LAJMI I FUNDIT:

Indonezi, gjatë regjistrimit të popullsisë zbuluan plakën 157 vjeçe

Indonezi, gjatë regjistrimit të popullsisë zbuluan plakën 157 vjeçe

Gjatë regjistrimit të popullsisë në Indonezi javën e kaluar, në një fshat të ishullit Sumatra është gjetur një grua e cila thotë se është 157 vjeçe, deklaroi të hënën një zyrtar i Entit të Statistikave.

Zyrtarët e regjistrimit thonë se ekzistojnë gjasat që Turinah të jetë lindur më 1835, siç thotë edhe vetë ajo, edhe pse qenia më e vjetër njerëzore në botë e cila jetoi më shumë se 120 vjet konsiderohet francezja Jeanne Calmnet e cila vdiq më 1997 në moshën 122 vjeçare.

“Nuk ka dokumente autentike për ta vërtetuar moshën e saj, por bazuar në deklaratat e saj dhe duke marrë parasysh se vajza e saj e adoptuar është 108 vjeçare, është vështirë të dyshosh në vërtetësinë e fjalëve të saj”, tha Jhonny Sardjono, zyrtar i shërbimit të regjistrimit për agjencinë e lajmeve AFP.

Përkundër viteve, Turinah ka kujtesë të shkëlqyer, sheh mirë dhe nuk ka problem me të dëgjuarit. “Flet holandisht gati rrjedhshëm”, tha ky zyrtar.


Indonezia ka qenë koloni e Holandës për disa shekuj para luftës e cila zgjati prej vitit 1939 deri më 1945 kur Indonezia shpalli edhe pavarësinë.

Sardjono tha se Turinah kishte djegur dokumentet e saj më 1965 për të mos e akuzuar për bashkëpunim me komunistët, shumica e të cilëve u pushkatuan pasi që ishin akuzuar për grushtet.

Edhe një grua tjetër nga Indonezia i tha zyrtarëve të regjistrimit të popullsisë se është 145 vjeçare. /Telegrafi/