LAJMI I FUNDIT:

JO NEGOCIATA – VETËVENDOSJE!

Titullin mbase e keni të njohur sepse në të gjitha qytetet e Kosovës është shkruar, dhe ishte parulla e parë e VETËVENDOSJE!-s për të cilën shumë aktivistë përgjatë këtyre 5 viteve të veprimtarisë, janë rrahur e arrestuar nga pushteti. Edhe sot e kësaj dite kjo parullë ka të njëjtën rëndësi. Më 8 mars në Bruksel filluan negociatat që ishin paralajmëruar që moti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Si gjithnjë qeveritarët e Kosovës marrin vendime të tilla pa e pyetur popullin në rend të parë, dhe duke e anashkaluar organin më të lartë vendimmarrës – Kuvendin e Kosovës. Meqë Kosova është Republikë parlamentare, gjithsesi duhet që Kuvendi dhe deputetët që janë aty të vendosin dhe ta thonë fjalën e tyre për gjithçka, e sidomos kur bëhet fjalë për negociata me Serbinë. Kuvendi i Kosovës dhe opozita parlamentare ka të drejtë që të kërkojë transparencë dhe llogaridhënie në atë se çka po bën Qeveria. Pra, Kuvendi duhet ta ketë kontrollin e plotë mbi Qeverinë, e jo Qeveria mbi Kuvendin. Nuk duhet lejuar që vendimet për Kosovën të merren nga vetëm 3-4 persona. Vendimet duhet të jenë rrjedhojë dhe të bazuara gjithsesi në vullnetin e popullit. Kosova nuk është e politikanëve, por e gjithë qytetarëve të saj. Prandaj, kjo nënkupton se vetëm populli mund të vendos për fatin e vet.

Kjo që po ndodh me vendin tonë është e papranueshme dhe tepër e dëmshme për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Negociatat që filluan tashmë do të jenë në dëm të Kosovës e në të mirë të Serbisë. Është tepër irracionale kur dëgjojmë nga Hashim Thaçi dhe politikanët e kalibrit të tij se negociatat me Serbinë do të ndihmojnë në “harmonizimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore me Serbinë”. Kjo aspak nuk do koment. Deklarata të tilla se neve u dashka të “miqësohemi” me Serbinë, me shtetin i cili na vrau, na dogji, na dhunoi e na dëboi, dhe për më keq, vazhdon të na vrasë edhe sot, kur jemi shtet të paktën në letër dhe themi se kemi sovranitet, nuk dëgjohen diku tjetër veçse nga politikanët e Kosovës, të cilët realitetin e hidhur mundohen ta paraqesin si nevojë të kohës. Pra, Serbia pas krejt këtyre krimeve të bëra mbi shqiptarët, ende nuk ka bërë hapin e parë që do të duhej ta bënte, kërkimfaljen publike si shtet, edhe pse kjo nuk do të mjaftonte që ne të ulemi me ta në një tavolinë në asnjë mënyrë. Kjo i bie që Serbia vazhdon të luajë politikën e njëjtë në raport me Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Rasti i fundit ishte ai i vrasjes së 13 vjeçarit Leutrim Musliu nga fshati Uglar i komunës së Gjilanit.

Vrasja ndodhi pikërisht më 5 mars, në kohën që shqiptarët kudo po përkujtonin me krenari rënien e Komandantit legjendar Adem Jashari bashkë më 55 anëtarët e familjes dhe të afërmit e tjerë të tij. Pra, serbët kryen një akt kriminal ndaj një fëmije shqiptar në ditën kur po shënonim 13 vjetorin e Epopesë së lavdishme të UÇK-së. Pylli ku Leutrimit iu ndal jeta nga kriminelët e strukturave të shtetit serb, ndodhet midis fshatrave Uglar dhe Pasjan të komunës së Gjilanit. Në fakt, kjo u mundësua nga ata që pranuan decentralizimin mbi baza etnike që kishte dalë nga pakoja e Marti Ahtisaarit. Fshati Pasjan, meqë është i banuar me serbë, më nuk i përket komunës së Gjilanit. Pra, fshati Pasjan tash bën pjesë në komunën e re të Parteshit, po ashtu i banuar me popullsi serbe.


E, decentralizimin dihet se kush e ka pranuar. Janë po këta politikanë të cilët edhe sot negociojnë me Serbinë, dhe bashkë më ta edhe një pjesë e opozitës së sotme, që atëbotë ishin bashkë në pushtet. Politikanët tanë nuk po e mbrojnë interesin e vendit, por ata përmes kësaj po mundohen ta mbrojnë veten e tyre, duke ditur se janë njerëzit më të korruptuar në rajon dhe më gjerë. Prandaj, meqë janë të tillë, dhe dosjet e tyre i ka Bashkimi Evropian, këta nuk do të hezitojnë të shkojnë në negociata me Serbinë dhe të bëjnë koncesione të reja vetëm e vetëm që të mund ta mbrojnë veten e tyre. Këto institucione dhe këta politikanë janë të prirë të lëshojnë pe dhe të bëjnë kompromise të dëmshme. Janë po këta që në negociatat e Vjenës patën pranuar decentralizimin, anipse ky projekt ishte propozuar nga Beogradi më qëllimin e vetëm për krijimin e një entiteti autonom serb brenda territorit të Kosovës.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, duke qenë e bindur se këto bisedime nuk janë në të mirë të vendit por e kundërta e tyre, dhe e vetëdijshme për pasojat që na sjellin negociatat me Serbinë, më të drejtë i kundërshton ato. Qeveria e Kosovës po thotë se janë bisedime teknike, e në anën tjetër Hashim Thaçi deklaron në çdo intervistë të tij se këto negociata kanë të bëjnë me integrimet evropiane. është e vërtetë kjo, ama nuk po tregon se nga këto bisedime është shumë i mundur integrimi i Serbisë në BE, por jo edhe i Kosovës. Rezoluta e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe Serbisë e miratuar kohë më parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kishte si qëllim riaktualizimin ose fuqizimin e 6 Pikëshit të Ban Ki-moonit në Kosovë, për të qenë një nga temat kryesore në negociatat e reja. Nëse vazhdohet kështu siç ka nisur kjo Qeveri të udhëheq me popullin pa e pyetur atë, ne me hapa të shpejtë do të shkojmë drejt ndarjeve të reja përbrenda Kosovës, duke rënduar edhe më shumë situatën politike, duke shkelë në sovranitetin e vendit edhe pse jo të plotë dhe, duke legjitimuar situatën aktuale politike sidomos atë në veri të vendit. Dhe, kjo situatë pa dyshim që i shkon për shtati Serbisë, e cila përmes ndarjes së brendshme të Kosovës dëshiron ta ketë kontrollin mbi tërë vendin.

Negociatat u pranuan ashtu si u pranuan, vetëm nga Qeveria dhe pushteti në përgjithësi pa u biseduar fare për to. Diskutimi në seancën e së hënës së kaluar dhe ai i të enjtes në Kuvendin e Kosovës, ishte vetëm sa për sy e faqe nga ana e Qeverisë, meqë këta të fundit kishin nisur bisedimet kohë më parë, madje edhe duke emëruar kryenegociator. Pra, Edita Tahiri u emërua si kryenegociatore pa ndonjë vendim zyrtar institucional për negociata me Serbinë, dhe pa ndonjë debat publik e parlamentar. Kjo tregon më së miri se Qeveria e Kosovës në krye me Hashim Thaçin dhe të tjerët si ai, marrin vendime pa e pyetur popullin dhe duke anashkaluar Kuvendin e Kosovës. Për çështje si kjo e bisedimeve me Serbinë, jo vetëm që duhet të vendos Kuvendi, por nëse do të ishte mbarë e mirë siç thotë populli, do të duhej edhe të organizohet një referendum gjithëpopullor, dhe përmes kësaj të merret mendimi nga vetë sovrani, nga populli. Kjo nuk do t’i konventonte këtyre institucioneve të negociatave, sepse jam thellësisht i bindur që rezultati do të ishte bindshëm kundër çdo lloj negociatash me Serbinë.

Prandaj na është ndaluar edhe me Kushtetutë mbajtja e referendumit për çështje të ndryshme, pikërisht duke e ditur se shumë projekte të dëmshme për vendin nuk do t’i votonte populli, duke mos u pajtuar në asnjë mënyrë. Në mungesë të referendumit populli duhet të reagojë në mënyra të ndryshme. Është rruga ajo që nuk mundet të na e ndalojë askush. Demonstratat janë të pashmangshme sepse bisedimet janë të dëmshme. Populli në njërën anë, e Lëvizja VETËVENDOSJE! në anën tjetër, bashkë me deputetët e saj që janë në Kuvendin e Kosovës, do të ishte kombinimi më i mirë që të vihemi në mbrojtje të vendit tonë. E ardhmja më e mirë për brezat që vijnë, mund të sigurohet duke mos harruar të kaluarën dhe duke punuar për të tashmen. Prandaj, JO NEGOCIATA-VETËVENDOSJE!

Në trend

Më shumë

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori