LAJMI I FUNDIT:

Kadare i pafajshëm ‘për shpifje ndaj Ferajt’

Kadare i pafajshëm ‘për shpifje ndaj Ferajt’

Shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, të mërkurën është shpallur i pafajshëm ndaj akuzave të ngritura nga pedagogu i Shkencave Politike, Hysamedin Feraj.

Vendimi i pafajësisë për shkrimtarin është shpallur paraditen e djeshme nga gjyqtari kryeqytetas Ilir Çeliku, i cili në të njëjtën kohë rrëzoi edhe padinë civile të pedagogut në shumën e 50 mijë eurove.

Konflikti mes shkrimtarit Kadare dhe pedagogut Feraj nisi ditët e fundit të vitit 2008 pas një artikulli të botuar në një të përditshme me titullin "Intrigat që fshihen pas sulmit ndaj Skënderbeut", me autor shkrimtarin e njohur dhe nëntitull "Përbaltja, rrënim për kombin tonë".

Duke pretenduar se Kadare kishte vënë në gojën e Ferajt një pohim që ai nuk e kishte thënë kurrë, Feraj iu drejtua Gjykatës së Tiranës me dy padi njëkohësisht, një penale dhe një civile. Ndërkohë që Kadare pohoi se citimet i kishte marrë nga një shkrim tjetër.


Artikulli, në të vërtetë është parathënia që Kadare ka shkruar për të prezantuar për herë të parë botimin "Foleja kombëtare", e vetmja dramë e Mithat Frashërit.

"…Midis përgjigjeve është njëra që gjithmonë e më shpesh përsëritet, në mënyrë ogurzezë: në Shqipëri punët do të shkojnë gjithmonë e më mbrapsht, përderisa në qendër të Tiranës nuk do të hiqet shtatorja e Skënderbeut për t’u zëvendësuar me atë të Sulltan Muratit…", thuhet në artikullin e Kadaresë, duke ia veshur këto thënie Ferajt, i cili në bazë të tyre depozitoi padinë. /panorama/telegrafi/