LAJMI I FUNDIT:

Janar 2020

Pas rinumërimit të votave, dhe atë me kërkesë të komisionerëve ndërkombëtarë, pritet që rezultatet të shtyhen paksa, në mënyrë që “të mos dilet me rezulate të pasakta dhe të evitohet çdo lloj kontestimi eventual”, që siç u shpreh kryetarja e komisionit të përbashkët ndërshtetëror të referendumit, “më shumë mund të vie nga bashkësia ndërkombëtare”. Përmendja e fjalës “kontestim”, njërit nga anëtarët e komisionit i kujtoi diçka aspak të këndshmë. Si me shaka, ai iu drejtua përfaqësuesit të BE-së në komision, se kjo i kujtonte pikërisht zgjedhjet e para dhjetë vjetëve, ato të vitit 2010, të parat në Kosovën e pavarur, kur i rinumëronin votat me kërkesë të KQZ-së së atëhershme. Atëherë ai kishte qenë anëtar i komisionit:

“Për shqiptarët, kudo që ishim, si në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, askush s’pranonte rezultate, e të gjithë vidhnin sa mundnin. Bile, arsyetimi i një qytetari që kishte votuar në emër të gjyshit të vdekur, kishte nxitur shumë debate në mes analistësh politik. Meqenëse shumë njerëz nuk kishin pasur mundësi kurrë për së gjalli të votonin për udhëheqësit e shtetit të tyre, e për të cilin kishin sakrifikuar aq shumë, kishte nga analistët që kërkonin që kjo tu bëhet e mundur bile njëherë, qoftë edhe për së vdekuri. Edhe qytetari në fjalë kështu e kishte arsyetuar, se ky kishte qenë vullneti dhe amaneti i gjyshit të tij, ç’të keqe kishte të realizohej amaneti i gjyshit?. Më duket se ishte dekada e kontestimeve të mëdha kombëtare për shqiptarët. Dukej sikur një mallkim, ndër ato që kanë lidhje me humbjen e besimit, kishte rënë mbi ne. Lufta për pushtet, për aq sa ekzistonte ai në një shtet në ndërtim si Kosova dhe në një shtet në rehabilitim si Shqipëria, pa zgjedhur mjete, e bënte vjedhjen e votës aktin më normal përballë përpjekjeve tjera për të ardhur në pushtet. Madje filluam të kontestojmë gjithçka tonën, duke filluar nga ajo që, ndonëse jo më e pasura, gjithsesi më e pastra që kemi, historia jonë, si atë të re, por duke mos e lënë rehat madje as të vjetrën.


Historia e partive, nga politikanët përkatës, tentohej të njëjtësohej me historinë e kombit. Bile, kishte nga ata politikanë që edhe historinë personale tentonin ta njëjtësonin me historinë e kombit. Sikur donin ta krijonin përshtypjen se, po të shuhej ai, do të shuhej kombi. Auto-kontestimi rridhte direkt nga mosbesimi i ndërsjellë. Mosbesimi i ndërsjellë rridhte nga një konceptim inferior për gjendjen e kombit tonë në tërësi, si kombi evropian më i prapambeturi politikisht dhe ekonomikisht, por duke injoruar shanset historike që kishim para vetes. E gjithë kjo ngulfatje e mosbesimit mëpastaj shpërthente në forma nga më të shëmtuarat në dëmin tonë, në kohën kur ende kishim shumë llogari të hapura me fqinjët. Të gjithëve na dukej vetja dhe partia që i përkisnim si shpëtimtari i vetëm dhe tjetri apo partia tjetër një hiq, një leckë që duhej hedhur. E krejt në fund, sidomos në raste koalicionesh politike në mes partish, krejt këto arsyetoheshin kinse në demokraci të ishin normale. Por falë vullnetit të fortë që ka populli ynë, i tejkaluam të gjitha këto. Tani le të rinumërohen pa kufi herë se rezultatin e dimë të gjithë, ashtu siç e dimë që edhe kontestime nuk do të ketë.”

Sipas ekspertëve, bile edhe atyre ndërkombëtar, pritet që referendumi të jetë bindshëm në favor të bashkimit. Kjo dëshmohet me të gjitha sondazhet e bëra si në Republikën e Shqipërisë edhe në atë të Kosovës. Bile, sa për qeveritë respektive, kjo do të ndodhte menjëherë, por ishte komisioni i krijuar nga BE-ja enkas për këtë proces ai që kërkoi që një gjë e tillë duhet ta ketë edhe legjitimitetin e drejtpërdrejtë popullor, pasi qeveritë e zgjedhura nuk kishin mandat të vendosnin për çështje mbishtetërore, respektivisht të delegimit të sovranitetit shtetëror një qeverie të përbashkët.

Kushtetuta e shtetit të përbashkët tashmë është bërë publike. Emri kushtetues i shtetit të ri do të jetë Republika e Bashkuar Shqiptare, e përbërë nga dy republika, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës. Një mendim tjetër ishte që republikat të shkriheshin në një të vetme, por disponimi politik ishte i tillë që të paktën të mos humbet, nga këndvështrimi gjeografik, siç po quhet, subjektiviteti republikan, i cili në Shqipëri kishte moshë mbi njëqind vjeçare, e për të cilin në Kosovë ishin bërë aq sakrifica që të krijohej. Nga hulumtimi i opinionit në të dy vendet, rezultonte se përvojat qeverisëse në nivele republikash, të krijuara në të dyja shtetet nuk do të ishte praktike të ç’bëheshin.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, i rritur tashmë me dy anëtarë të rinj të përhershëm, Gjermaninë dhe Indinë, meqenëse të drejtën e vetos nga një anëtar i vetëm e ka ndryshuar në minimum dy anëtarë, arriti të nxjerrë një rezolutë, me kundërshtim vetëm të Rusisë dhe abstenimin e Kinës, me të cilën ngarkohet BE-ja që ta lejojë apo ndalojë mbajtjen e referendumit të dy republikave shqiptare. BE-ja nga ana e saj, me gjithë rezistimin e Serbisë dhe Greqisë, ka ardhur në përfundim se, meqenëse i gjithë rajoni i Ballkanit ndodhet nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, bashkimi është politikisht paqësor dhe nuk i cenon interesat e fqinjëve dhe të rajonit. BE-ja bashkimin e konsideron në pajtim me frymën evropiane, se do t’i ndihmoj zhvillimit të mëtutjeshëm ekonomik të dy republikave si dy më të prapambeturat në Evropë, dhe se të dyja së bashku do të kontribuojnë për BE-në më shumë se secila veç e veç. Për më tepër, projektit më të fundit të BE-së për optamalizim të shpenzimeve administrative të unionit, bashkimi do t’i shërbejë duke pasur një përfaqësim të vetëm për të dyja shtetet.

“Tash e tutje s’do të jemi vetëm telashe për Evropën, por edhe do t’i ndihmojmë asaj”, i tha anëtari i komisionit ndërshtetëror komisionerit të BE-së, për të marrë një përgjigje me buzagaz prej tij se,“vetëm tani, ne pjesa e Evropës plakë, siç na thoshit ju dikur, kemi filluar ta kuptojmë këtë”.