LAJMI I FUNDIT:

Jugonostalgjia

Jugonostalgjia

Çka do te thotë Jugonostalgjia? Duke qenë se jo pa arsye shqiptarët pretendojnë të jenë pasardhës të ilirëve, pra bashkë me grekët, si komunitetet shoqërore më të vjetra së paku në Ballkan, megjithatë kemi një paradoks. Nga një histori kaq e gjatë, thuajse aspak nuk kemi arritur të jemi të pavarur. Kjo është në vija të trasha. Një, apo dy shtete ende jo të konsoliduar si duhet që nga 1912-ta deri më tani. Kjo pasje e një kontinuumi të një vetëdije të përbashkët kolektive, qoftë kjo edhe e projektuar, tekefundit është determinanta kryesore e një kombi e cila përcillet me një mungesë kritike të një vetëadministrimi faktik politik, aq më pak cilësor, ndaj s`ka si të mos manifestohet me paradokse përmbajtesore të cilat në fakt nuk janë asgjë tjetër pos shprehje e një tipari të vasalitetit.

Vasaliteti është tipar i shoqërive inferiore, qoftë nga aspekti kuantitativ, qoftë nga ai kualitativ. Ndoshta vasaliteti mund të shihet edhe si mekanizëm mbrojtës, pasi që forcat reale historike në sipërfaqen e planetit të quajtur Tokë, shpesh kanë njohur edhe zhdukjen dhe shkatërrimin e plotë të shteteve dhe popujve. Jo larg nga një situatë e mundshme e këtillë ishin edhe shqiptarët. Nga ky prizëm ndoshta edhe do të mund të justifikohej vasaliteti. E, kur është fjala të vasaliteti, një vija të trasha mund të themi se ky na përcjell qysh nga luftërat iliro-romake. Por, duke dashur të jem realistë le të përkufizohemi në formën e fundit të vasalitet të shqiptarëve: Jugosllavinë, në të gjitha trajtat e saj.


Është e qartë se edhe popuj shumë më të mëdhenj numerikisht se shqiptarët, e njohën robërinë dhe vasalitetin. Faktet historike për ilustrimin e kësaj do të ishin të panevojshme. Edhe nënshtrimi i shqiptarëve nga Serbia e më pas Jugosllavia, aspak nuk i shmanget kësaj skeme universale. I forti sundon të dobëtin. Shqiptarët ishin më të dobët dhe u nënshtruan. Ky është fakt.

Në situatën kur okupohet një shoqëri, ajo ka alternativa të shumta, por së paku dy janë më të evidentueshme: asimilimi apo rezistenca. Këto janë dy ekstreme. Por, realiteti është se ka moduse të shumta në mes këtyre dy ekstremeve. Pra, realisht kurrë s`ka asimilim të plotë pa një rezistencë, ashtu sikurse nuk ka rezistencë krejtësisht të hapur pa kamuflime pseudo-asimiluese. Shpeshherë kamuflimet e këtilla, megjithëse në terma absolutë, janë jo dinjitoze e shpesh kanë shpëtuar shume grupacione nga zhdukja.

Të jemi konkret: shqiptarët pas okupimit sllav natyrisht se u desh të luajnë rolin e lojalitetit ndaj sllavëve. Por, ashtu sikurse për të gjithë popujt e tjerë, edhe shqiptarëve – megjithëse shumë ngadalë – iu erdhi momenti historik për të rezistuar, duke e rritur gradualisht shkallën e rezistencës. Por, proporcionalisht me rritjen e rezistencës, është më se e vërtetë se edhe suksesi i asimilimit nuk është zero. Dhe, kjo më së qarti vërehet te klasa e njerëzve të cilët – le të themi se kanë pozita të një udhëheqësi apo lideri politik. Sigurisht se dukuria e njëjtë u shfaq në raport me te gjithë pushtuesit, por kjo më së qarti aktualisht mund të vërehet te ish-udhëheqësit shqiptarë të cilët u asimiluan nga shtetet sllave.

Është e qartë se pushtimi sllav dhe posaçërisht në formën më të fundit si Jugosllavi, pos disa personave vërtet arritën të krijojnë një shtrese politikanësh, pse jo edhe disa stratume sociale filo-jugosllave. Duke qene se jemi një shoqëri me paradokse të këtilla vetëqeverisëse, forma më e lehtë për të mundësuar afinitetin e tyre vetëasimilues është glorifikimi i sistemeve të mëparshme dhe devalvimi i çfarëdo forme të shoqërisë dhe shtetit aktual të Kosovës. I tillë pos tjerash është edhe ish politikani Azem Vllasi, i cili paska pritur që duhet shkuar para tij që të kërkohet Republika. Deklarimi skandaloz i tij i para disa ditëve e konfirmon vazhdimin e vetëmashtrimit të tij se shqiptarët e paskan dashur Jugosllavinë e Titos. Po çka nëse ajo ishte superiore ekonomikisht në raport me vendin amë. Assesi, kjo kurrë nuk ka qenë kështu.

Shqiptarët as nuk e kanë dashur Jugosllavinë e as nuk e kanë dashur Vllasin si lider të tyre. E vërteta është se shqiptarët e kanë përdorur atë vetëm si instrument në një moment të caktuar dhe ky moment është një sjellje politike e duhur e tyre. Vllasi mund të vazhdoj ëndrrën për Jugosllavinë, por vetëm si nostalgji personale, apo eventualisht ëndërr të një grupi pranë tij apo si ai – brenda atyre që mund t’i quajmë jugonostalgjikë. Ka ardhur koha që edhe këta të dekamuflojnë veten e tyre. Unë them le ta bëjnë hapur bile.