LAJMI I FUNDIT:

Kadare fitues i Çmimit “Rexhai Surroi” për roman

Kadare fitues i Çmimit “Rexhai Surroi” për roman

Ismail Kadare është fituesi i sivjetshëm i Çmimit “Rexhai Surroi” për Roman. Juria e përbërë nga akademikët Sabri Hamiti e Eqrem Basha dhe Dr. Bardh Rugova, nga prodhimi i pasur i sivjetshëm i romanit shqiptar, veçoi “Darkën e Gabuar” të këtij shkrimtari të madh, tashmë përmasash ndërkombëtare.

Ai, duke iu falënderuar Grupit “Koha” dhe jurisë, e quajti këtë shpërblim me rëndësi e vlerë të veçantë për të, që i sjell më shumë gëzim se vjen nga Kosova.

Çmimin për gazetari të shkruar “Rexhai Surroi, u takoi dy gazetarëve, për shkrimin “Jeta në kërkim të një varri”, me autorë Serbeze Haxhiaj, Radio Kosova, dhe Rexhep Krasniqi – “Koha Ditore”. Juria, e përbërë nga Zenun Çelaj, Kelmend Hapçiu e Naser Miftari, tha se ishte e një mendjeje kur u përcaktuan për këtë shkrim e këta autorë.

Me këtë rast u promovua edhe libri “Tunelet e tmerrit”, me rrëfimet rrëqethëse të shqiptarëve të izoluar nga regjimi i Milosheviqit para 20 vjetësh.


Ceremonia e dorëzimit të këtyre çmimeve, për herë të dytë pas themelimit (në vitin 2008) nga Grupi “Koha”, u mbajt në hapësirat e Hotelit “Grand” dhe në të merrnin pjesë personalitete të shquara të kulturës, të artit e të politikës. /Koha/