LAJMI I FUNDIT:

Kandi i lojnave i fminisë tonë…

Kandi i lojnave i fminisë tonë…

Nga: Ilir Seci

Ata që e kanë provue e dinë se për çka po flas… ky kand lojnash nuk blihej, nuk porositej në Amazon, nuk ishte prej kauçuku “Made in China”, jo, ishte aty në arën para shpisë në katund, në arën e mbjellun me kollomoq (misër), që bahej kand lojnash mbasi ara korrej. Korrej talla e kollomoqit e bahej çupa.


Tallë i kemi thanë asaj që njihet si “kashtë misri”…, por jo vetëm asaj, Tallë na në Malsi u kemi thanë barishteve të gjata dhe simbas nji etimologu rus, albanolog, kjo fjalë e lashtë asht e nji rranje me fjalën anglisht “Tall” që do me tha e “i/e gjatë”… asfare nuk po i hyj diskutimit për origjinen e fjalës, por kjo fjalë bjen në spikamë nevojën e pasunimit të gjuhës të ashtequejtun “letrare shqipe” që Kongresi i Drejtshkrimit të Partisë në vend qe me e ba ujëmbledhës të tana prumjeve e pat kthye në rezervuar rrethue me tela e roje kostallarë, gardianë që vigjilojne edhe sot. Roje kostallarë që rezervuarin e ‘72-it e lanë me u ba moçal se ia prenë lidhjen me burimet.

E tue kenë se përmendëm burimet me shkasë nga kjo foto me këto çupa kollomoqi, po më bien ndërmend do terma që kena në Malsi në këtë lëmi, terma që edhe ma shumë theksojnë shterrnajën e rezervuarit të kostallarëve. Në Malsi na kena disa fjalë nga zeja e bujkut që përcaktojnë kollomoqin… që mungojnë në Fjalorin e Partisë me vetëm 40 mijë fjalë… Mungese që shqipen e rezervuarit nxanun me digën e kostallartë, e shtërngon me përdorë togje në vend të nji fjale të vetme… qe shembujt:

– Për kollomoqin e njomë, gjuha e rezervuarit thotë “misër i njomë”, kurse na kena fjalën “shtalbak” ;

– Për kollomoqin e qiruem, gjuha e rezervuarit thotë “misër i zhveshur”, kurse na kena fjalën “camak” ;

– Për kollomoqin e krymbun e të ligsht gjuha e rezervuarit thotë “misër i krimbur”, kurse na kena fjalën “galinxh”;

Fjalë që nuk kanë nevojë me mbrapashtue mbiemna e me ngathtësue të shprehunit, përkundrazi janë fjalë që zhdërvillojnë shprehjen… Tana pasuni leksikore autentike… fjalë qe ka krijue bujku në përditshmëninë e vet…

– “Por po i lamë na tash kto fjalë”, – si thotë Oso Kuka në “Lahutën” e At Fishtës… Gjindja janë të knaqun me llucën e rezervuarit të shndrruem në moçal… Të kthehemi te çupi i tallës.

…E kundroj foton e me doket se po e shoh veten aty fmijë strukun në nji nga këto çupa kollomoqi, ku na luejshim “shpiash”… secili grup nxinte nga nji shpi të vetën nën çup dhe krijonim nji botë tonën… as e kishim idenë se çfarë metafizike ishte kjo me krijue hapësinë mbrenda hapësine… hala s’kisha lexue për përmasën e katërt. Tue mos pasun lodra si fmia e sodit, na në vend të lazdrimit zhvillonim fantazinë se shpia e çupit të kollomoqit duhej ndreqë e pajisë me tana çka i vuejnë shpisë së robit… e tue mendue me pajisë shpiat na nxinte nata e bahej shumë vonë. Prindja delnin me thirrë

– Hajdeni more në shpi, se nuk u kena qite jashte jo!

…E thanshin me hajgare atë gja prindja, se ato ditë, kur kollomoqi korrej e vërehej që të vjelat kishin me qenë të mbara, ata nuk na ndalonin me luejtë nëpër çupat e arës…, bile me parandjenjën e fmijës e dallonim se atyne ua kish anda me na pa tue ngazllye në arë si harabela. Ishte gzimi i bukës së sigurueme para dimnit të rrebtë që ishte mbas dere… shendi i fmijëve nëpër çupa ishte i përligjun…

…Kundroj këtë foto e përhumbem në kujtime… kujtime, të nji kohe kur na nxinte mesi i natës tue luejtë e shendue me motsanikë në arën e korrun e bamë çupa…, kohë kur prindet delnin me na thirrë sa herë: “Hajdeni more mbrenda me fjetë se shkoi gjysa e natës”,- krejt ndryshe nga Prindja e sodit, kur i nxan gjysa e natës tue u thanë fmijve: “Shkoni more me fjetë, se u nxuni mesnata në celular e playstation”… prindjes që ua ngrys ftyrën trishtimi ka e shohin fmijën të burgosun në qelinë digjitale të celularëve e lojnave elektronike.

“Delni more jashtë njiherë t’u shohin dielli he mozomakeq për ju e për ne”.