LAJMI I FUNDIT:

Inteligjenca artificiale dhe pushteti gjyqësor

Inteligjenca artificiale dhe pushteti gjyqësor
Ilustrim

Zhvillimet spektakolare në fusha të ndryshme të shkencës, kanë ndryshuar e revolucionarizuar së tepërmi marrëdhëniet mes njerëzve si dhe mes tyre e botës që na rrethon. Në këtë kuadër, sot flitet gjerësisht edhe për Inteligjencën Artificiale (IA), si një fushë e veçantë ndërveprimi me teknologjinë moderne, e cila ka potencialin të rritet e zgjerohet “frikshëm”, duke vepruar e realizuar edhe detyra të rëndësishme e delikate jo vetëm në mënyrë të kontrolluar, por edhe në mënyrë të pavarur nga mendja e dora e njeriut.

E kjo ndodh pikërisht për faktin se lindja e zhvillimi i IA-së synon të imitojë sa më mirë inteligjencën njerëzore, duke krijuar e përsosur kështu vazhdimisht algoritme, që nuk janë gjë tjetër veçse formula apo zgjidhje që realizohen nga makineria … pasi më parë ti jenë “injektuar” të dhëna apo programe të caktuara. Pra, fillimisht kemi input informacioni, e më pas, në mënyrë të automatizuar, edhe output të tij. Pikërisht ky proces i dytë e bën të aftë makinerinë të marrë edhe “vendimet” apo veprimet përkatëse. Në këtë mënyrë, algoritmet bëhen kështu mjete praktike e efektive, duke na lehtësuar e plotësuar sa më mirë punën dhe jetën e përditshme.


Por, nuk duhet harruar nga ana tjetër se IA mbart me vete njëkohësisht edhe rrezikun potencial të ndërhyrjes së pakontrolluar në te drejtat dhe jetën e njeriut, gjë që shtron nevojën e kujdesit të veçantë që duhet treguar në zbatimin e zhvillimin e saj.

Për shkak të kësaj rëndësie të jashtëzakonshme, kërkimi shkencor në fushën e IA-së prej vitesh ka prioritet të dorës së parë në universitetet më të njohura, si dhe në qendrat kryesore hulumtuese në shumë vende të botës. Përparësi kishin e kanë fusha të tilla si: Industria automobilistike, veçanërisht prodhimi i makinave autonome, të kompjuterizuara dhe pa shofer; prodhimi i robotëve dhe makinerive e pajisjeve elektronike në degë e fusha të ndryshme të punës e jetës; zhvillimi e përsosja e vazhdueshme e aparateve të telefonisë celulare; shfrytëzimi i dronëve, kryesisht për qëllime civile; zhvillimi i aparateve e pajisjeve inteligjente në fushën e mjekësisë diagnostikuese, ndërhyrëse dhe kuruese etj.

Mes qendrave më të njohura të kërkimit dallohet veçanërisht Silicon Valley, që është parku apo qendra globale e teknologjisë së lartë dhe inovacionit, e shtrirë në disa qytete të vendosura në jug të San Franciskos, mes të cilëve mund të përmenden qyteti San Hoze si dhe universiteti shumë i njohur amerikan Stanford. Në këtë hapësirë ushtrojnë intensivisht aktivitetin e tyre shkencor edhe kompanitë e mirënjohura amerikane si Facebook, Google, Tesla, Apple, Microsoft, Amazon e të tjerë. Një park i tillë në miniature (krahasuar me Silicon Valley) po ndërtohet aktualisht edhe në Gjermani, konkretisht në qytetin universitar Tubingen, qe ndodhet në Landin e Baden-Vurtenbergut. Ky park teknologjik me emrin Cyber Valley, parashikohet të jetë gati për shfrytëzim në fund të vitit që vjen (2024), pasi të jenë instaluar edhe laboratorët dhe pajisjet e tjera moderne nga kompanitë e shumta gjermane e evropiane që do të vendosen aty. Synimi është që në këtë hapësirë të zhvillohet me përparësi Inteligjenca Artificiale Made in Europe, proces qe do të përfshijë mjaft nga kompanitë dhe universitetet më të njohura të kontinentit tonë.

Po, në drejtësi, e veçanërisht në gjykata, sa dhe si mund të shfrytëzohet Inteligjenca Artificiale?

Në pamje të parë duket sikur në fushën e drejtësisë nuk ka shumë hapësirë për përdorimin e saj. Sigurisht që për zbulimin dhe hetimin e veprave penale, mekanizmat e policisë, hetuesisë apo prokurorisë, kanë sot mundësinë e përdorimit të mjeteve e metodave të shumta inteligjente e të sofistikuara në punën e tyre. Sidoqoftë, kjo duhet bërë në përputhje me ligjin kombëtar dhe aktet ndërkombëtare, sepse jo çdo gjë që është e mundur teknikisht, është automatikisht e lejueshme në praktikë. Ndryshe do ta pësonte keq si individi, ashtu edhe familja e shoqëria.

Po, në gjykata, a mund të shkohet deri aty sa që mantelin e gjyqtarit ta veshë edhe një robot?

Kjo temë në fakt është sot shumë e rëndësishme e mjaft ngacmuese. Ka që thonë se përderisa thelbin e pushtetit gjyqësor e përbën pavarësia dhe paanësia e gjyqtarit, pse jo në këtë rol të mos vendosen edhe robotët, të cilët, si të tillë, janë në gjendje të garantojnë realisht këto cilësi esenciale për dhënien e drejtësisë, pasi i trajtojnë palët në mënyrë të ndershme e krejtësisht të barabartë. Vihet në dukje gjithashtu se robotët janë të ftohët e pa asnjë lloj ngarkese ndaj palëve në procesin civil, penal apo administrativ. Në të kundërtën, njerëzit në detyrën e gjyqtarit, sado të arsimuar, të përgatitur e me integritet të jenë, mund të bëjnë gabime e mund të ndikohen nga ngarkesa e punës apo streset e ditës.

Këtu duhen shtuar edhe paragjykimet, emocionet, simpatitë apo antipatitë personale, ndërhyrjet, preferencat, e të tjerë. Ato shtojnë gjithashtu se ndërsa Monteskje kritikon në punimin e tij De l”Esprit des lois (Në frymën e ligjeve) sulltanin që mban në dorë të tre pushtetet, sot, veçanërisht në regjimet diktatoriale apo edhe autoritare, ka kryetarë shtetesh e qeverish që pavarësisht deklarimit formal, me mjete e metoda të ndryshme tentojnë gjithnjë të shtinë në dorë të tre pushtetet, përfshirë këtu edhe pushtetin gjyqësor. Prandaj, kjo formë e gjykimit, me procedurë gjyqësore online ose me robot, është tentuar të zbatohet për çështje shumë të vogla apo të parëndësishme, në Kinë, Estoni e ShBA.

Megjithatë, aktualisht vazhdon të mbizotërojë dukshëm mendimi se gjykimi i çështjeve, veçanërisht i çështjeve penale, nuk mund dhe nuk duhet të bëhet në asnjë mënyrë nga robotët. Sipas këtij koncepti, vendimi gjyqësor duhet të jetë ekskluzivisht rezultat i veprimtarisë humane, pasi vetëm njeriu në detyrën e gjyqtarit është në gjendje të shqyrtojë, dialogojë, analizojë e vlerësojë në tërësi të gjitha aspektet faktike e ligjore të çështjes, e mbi këtë bazë të marrë vendimin konkret … veçanërisht për procesin penal ekziston mendimi se “Gjyqtari ka shume nevojë për besueshmërinë e dëshmitarëve, gjë që normalisht mund të sigurohet e realizohet vetëm në sallën e gjykimit”!

Megjithatë, përveç sa më sipër, padyshim që ka shumë fusha e mundësi të tjera për të shfrytëzuar Inteligjencën Artificiale edhe nga ana e pushtetit gjyqësor. Disa prej tyre po zbatohen ndërkaq në shumë vende të botës. Është fakt i pamohueshëm se sot IA-ja po të zbatohet siç duhet, ia lehtëson dukshëm punën gjyqtarit dhe e bën më të plotë e më efektive angazhimin e tij në gjykatë.

Përgjithësisht vlerësohet se hapi i parë që duhet të bëhet në këtë drejtim është zbatimi i projektit e-Akte, përmes të cilit eliminohen gradualisht që në shkallën e parë të gjitha dosjet fizike gjyqësore, duke krijuar në vend të tyre për çdo çështje dosjen përkatëse elektronike. Fillohet me dosjet civile e administrative, për të përfunduar brenda një afati të caktuar edhe me dosjet penale. Përfundimi i kësaj faze krijon mundësinë për të vazhduar më tej me programe të veçanta në çdo fushë gjykimi, apo për grup-çështjesh të caktuara, që në një periudhë të dhënë paraqiten si problem specifik në një gjykatë konkrete.

Kështu për shembull, në Gjykatën e Shkallës së Parë te qytetit Heshingen të landit Baden-Vurtmeberg në Gjermani, po zbatohet një projekt pilot i veçante përmes ndihmës së Inteligjencës Artificiale. Është përgatitur një softuer i ri me emrin Codefy që mbështet gjyqtarët në gjykimin civil. Përmes këtij programi strukturoren vetiu në mënyrë të përmbledhur e përballë njëri-tjetrit në një tabelë elektronike, argumentet e kundër-argumentet e palëve, të paraqitura si rregull nga avokatët respektive. Përveç kësaj, programi konsulton e sistemon të gjitha aktet e dosjeve civile, në varësi të rëndësisë së tyre për çështjen konkrete. Po mbi këtë bazë, vetëm me një klik, gjyqtari mund ta gjejë menjëherë çdo dokument që dëshiron, pavarësisht volumit të dosjes elektronike. Në këtë mënyrë, vetëm përmes këtij programi, vlerësohet se për çdo dosje civile, gjyqtari kursen nga 60-75 për qind të kohës së mëparshme të punës.

Po kështu, në gjykata të ndryshme janë përgatitur softuer të veçante, në varësi të një grupi të caktuar çështjesh që përbëjnë problem në një periudhë kohore të dhënë. Kështu, Gjykata e Shkalles së Pare në Frankfurt, ku është aeroporti më i madh i Gjermanisë, po zbaton prej vitesh një program që seleksionon e ballafaqon pretendimet e palëve për mijëra e mijëra kërkesa që kanë për objekt kompensimin për shkak të vonesave apo anulimit të faturimeve. Program të ngjashëm ka zbatuar edhe Gjykata e Shkallës së Parë të Shtutgartit, ku ka qendrën kompania Mercedes-Benz, për shkak të kërkesave të shumta me objekt kompensimin dhe korrigjimin e defekteve lidhur me përshtatjen e makinës (rreth tetë mijë çështje) etj. Programe të ngjashme janë zbatuar edhe në disa nga Gjykatat e Larta të landeve gjermane, pasi është përfunduar edhe aty më parë projekti e-Akte. Kështu për shembull, Gjykata e Lartë e Shtutgartit (Oberlandesgericht) po zbaton një sistem të quajtur IBM-Asistence, përmes të cilit sistemohen e përpunohen të dhënat e të gjitha dosjeve elektronike gjyqësore. Më pas bëhet edhe klasifikimi i tyre, bazuar në objektin e padisë. Ndërkaq, disa nga Ministritë e Drejtësisë së landeve gjermane kanë përgatitur një platformë të veçante me emrin IBM-Suchplatform (Platforma e kërkimit), përmes së cilës gjykatat orientohen shpejt për kuadrin ligjor që i duhet të konsultojnë e zbatojnë për zgjidhjen e konfliktit konkret. Aty pasqyrohen gjithashtu në vijimësi e kohë reale edhe ndryshimet ligjore relevante të miratuara nga parlamenti i landit respektiv.

Siç shihet, në gjykatat gjermane tendenca është e qartë. Synohet që hap pas hapi, softueri të marrë gjithnjë e më shumë detyra nga gjykata apo gjyqtari i çështjes konkrete. Për më tepër, objektivi aktual është të zhvillohet sa më shpejt edhe një portal i vetëm në nivel federal, me titull Drejtësia në Inteligjencën Artificiale, në mënyrë që të zbatohen e nxitën në vijimësi risitë më të fundit në këtë fushë. Kjo do të thotë që të gjitha sistemet e IT-së në gjykatat e të gjitha landeve si dhe ato në nivel federal duhet kenë qasje e të zbatojnë njëkohësisht këtë program, në mënyrë që të kenë mundësinë në të ardhmen për të zhvilluar së bashku kuadrin e plotë të Inteligjencës Artificiale në sistemin e drejtësisë në të gjithë vendin, me fokus kryesor pushtetin gjyqësor.

Interesi për përdorimin gjithnjë e më të gjerë të Inteligjencës Artificiale edhe nga pushteti gjyqësor konstatohet në fakt në shumë e shumë vende evropiane. Sidoqoftë, mes tyre dallohet rasti i Estonisë, e cila prej vitesh është realisht pararojë në shfrytëzimin sa më efektiv thuajse në të gjitha fushat e jetës të arritjeve më të fundit të zhvillimit digjital. Në këtë kuadër, politika e drejtësia e këtij vendi janë përpjekur të përdorin sa më shumë Inteligjencën Artificiale edhe në sallat e gjykimit, duke kërkuar e gjetur mjaft mundësi për optimizmin e automatizimin sa më shumë të procedurave gjyqësore. Ky proces quhet shpesh Legal Tech dhe është zbatuar me mjaft kujdes edhe në disa nga shtetet e ShBA-së, si në Kaliforni, Florida e Nju-Jork. Përsërisim se në këto raste, fokusi kryesor është zhvillimin i programeve kompjuterike autonome, në mbështetje të punës së përditshme të gjykatave, përfshi këtu edhe probleme në dukje më pak të rëndësishme, siç janë orientimi i saktë i kërkimit shkencor dhe jurisprudencës relevante, anonimizimi i vendimeve gjyqësore, e të tjerë.

Nga sa më sipër, pavarësisht hezitimeve të gjertanishme për përdorimin e mundshëm të robotëve në detyrën e gjyqtarit, është e qartë që shfrytëzimi i Inteligjencës Artificiale po zgjerohet gjithnjë e më shumë në gjykata, pasi përmes saj përmirësohet dukshëm rutina gjyqësore, shmangen sa më shumë gabimet, rritet cilësia e vendimeve, konsolidohet jurisprudenca gjyqësore e të tjerë. Padyshim që të gjitha këto rrisin transparencën, parashikueshmerinë në dhënien e drejtësisë si dhe besimin e qytetarëve ndaj pushtetit gjyqësor.