LAJMI I FUNDIT:

A iu kundërvu Kosova mjaftueshëm mohimit të krimeve?

A iu kundërvu Kosova mjaftueshëm mohimit të krimeve?

Institucionet relevante në Kosovë, politike dhe shkencore, vlerësohet se nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për të mbledhur fakte dhe prova, që do t’i dokumentonin krimet e forcave të Serbisë gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998 dhe 1999.

Mosangazhimi i institucioneve për t’i mbledhur këto dëshmi e lë pa mbështetje narracionin e Kosovës, me të cilin do ta kundërshtonte propagandën e autoriteteve të Serbisë, thonë njohës të së drejtës ndërkombëtare, përfaqësues të botës akademike, por edhe të shoqërisë civile.

Shteti serb vazhdimisht i mohon krimet që kanë bërë forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, përfshirë edhe masakrën në Reçak.


Më 15 janar të vitit 1999, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë në Reçak të Komunës së Shtimes.

Shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, e cilësoi ngjarjen si krim kundër njerëzimit.

Autoritetet e larta në Serbi, përfshirë edhe presidentin Aleksandar Vuçiq, e cilësojnë si “trillim” dhe si “gënjeshtër të madhe” këtë masakër.

Qëndrimin e tillë e përsëriti më 10 dhjetor edhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin.

Hoti: Punë e pakët e institucioneve përballë dëshmive të mjaftueshme

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, thotë për Radion Evropa e Lirë se kushtet për mbledhjen e fakteve dhe dëshmive në terren nga vetë viktimat, që kanë parë dhe përjetuar krimet e forcave serbe, kanë ekzistuar që nga përfundimi i luftës.

Për më shumë, sipas tij, faktet dhe dëshmitë për vërtetësinë e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, kanë mundur të mblidhen edhe nga proceset gjyqësore ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit serb në Tribunalin e Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi.

Hoti thotë se është e paimagjinueshme se sa pak kanë bërë institucionet e Kosovës për mbledhjen e këtyre fakteve dhe dëshmive, përmes të cilave, shton ai, do t’i kundërviheshin diskursit të autoriteteve serbe.

“Puna e pakët e institucioneve tona normalisht që duhet të përshkruhet me terma negativë, sepse deri më tani kanë ekzistuar rrethana, që në mënyrë shumë të dukshme dhe të fuqishme do të mund ta dëshmonin të kundërtën. Unë vërtet jam i shqetësuar, sepse krimet e luftës, në veçanti Reçaku, Krusha [v.j. më 25 mars, 1999, forcat serbe vranë rreth 240 civilë shqiptarë në Krushë] dhe vende të ndryshme gjithandej Kosovës kanë qenë dëshmi e mjaftueshme për ta prezantuar para autoriteteve serbe dhe para secilit autoritet tjetër ekzistencën e një krimi në Kosovë. Ekzistojnë elemente të qarta të gjenocidit, pa njohjen e të cilave Serbia nuk do të duhej dhe nuk do të mund të ecte përpara”, thotë Hoti.

Buxhovi: Asnjë vepër me dëshmi
Për hulumtimin e fakteve shkencore që ndriçojnë rastet e shumta të krimeve të luftës në Kosovë, të cilat tash e sa kohë mohohen nga zyrtarë të lartë shtetërorë të Serbisë, nuk ka pasur ndonjë angazhim as nga institucionet hulumtuese, as nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, thotë anëtari i kësaj akademie, historiani Jusuf Buxhovi.

Sipas tij, fajin për këtë situatë duhet kërkuar te politika, institucionet shkencore dhe akademike.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Buxhovi thotë se, menjëherë pas luftës, spektri politik në Kosovë “ka qenë i papërgjegjshëm” dhe nuk ka menduar ta paraqesë viktimizimin e shqiptarëve nga, siç e quan ai, agresori serb.

Ai thotë se ekziston “një lloj pajtimi në mes të politikës dhe institucioneve shkencore dhe hulumtuese në Kosovë, që kjo çështje të mos preket”.

“Bile, ekziston dyshimi i hapur se politika ua ka imponuar këtë diskurs institucioneve tona shkencore, në mënyrë që të ruhet ai ‘heroizmi’, e them me thonjëza, se ‘lufta ka qenë heroike, ka qenë e fuqishme’ dhe se ‘ajo nuk duhet ta ketë anën tjetër, pra, atë të fatalizmit, të disfatës, të viktimizimit’. Kjo është arsyeja që ne sot e gjithë ditën, në shkencë, nuk kemi asnjë vepër, e cila së paku në nivel ndërkombëtar, po qe se do të përkthehej, do t’i tregonte përmasat e këtij gjenocidi”, thotë Buxhovi.

Ai shton se ka përpjekje të disa hulumtuesve individualë për t’i dokumentuar krimet e forcave serbe në Kosovë, por, sipas tij, ato nuk mjaftojnë që të tregohet i gjithë dimensioni i këtyre krimeve.

Buxhovi thotë se institucionet e kanë pasur dhe e kanë për detyrë të veprojnë.

Në këtë pikë, “shteti ynë ka dështuar”, thotë Buxhovi, ndërsa Serbia, shton ai, “ka nisur një kundërsulm dhe viktimat e saj të deridjeshme po i ngarkon dyfish, duke i nxjerrë tash si agresore”.

“Të gjitha këto mohohen [nga Serbia], sepse vetë politika jonë dhe vetë sjellja jonë, e institucioneve shkencore dhe akademike, ua kanë lejuar një mundësi të tillë [zyrtarëve të Serbisë] që ata, pas 20 e më shumë vjetësh, ta ndryshojnë pamjen e tyre të vërtetë, nga agresori në viktimë”, thotë Buxhovi.

Blakaj: Arkivi i Tribunalit të Hagës, burim dokumentesh
Organizata joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, përmes projektit “Libër kujtimi, Kosovë”, është duke dokumentuar jetët e njerëzve të vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Bekim Blakaj, drejtor i këtij fondi, thotë për Radion Evropa e Lirë se burime primare të informacionit kanë qenë të mbijetuarit e krimeve dhe masakrave, dëshmitarët okularë dhe familjarët e viktimave, si dhe dokumentet nga arkivi i Tribunalit të Hagës për Krime në ish-Jugosllavi.

Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk kanë bërë mjaft përpjekje për t’i dokumentuar krimet e luftës në Kosovë dhe tash, 22 vjet pas luftës, e kanë edhe më të vështirë një gjë të tillë.

Shumë prej të mbijetuarve nga “krimet masive”, nuk jetojnë më, ndërsa kujtesa e atyre që janë gjallë, dalëngadalë është duke u zbehur, thotë Blakaj, por shton se institucionet e Kosovës mund t’iu qasen arkivave të ndryshëm.

“Ekzistojnë arkiva të ndryshëm që përmbajnë dokumente mbi këto krime. Një ndër ta është edhe arkivi e Tribunalit penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë [në Hagë], i cili përmban një numër jashtëzakonisht të madh të dokumenteve. Po të analizohen në mënyrë sistematike, aty gjenden prova edhe për krimet, të cilat nuk kanë qenë në pikat e aktakuzës, qoftë të [Sllobodan] Millosheviqit, [Vllastimir] Gjorgjeviqit apo ndaj [Nikolla] Shainoviqit dhe të tjerëve”, thotë Blakaj.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Qeverinë së Kosovës se sa është duke bërë përpjekje për grumbullimin e dokumenteve që mund të përdoren për kundërshtimin e propagandës së zyrtarëve të Serbisë dhe cila është gjendja e trashëguar nga qeveritë paraprake, lidhur me grumbullimin e këtyre dokumenteve, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, si dhe hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi për 12 vjet me radhë, ka shprehur habinë e saj me udhëheqësit politikë dhe shtetërorë të Kosovës, por edhe me akademikët dhe gazetarët, të cilët, sipas saj, nuk janë përpjekur që t’i gjejnë citatet relevante nga Tribunali i Hagës dhe t’u thonë zyrtarëve serbë që i mohojnë krimet e luftës, se gënjejnë.

Kosova ka dalë nga lufta e viteve 1998/99 me mbi 10,000 veta të vrarë, mbi 800,000 të zhvendosur dhe mbi 5,000 të zhdukur.