LAJMI I FUNDIT:

Imami Hero

Fatkeqësitë natyrore ndodhin kudo, ne çdo vend të botës, qoftë në verë apo në dimër, në vjeshtë apo në pranverë, duke atakuar kështu njerëzit të cilët ndodhen në ato vende. Por me rëndësi është se si duhet të reagohet në këto situata, çfarë duhet të bëjmë dhe si t’i shpëtojmë banorët që janë në nevojë. Dihet që këtë gjë në radhë të parë për detyrë e kanë organet e caktuar të çdo qeverie që goditet nga një fatkeqësi, në radhë të dytë njerëzit të cilët e shohin veten të aftë për këto situata. Pra rëndësia qëndron në faktin se si do të organizohet apo të mobilizohen këto struktura shoqërore. Në ato momente nevojitet një zhdërvjelltësi e mprehtë, një reagim i menjëhershëm, duke analizuar çdo mundësi veprimi për shpëtimin e banorëve që përfshihen në një fatkeqësi të mundshme. Të gjitha këto të marra së bashku nuk mund të arrihen apo e thënë ndryshe gjasat janë shumë të vogla, ngase nevojitet një përvojë, dhe përvoja është ajo e cila nuk të huton dhe të bënë të qetë dhe të arsyeshëm në marrjen e vendimeve kundra çdo situate, në këtë rast konkret fatkeqësia natyrore.

Pra, për këto situata duhen njerëz të stërvitur e të kalitur mirë, apo siç është dhe shprehja popullore “të rrahur me vaj e uthull”, e cila tregon kur një person ka përvojë të madhe që e ka marrë gjatë jetës së tij, jeta e ka mësuar të përballet me çdo gjë duke e bërë atë të urtë ose e thënë ndryshe të sillet me maturi në situata të llojllojshme të jetës. Persona të tillë janë në gjendje të reagojnë në këto fatkeqësi natyrore. Pra shkurtimisht nevojiten heronj, jo heronj të miteve greke, apo heronj të filmave holliwoodian, por heronj të vërtetë


Fatkeqësia natyrore në fshatin Restelicë, ku vdiqën dhjetë persona, ishte një tragjedi e vërtetë që na shokoi të gjithëve. Por aq sa u mërzitëm aq edhe u gëzuam, këtë gëzim na e dha Amsera e vogël që u gjet në krahët e nënës së sajë të vdekur mes gërmadhave të shtëpisë së shkatërruar nga orteku vrasës. Amsera ishte e vetmja e cila i mbijetoi nga dy familjet Reka që, shtëpitë e tyre ishin shkatërruar plotësisht. Personi i cili u bë shkak për shpëtimin e vajzës ishte imam i xhamisë së fshatit Shaban Haxhi, i cili u tregua shumë i shkathët dhe fleksibilë duke përdorur një tub të gjatë që e futi brenda në borë në mënyrë se mos po dëgjon ndo një zë. Intuita e këtij burri doli e vërtetë, ai dëgjoi zëra dhe nuk reshti së pohuari se po dëgjon zëra. Vazhdimisht iu tregonte ushtarëve që mos të lodhen kot në vendet e tjera. Ato zëra paskëshin qenë të vërtetë, dhe bënë që hoxha të ngulte këmbë për gërmimin në vendin ku ai i dëgjoi zërat. Pas gjithë asaj lodhje të madhe mundi u shpërblye, Amsera e vogël shpëtoi për mrekulli,

Imami i fshatit u tregua shumë i zoti në nxjerrjen e vajzës. Sa interesante dhe e çuditshme ishte fakti se si hoxha iu jepte udhëzime ushtarëve dhe njerëzve që ishin të pranishëm dhe të gjithë prisnin konkluzionet e imamit. Kjo gjë nxori në pah aftësitë e imamit përballë kësaj situate kritike. Sepse hoxha e ka për detyrë morale që t’i dijë hallet e xhematit të vet, problemet që ata mund të kenë midis veti, e sidomos kur është fjalë për goditjen e ndonjë fatkeqësie natyrore. Ngase hoxha si qëmoti ashtu edhe sot nuk dinë vetëm të rri në xhami, apo të lanë xhenaze, por ata kanë kontribuar shumë për komunitetin ku kanë jetuar, në mbrojtjen dhe në rimëkëmbjen e vendit në përgjithësi. Ashtu siç kanë kontribuar në të kaluarën hoxhallarët në Lidhjen e Prizrenit, në pavarësinë e Shqipërisë, në luftën e Kosovës, po ashtu kanë kontribuar shumë edhe në pajtimin e gjakrave edhe ky fakt nuk duhet harruar. Këto i përmenda jo për të përfituar nga rasti i kësaj ndodhie, por për të treguar një begranud të shkurtër të hoxhallarëve dhe për të kujtuar se këta njerëz që i besojnë Zotit janë të vyeshëm për atdheun e tyre dhe për shoqërinë në përgjithësi.

Rasti në fjalë na tregon edhe njëherë se hoxhallarët janë njerëz që bëjnë për shoqërinë dhe japin ç’mos për të, qoftë edhe nëse bëhet fjalë për të rrezikuar jetën e tyre nëse është nevoja. Gjithashtu mundohen në maksimum për popullin e tyre që me ato që ju gjinden t’i ndihmojnë. Por edhe nëse nuk kanë mundësi materiale ata mundohen që me fjalët e tyre t’i forcojnë shpirtërisht njerëzit dhe të mos shohin prapa se çfarë iu ndodhi, por të ecin përpara dhe të mendojnë për të ardhmen se çfarë do të bëjnë. Ky fakt i gjallë dhe i freskët për mendjet tona na bënë me dije se hoxhallarët vlejnë dhe se shoqëria ka nevojë për ta, ka nevojë për dijen e tyre, për eksperiencën e tyre dhe për mirësinë që e përhapin te njerëzit me zemërbardhësinë e tyre.

Tragjedia e Restelicës na ka mësuar shumë gjëra, për të cilat duhet të mendojmë mirë. Na mësoi se si duhet të sillen njerëzit në rastin e fatkeqësisë, nga ana tjetër na mësoi të durojmë derisa të presim për një rezultat mundshëm dhe gjithashtu na mësoi që imamët mos t’i paragjykojmë, por të vedijësohemi dhe të kuptojmë se imamët ashtu siç kanë kontribuar në të kaluarën, po kontribuojnë edhe sot, duke u bërë kështu nga njerëzit që shoqëria të flas mirë për ta duke dëshmuar atë që dinë edhe në praktik. Në fund, nuk i mohohet e as nuk i harrojmë kontributin të dhanë ushtarët të FSK, por veçuam në veçanti përpjekjet e Imamit, sepse ai u bë shkak që AMSERA e vogël jeton sot, pra këtë e bënë që imam Shabani të jetë një hero i gjallë. Fjalët e imamit pas shpëtimit të vajzës së vogël ishin: “Ne e dimë fort mirë që një njeri që i ringjall një person është si me e ringjall një botë, kjo është si një lloj ringjallje, me e kthye në jetë përsëri”. Fjalët e imamit plot emocion tregojnë gëzimin e papërshkrueshëm që ka një person në ato rrethana. Me të vërtetë shembulli i këtij imami nuk e nderon vetëm fshatin në fjalë, por i nderon të gjithë hoxhallarët për meritat e tyre që kanë dhe popullin të cilit i takojnë.