LAJMI I FUNDIT:

Inspektorati refuzon t‘i rrënojë objektet me rrezik, prona të serbëve

Inspektorati refuzon t‘i rrënojë objektet me rrezik, prona të serbëve

Inspektorati i Gjilanit nuk është duke ndjekur shembullin e Inspektoratit të Pejës, që ka obliguar pronarët e objekteve që paraqesin rrezik për qytetarët të bëjnë rrënimin e tyre dhe në rast refuzimi do të detyrohen që të intervenojnë, kurse shpenzimet do të heqin vetë pronarët, shkruan sot Koha Ditore.

Inspektorati i Gjilanit dhe Drejtoria e Mbrojtjes tashmë një kohë të gjatë po neglizhojnë problematikën, ndërsa nuk ka asnjë koordinim midis këtyre dikastereve.

Ata arsyetohen se nuk po arrijnë të marrin pëlqimin e pronarëve dhe se në rast intervenimi mund të përballen me procese gjyqësore. Mirëpo janë katër objekte me shkallë të rrezikut të lartë të cilat gjenden në brendësi të qytetit ku kalimtarët e rastit mund të pësojnë nga shembja e tyre.


Objekti në rrugën “Varoshi” është bërë shqetësim për qytetarët ku ata druajnë më së shumti se do të pësojnë fëmijët, të cilët çdo ditë kalojnë nëpër këtë pjesë.

Ndërsa Ahmet Daku, nga Drejtoria e Mbrojtjes, thotë se kanë identifikuar katër objekte me rrezikshmëri të lartë siç është një në lagjen “Dheut Bardhë”, një në rrugën “Varoshi” dhe dy objekte në lagjen “7 Korriku”. Ai ka deklaruar se nuk kanë guxuar të intervenonin pasi nuk kanë arritur të merrnin pëlqimin e pronarëve dhe se nuk duan që të jenë pjesë e shkeljeve ligjore. Ai nuk ka dhënë detaje për raportin e përpiluar për shkallën e rrezikut të objekteve dhe se a i është dorëzuar Inspektoratit të kësaj komune . /Koha/