar i kësaj ngjarjeje, deklaroi për ueb-faqen e gazetës holandeze “Telegraaf” se personi në fjalë gjatë tërë kohës ka qeshur me zë të lartë, duke i detyruar të pranishmit t’ia tërheqin disa herë vërejtjen për sjelljen e tij.


“Personi ka filluar të bisedojë në telefon dhe për një moment ka bërtitur. Një person tjetër e ka goditur në mënyrë që të ndalet. Atëherë policia e ka arrestuar personin, dhe në atë moment ka filluar paniku”, ka deklaruar dëshmitari.

“Njerëzit kanë filluar të bërtasin dhe të shtyhen. Të gjithë mundoheshin të iknin. Ka qenë një kaos i vërtetë, mirëpo askush nuk e dinte çfarë po ndodhte në të vërtetë”, ka thënë kolumnisti i gazetës “Telegraaf”, Selale Dogan

Agjencia e lajmeve ANP ka raportuar se paniku filloi kur një njeri kishte filluar t’i sulmonte njerëzit e pranishëm në këtë ceremoni. Ai ishte arrestuar nga policia, gjë që solli panik të madh tek njerëzit. Një tjetër person që lëshoi një valixhe afër, është arrestuar gjithashtu, ka raportuar ANP.

Mbretëresha Beatrix është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Dhe vetëm kur çdo gjë ka përfunduar, ajo serish u kthye dhe ceremonia ka vazhduar pa pengesa.

Dren Kada/Telegrafi