LAJMI I FUNDIT:
Prizreni 3° rain

Kalaja e Prizrenit, kurora historike e qytetit që tërheq mijëra vizitorë

Kalaja e Prizrenit, kurora historike e qytetit që tërheq mijëra vizitorë

Kalaja e Prizrenit vazhdon që të jetë lokaliteti arkeologjik më i vizituar në qytetin e vjetër. Ndonëse në brendi aktualisht nuk ofrohet ndonjë shërbim i caktuar, megjithatë turistët preferojnë ngjitjen disa minutëshe për të shijuar monumentin që përfaqëson historinë mijëvjeçare të qytetit, duke ofruar edhe pamje mahnitëse të pjesës urbane por edhe të natyrës përreth.

Akil Çejku, student nga Prizreni thotë se gjatë kësaj vere e ka vizituar shpesh Kalanë dhe se ka hasur në shumë vizitorë vendorë dhe turistë të huaj.

“Turistët e vizitojnë Kalanë sepse është kurora e qytetit dhe duket sikur gjithë Prizrenin e ke në pëllëmbë të dorës. Po ashtu përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë së qytetit”, pohon ai për Telegrafin.


Akil Çejku

Sipas tij, edhe aktivitetet kulturore gjatë verës kanë bërë që të ketë gjallëri në këtë pjesë.

“Sivjet afër njëzet herë kam qenë në Kala, sepse kam qenë i angazhuar në DokuFest si vullnetar, në njërën prej dy kinemave, që kanë funksionuar këtu. Por po ashtu mbahen edhe festivale tjera, si Ngom Fest, ku edhe aty kam marrë pjesë, dhe në përgjithësi ka pasur lëvizje të njerëzve”, thekson Çejku.

Vizita në Kalanë e Prizrenit gjithmonë ofron ndjenjë të veçantë edhe për Ilir Çollakun nga Prizreni, i cili e njeh këtë zonë që prej fëmijërisë. Sipas tij kalimi me sukses i tatëpjetës me kalldrëm dhe pamja e jashtëzakonshme që ofrohet në gjendjen me adrenalinë të lartë, jep kënaqësinë e pushtimit të ndonjë maje të lartë, teksa mundëson edhe pamjen e Prizrenin nga lartë “sikur të një qyteti makete në tryezë”.

“Në çdo vizitë, doemos, ngjallen edhe kujtimet e fëmijërisë, legjendat lidhur me pjesët e ndryshme të kalasë, qëndrimi mbi tytën e topit, garimi për t’i gjetur objektet e ndryshme duke filluar nga shtëpia ku banojmë, etj”, deklaron Çollaku për Telegrafin.

Ilir Çollaku

Sipas tij të vizitosh Prizrenin e të mos ngjitesh në Kala është vizitë e lënë në gjysmë.

“Sidomos, për ata që vizitojnë për herë të parë Prizrenin, kalaja, me pozitën që ka dhe me pamjen që ofron, mundëson që t’i bashkojmë krejt pikat tjera të vizituara në një fotografi të madhe. Përveç kësaj, ajo ka edhe aspektin historik, meqenëse daton prej shekujve të hershëm të qytetërimit në këtë zonë, pra ka histori të pasur”.

Çollaku konsideron se Kalaja e Prizrenit është unike.

“Kalanë e Prizrenit veçon pozita, forma që e ka: kur e shikojmë kalanë nga qyteti, kalaja duket bukur, e kur të ngjitemi në kala dhe e shikojmë qytetin, qyteti duket bukur. Nuk ka në Kosovë kala si Kalaja e Prizrenit, por edhe për rajonin dyshoj se ka kala me pozitë kaq të bukur, ndonëse nuk i kam vizituar të gjitha”.

Ai shpreh bindjen se gjendja e kalasë në krahasim me kohën kur ka qenë fëmijë është shumë më e mirë. “Por, po ashtu larg gjendjes që do të kisha dëshirë ta shoh!”, shprehet Çollaku.

Sipas tij ka nevojë për menaxhim të mirëfilltë të këtij monumenti.

“Patjetër se duhet të ketë mirëmbajtje, investimet që bëhen duhet të bëhen me kujdes, e po ashtu edhe të ruhen. Përveç kësaj, duhet të ketë më shumë lëvizje, më shumë atraksion, por edhe pastërti, e krejt kjo hyn në menaxhim, çka mendoj se nuk ka mjaftueshëm ose fare tash për tash!”, thotë Çollaku.

Vesel Hoxhaj nga Njësia Menaxhuese për Kalanë e Prizrenit konfirmon se ky lokalitet është goxha i vizituar, meqë zgjon kërshërinë e turistëve.

“Kalatë në përgjithësi janë vende atraktive për vizitorët. Duke marrë parasysh se Kalaja e Prizrenit është shumë afër qendrës historike, shihet me sy nga urat mbi Lumbardh, i tërheq turistët për ta vizituar”, thotë ai.

Vesel Hoxhaj

Njëherësh pranon se ka vend për përmirësime sa i përket pritjes së turistëve dhe ofrimit të shërbimeve.

“Gjendja aktuale e Kalasë së Prizrenit mesatarisht mirë, ndonëse ka vend për disa përmirësime, meqë gjatë kohës ka pas dëmtime, si shtegu i ecjes, tabelat informuese, pastaj angazhimi i stafit për pritjen e vizitorëve në lokalitetin arkeologjik”, deklaron Hoxhaj për Telegrafin.

Sipas tij, thirrja e fundit e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të mundësoj zbatimin e planit të menaxhimit, ashtu që Kalaja të bëhet një vend atraktiv edhe për shumë përjetime tjera përfshirë zejet e vjetra, kafeteritë, suvenirët, etj.

“Kjo do të mundësonte edhe gjenerimin e të hyrave, që do të përdoreshin për zhvillimin, restaurimin, konservimin, studimin, por edhe edukimin e komunitetit për Kalanë e Prizrenit”, shprehet Hoxhaj.

MKRS-ja gjatë këtij muaji ka hapur thirrjen për organizatat joqeveritare me përvojë në organizimet e fushës së trashëgimisë kulturore dhe artit për zbatimin e Planit të Menaxhimit për Kalanë e Prizrenit.

Turistët e huaj në Kalanë e Prizrenit

Sipas të dhënave në Databazën e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës, Kalaja e Prizrenit përmban në vete një pjesë të rëndësishme të historisë së lashtë të qytetit, raporton Telegrafi.

Aty shkruan se pozicioni i saj topografik, dominues mbi qytetin, peizazhi natyror mjaft tërheqës dhe konfigurimi arkitektonik i menduar mjaft mirë, e bëjnë këtë lokalitet me vlera të padiskutueshme ambientale, shkencore, historike dhe turistike.

Topi në Kalanë e Prizrenit

“Burimet e shkruara flasin shumë pak për Kalanë e Prizrenit. Shënimi më i vjetër që dihet është ai i kronistit Bizantin Prokopi i Cezares në veprën “De aedificiis” (Mbi ndërtimet). Në këtë vepër në mesin e fortifikimeve të meremetuara në Dardani, evidentohet për herë të parë edhe kjo kala me emrin Petrizen, emër që i përket emrit të sotëm të Prizrenit”.

Në aspektin ndërtimor, sipas Databazës, ndahet në tri komplekse të veçanta të quajtura: Qyteti i Epërm, Qyteti i Poshtëm dhe Qyteti Jugor, ndërsa në aspektin e fortifikimit ndër shekuj, ajo i përket periudhave të ndryshme: Periudha antike, Periudha e sundimit Bizantin, Periudha e zotërimit Nemanjid dhe Periudha e sundimit të Perandorisë Osmane.

Një studim më voluminoz është bërë në vitin 1969 me ç’rast krahas gërmimeve arkeologjike është bërë edhe incizimi arkitektonik i Kalasë.

Hyrja

“Gërmimet arkeologjike të bëra me 1969 dhe 2004 rezultuan me zbulimin e infrastrukturës, e cila prezantohet me muret (bedenat) e përforcuara me kulla, kazamatet, labirintet, depotë si dhe një varg objektesh në brendinë e saj”.

Ndërsa vazhdimi i gërmimeve arkeologjike të bëra në vitet 2004 dhe 2009/2011, sipas Databazës, nxori në pah një vendbanim parahistorik nga epoka e bronzit dhe periudha e hershme e hekurit i cili ka shërbyer si bërthama e parë e jetës në këtë vend.

Po ashtu për herë të parë këto gërmime kanë dhënë gjurmë të arkitekturës dhe dëshmi të materialit të datueshëm në periudhën romake dhe antikën e vonë.

Gjatë periudhës Osmane, Kalaja zgjerohet duke ndërtuar dhe përforcuar muret fortifikuese si dhe pasurohet me objekte të reja si hamami, xhamia, dhe objekte tjera për nevojat ushtarake.

Renovimi i saj i fundit i është bërë në dekadën e tretë të shekullit XIX, nga familja e borgjezëve vendas, Rotllajve.

Kalaja e Prizrenit funksionin primar kreu deri më vitin 1912. Prej asaj kohe objekti lihet pas dore me çka fillon procesi i degradimit të tij, raporton Telegrafi.

Ndërtesa e Muzeut në Kalanë e Prizrenit

Në vitet 2008-2010 fillojnë disa punë restauruese-konservuese si masë emergjente në parandalimin e këtij procesi degradues.

“Në vitet 2015-2017 në kuadër të projektit “Ruajtja dhe Mbrojtja e Kalasë së Prizrenit’, e financuar nga Ambasada Amerikane dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë zbatuar projektet e adaptimit dhe të interpretimit si dhe janë realizuar hulumtime arkeologjike dhe konservim të strukturave të Kalasë. Ky projekt është implementuar nga OJQ CHwB dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës”, thuhet në Databazën e Trashëgimisë Kulturore.

Në gusht të vitit 2019 në brendi të Kalasë është hapur ekspozita arkeologjike e cila i prin hapjes së muzeut në këtë Kala. Aktualisht për shkak të mungesës së stafit, dyert e muzeut qëndrojnë të mbyllura.

Krahas vlerave të larta historike, arkitektonike, shkencore, ky lokalitet sipas Databazës ka edhe vlerë të madhe ekonomike për zhvillim të turizmit kulturor, meqë nga viti 2010 aty improvizohen kinematë e “DokuFestit”, teksa organizohen edhe ngjarje tjera kulturore e artistike.

Hapësira ku organizohen aktivitetet kulturore

Për lehtësimin e qasjes fizike, Komuna e Prizrenit, MMPHI-ja e “Swisscontacti” në Kosovë janë duke e zhvilluar projektin për ndërtimin e teleferikut për në Kalanë e Prizrenit. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Mike Tyson e goditi me shuplakë Jake Paulin gjatë matjeve zyrtare, incidenti përfundoi me kërcënime

Mike Tyson e goditi me shuplakë Jake Paulin gjatë matjeve zyrtare, incidenti përfundoi me kërcënime

Boks
Xheneta e pyet se kur do t’i propozojë, Gjesti i ftohtë në përgjigje: Të shohim një herë çka po rrjedh

Xheneta e pyet se kur do t’i propozojë, Gjesti i ftohtë në përgjigje: Të shohim një herë çka po rrjedh

Magazina
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson

Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson

Boks
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s

Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s

Ligat tjera
Franca përfundon misionin për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit rus

Franca përfundon misionin për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit rus

Evropa
Çfarë ndodhi me Sotir Ninin, lojtarin që refuzoi Shqipërinë për Greqinë - ai që detyroi Man Utd të ndërtojë 'dosjen e spiunazhit'

Çfarë ndodhi me Sotir Ninin, lojtarin që refuzoi Shqipërinë për Greqinë - ai që detyroi Man Utd të ndërtojë 'dosjen e spiunazhit'

Ligat tjera
Kalo në kategori