LAJMI I FUNDIT:

Kakofonia e diplomacisë evropiane

Tërheqja e UE-së nga Ballkani, duke i lëshuar vend Turqisë si superfuqi rajonale në ngjitje, Ballkanin Perëndimor mund ta shpinte në kaos politik, madje edhe drejt një lufte të re ballkanike. Rikthimi i diplomacisë amerikane, duket të jetë i vetmi gjedh reale për të penguar rrëshqitjen e Ballkanit Perëndimor drejt kaosit

Mbi urën që ndan Mitrovicën, ku po pretendohet të imponohet kufiri i ri mes shqiptarëve dhe serbëve, deputetja gjermane e parlamentit Evropian, Doris Pak, shpërfaqi edhe një herë inekzistencën e diplomacisë evropiane për Kosovën.


Në përforcim të këtij konstatimi shkoi edhe ligjërata e ish ministrit të jashtëm i Britanisë së Madhe, Denis MacShane, e mbajtur para studenteve në Universitetin Amerikan në Kosovë.

Ndërkaq ekipi i parlamentarëve nga pesëshja evropiane, që nuk e pranon pavarësinë e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, i shoqëruar me analistë e studiues të shumtë, sikur pranonte fajësinë, jo thjeshtë për kakofoninë diplomatike evropiane në raport me Kosovën, por edhe vet dështimin e diplomacisë së UE-së, respektivisht inekzistencën e saj.

Në rrafsh më të gjerë kjo kakofoni e diplomacisë evropiane u shpërfaq po këtë javë në Paris, tek po votohej për statusin e vëzhguesit ose jo të Palestinës në UNESCO. Shumica e evropianëve, të prirë nga Franca, Britania e Madhe, Italia… votuan pro këtij vullneti politik të palestinezëve, por jo edhe Gjermania!

Dështimi në Lindjen e Afërt, para së gjithash në raport me kryengritjet e të zemëruarve në shtetet arabe (Tunizi, Egjipt, Libi dhe së fundi edhe në Siri), meqë edhe për përkrahjen e kësaj lëvizje kishte hezitime herë nga njeri shtet evropian, e herë nga tjetri, që për bazë kishin prapavijën historike të ndërlikuar, por të mbarsur edhe me interesa neokoloniale.

Ndërkaq dështimi i EU në Kosovë fillimisht përmes Shtyllës së katërt brenda UNMIK-ut dhe më pas përmes misionit te saj më të madh – EULEX, dhe së fundi përmes imponimit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, për të cilin u deklaruan edhe zonja Pak, flet shumë për mungesën e diplomacisë së UE-së në raport me të ardhmen e Kosovës. Duket qartë se diplomacia evropiane në krye me baroneshën Aeshton, në këtë rrafsh, ka bërë çdo gjë gabimisht. Por kush brengoset në Bruksel për këto shkarje të diplomacisë së UE-së në raport me Kosovën?

Kosova e udhëhequr nga politikan të zënë peng, mund te vazhdojë të pres nga Brukseli edhe më tutje ndonjë shpërblim sado të vogël (fillimin e bujshëm të dialogut për vizat për shembull), por kjo pritje dhe shpërblimi i “garantuar”, duket të jetë pak i dobishëm për shqiptarët. Ndërkaq pozicioni i Brukselit, siç u dobësua ndjeshëm në Lindjen e Afërt ndërkohë, duke i lëshuar vend Turqisë, ashtu do të mund të dobësohej edhe në Ballkan, duke i lëshuar edhe këtu vend superfuqisë rajonale në ngjitje. Pasojat e këtij dështimi të UE-së mund të jenë të pallogaritshme. Një hap i tillë, rajonin mund ta shpinte në kaos politik, madje edhe drejt një lufte të re ballkanike. Shih për këtë, rikthimi i diplomacisë amerikane, duket të jetë i vetmi gjedh real për të penguar rrëshqitjen e Ballkanit Perëndimor drejt kaosit dhe ripozicionimet gjeopolitike të disfavorshme për perspektivën e tij euroatlantike.