LAJMI I FUNDIT:

Hyqymeti nuk duhet ta lë miletin edhe pa cunga

Hyqymeti nuk duhet ta lë miletin edhe pa cunga
Ilustrim

Ndodhë edhe kjo! Gjyshi kishte mbarua shkollën normale, ndërsa nipi fakultet juridik. Derisa gjyshi moti ka dal në pension, nipçe punon tash 20 vjet gjykatës. Gjyshi sa herë flet kujton, jo shkollimin në tri shkolla me pushtete të ndryshme, por nuk e harron kurrë ditën kur filloi të mësoi historinë tonë.

Sa herë lexon ndonjë shkrim për historinë e shkollës shqipe, qesh me zë. E ka provuar gjyshi atë histori me shtatin e tij të njomë. Madje kishte vijuar dy vjet shkollë të krajlit serb me alfabet cirilik. Dy klasë nuk i kishte mbaruar krejt, pasi në prill të vitit 1941 edhe kjo shkollë kishte marr fund. Vendlindja e gjyshit ishte pushtuar nga italianët tri vjet, e nga gjermanët edhe një sene. Po i kishte ra hise gjyshit të mësonte tri klasë të shkollës fillore me alfabet shqip. Dy klasë serbisht, tri shqip dhe ky gjyshi plak kishte mbaruar me kërraba pesë klasë të shkollës fillore. Në vitin 1943 kishte kapitulluar Italia dhe si për seri vendin e saj e kishin zënë gjermanët që asokohe ishin pikërisht në Urën mbi Ibër.

Ky gjyshi i tregimit, kreu shkollën tetëvjeçare dhe u regjistrua në shkollën normale. Mbante mend mirë që ishin hapur shkollat shqipe, por kishte mungesë të madhe të kuadrit mësimor. Më shumë se gjysmën e lëndëve i mësonin serbisht. Ishte rrezikuar edhe mbyllja e shkollave të mesme shqipe për mungesë kuadri! Ata pak intelektualë shqiptarë të kohës kishin vendosur të flasin hapur kundër mbylljes së shkollave të mesme. Kishte vazhduar arnimi i kuadrit mësimor edhe për vite të tëra, derisa filluan ta kryejnë shkollimin e duhur kuadrat e nevojshme për mësim në gjuhën shqipe.


Sa herë dëgjon gjyshi bisedat e sotme për shkollat shqipe, qeshet, e jo pak herë edhe nervozohet. Askush nuk flet për historinë e vërtetë të shkollës shqipe që është e mbushur me pengesa gati të patejkalueshme. Gjyshi flet e flet, dhe nipin e tij e pret me padurim kur kthehet për vikend në fshat.

Sa herë kthehet Grremçi në fshat, gjyshit i qeshet fytyra, i qeshet buza. Jo rrallë i mbushen sytë me lot për të kaluarën e vet.

Shumë herë, plaku dëshironte të tregonte çka kishte mësuar në dy klasë fillore në shkollën e krajlit serb, tri klasë në shkollën shqipe gjatë pushtimit italian dhe më në fund kishte mbaruar shkollën normale në sistemin partizan.

Derisa tash nipi vjen me makinë, pa bërë asnjëherë një hap këmbë, gjyshi kujton dallimin e madh të shkollimit të vet dhe të nipçes. Ka ecë gjyshi deri në shkollë, tetë vjet, dy herë nga pese, e pesë vjet dy herë nga tridhjetë kilometra këmbë,

– Pasi ke mbaruar fakultetin e drejtësisë, o Grremç; a di ti çka është shteti, e çka pushteti apo hyqymeti? Grremçi akoma pa hy brenda, ulur në oborr, ishte stepur nga pyetja e gjyshit.

– O, gjysh, shteti është hyqymeti, ashtu si i keni thënë ju më herët!

– Ama Grremç, po të pyes seriozisht: ku e sheh ti shtetin dhe si e ndien që ekziston?

– Po, oo?!

– Çka po, oo ?

– Thuaje! Çka është shteti dhe me çka dëshmohet që ekziston?

Grremçi u përpoq të thoshte disa fjalë pa kuptim, por gjyshi vazhdoi ti tregonte si duket dhe ku shihet shteti?

– E di ti Grremç ketë fshatin Shurrëpelë, që është ngjitur me fshatin tonë Zezë?!

– E di!

– Ani mirë që e di! Ama, pse quhet Shurrëpelë ky fshat dhe pronë e kujt ishte, e di ti, o Grremç!? Ka histori të moçme ky fshat.

Quhet me këtë emër nga një lloj shkurreje që rritet këtu me shumicë, e që rrallë mund ta gjeni diku tjetër. Ka në këtë fshat lloj lloj shkurresh, ama më shumë ka lisa bungu e qarri. Sa mirë do ishte që edhe ju brezi i ri ti dalloni me emër ato shkurre e lisa. A di ti more Grremç se në vendet e zhvilluara janë të regjistruara të gjitha bimët e shkurret që rriten në çdo territor të përkufizuar fushor a malor. Kjo temë të duket e mundimshme, me shumë emra bimësh e drurësh, por ajo pjesa tjetër e historisë së fshatit është më rëndësi edhe për një gjykatës si ti.

– Ke dëgjuar ti për njëfarë Mustafë Agën?

– Jo! Vetëm e di që një vend varrezash diku afër Zezës, quhet të Varri i Mustafë Agës!

  • Bash bukur! E ditke ti atë vend, apo vetëm ke dëgjuar?
  • Vetëm kam dëgjuar!
  • Dëgjo pra!

Sulltani për pesëqind vjet kishte sunduar këto anë. Ai kishte vendosur hyqymetin kudo. Kishte edhe sistem të drejtësisë.

Në çdo Kaza (shehër në nivel çarku) kishte një, dy e tre kadi për të ndarë drejtësi. Ata njerëz që i shërbenin sulltanit, merrnin rroga nga shteti.

Për ti ra më shkurt, Grremç, ky Mustafë Aga i shehrit, brez pas brezi, ishte shpërblye nga Sulltani me shumë toka, ara, fusha, livadhe e male dhe kishte bërë pasuri të madhe, të cilës nuk ia shihte fundin. Krejt tokat e fshatrave të sotme Zezë e Shurrëpelë, megjithëse ishin pesëdhjetë kilometra larg shehrit të Agës, dhe asokohe kishin qenë mal e lëndina, i kishte dhuratë nga padishahu.

Fshatin Zezë, Mustafë Aga ua kishte shitur disa fshatarëve, akoma pa rënë Perandoria, ndërsa Shurrëpela kishte mbetur pronë e tij derisa kishite ardhur ushtria pushtuese serbe.

Ashtu sikur sulltani, që sundonte deri ku arrinte shpata e tij, edhe krajli serb kishte përfytyruar ta bëhej njëfarë mbretërie (serb.krajlevine).

Ti Grremç me siguri ke dëgjuar për kolonët serbë e malazias, por jo edhe për kolonët boshnjakë.

Pas LDB- së, kralji serb kishte humbur kurorën dhe pushtetin. Qeverinë e jugosllave kishte marrë partizani.

Megjithëse ishte vendosur pushtet i ri, me premtime të mëdha për barazi, edhe komunistët kishin vazhduar kolonizimin me serb, malazias e boshnjak

– Për kolonë boshnjakë nuk kam dëgjuar?!- foli ngadalë Grremçi.

Juristi i ri, ishte djersitur mirë e mirë, derisa po dëgjonte gjyshin plak duke ligjëruar historinë e ndërrimit të hyqymeteve. por akoma nuk i kishte ra në fije se ku do të dilte gjyshi me këtë ligjëratë?!

– Si u popullua fshati Shurrëpelë me boshnjakë, kjo më duket e çuditshme?!- tha Grremçi

– E pra nipash, dëgjo pak rrëfim se çka është shteti?!

– Krejt pronat pa pronar privat, cilido shtet a pushtet,(hyqymet) i konsideron të tijat. Besoj se këtë e ke parë tashmë?!

Grremçi kishte ulur kokën sikur po flinte. Vetmeveti sikur po thoshte:

“- Kam krye fakultetin juridik dhe punoj gjykatës. Mund të punojë edhe avokat. Marrë rrogë të mirë! Ka kohë të kuptojë çka është shteti.

  • Ke dëgjuar ti Grremç se çka ndodhi me ato pronat që u thoshin (serbisht “ të derzhavës” ?
  • Po!
  • Komunistët i quanim prona shoqërore, ama ato nuk kishin titullar privat. Ato kishin vetëm firmën e shtetit, Grremç!
  • Pushteti i ri që u vendos te na, a i mori krejt ato prona që kishin firmë shteti?
  • Po!
  • Ky është shteti!
  • Ai shteti sllav iku. E kur bëhet një shtet tjetër, bëhet edhe një hyqymet tjetër i ri, apo jo Grremç?!
  • Po! Po!
  • Edhe ky hyqymeti i tashëm, ato prona i mori për veti?!
  • A mendoje ti se do tua jap fshatarëve ato toka?
  • Jo more, jo! I merr që ç’ke me te!
  • Kështu kishte ndodhur edhe në kohën e pushtimit të parë serb. Krajli kishte sjellë në Zezë shumë kolonë dhe i kishte vendosur kudo, edhe nëpër mal. Shtëpitë, udhët, shkollat, ambulancat, që ua kishte premtuar nuk ua ndërtoi kurrë.
  • Kështu, ata kolonë serbë, në rastin e parë, shiten mirë e mirë ato prona dhe ikën.

Fshati Shurrëpelë kishte pasur fat tjetër. Krajli lakmonte shumë, por nuk kishte kurrfarë mundësie për të sjellë më shumë kolonë serbë. Kështu në Shurrëpelë kishte sjellë boshnjakë. Bile sot e kësaj dite, banorët e Shurrëpelës, zijoshët i quajnë boshnjakë.

Këta boshnjakët, që i kishte sjellë krajli, nuk e kishin ble tokën nga Mustafë Aga, siç e kishin blerë zijoshët në kohën e mbretit. Këta e kishin marrë mufte. nga krajli.

Boshnjakët që u vendosën në tokat e fshatit Shurrëpelë, kanë vuajtur goxha shumë, për ta bërë malin arë.

Ndash me ditë Grremç, edhe ky gjyshi yt ka qelë mal (ka nxjerrë cunga me mixhën Dan) atje në malet e Shurrëpelës.

– A po ta rrokë Grremç?

Ti vjen rrallë në fshat, dhe nuk e ke pa si ndodhi që krejt atë tokën e shtetit që e kemi ngjitë me Zezë e kanë marr këta gjinja e hyqymetit të ri. Dhe kjo nuk është risi fare. Kështu ka ba edhe mbreti edhe krajli edhe ky hyqymeti i tashëm.

Historia është e mërzitshme për shumëkënd dhe i lë pa gjumë njerëzit. Sa më shumë që kthehemi mbrapa në histori, shohim shumë ngjashmëri të pushteteve.

Grremç, historinë e shkollave tona e kemi tepër të vonshme e të copëtuar fare.

Hapja e shkollave publike për të gjithë popullin, pa dallim fisi, mëhalle, etnie apo gjinie, ka ndodhur vetëm kur erdhi në pushtet partizani.

Ama edhe partizani i vuri censurë historisë tonë.

Tek nga viti 1969, partizani na ka lejuar në fillim të mësojmë pak histori për fiset ilire.

Nuk di si ndodhi, por ky gjyshi yt mësoi se na paskëshin qenë hiq më pak se shtatëdhjeteshtatë fise ilire?!

Ndoshta as nuk e ke ditur kurrë?! Thonë aq fise kishin qenë!

Ndoshta askush nuk i ka numërua kurrë, por ja që një ditë, dikush e tha këtë shifër- numër.

Mua më duket edhe pak i çuditshëm ky numri shtatëdhjeteshtatë?!

Ato fise, kurrë nuk kishin arritur të bëjnë qoftë edhe një hap për bashkimin e tyre. Kishin bërë jetë fisnore me konflikte të përditshme mes veti.

A e di ti o Grremç pse ishin zënë përditë mes veti ato fise?

Ato shtatëdhjeteshtatë fise, që quheshin ilire, shtriheshin gati në gjithë tokën e Gadishullit Ballkanik, por priheshin, griheshin e vriteshin mes veti për tokë.

Fiset ilire nuk arritën kurrë ta ndanin këtë tokë dhe ashtu erdhi një ditë që ata i përpiu vetë toka e tyre.

Për marrëdhëniet e egra mes tyre kishin kuptuar edhe popujt më të largët, sidomos fqinjët e tyre. Kishin kalëruar këndej me vite e dekada ordhitë nga Roma fqinje. Kishin mbledhur shënime. Pastaj, kishin pushtuar tokat ilire.

Ti Grremç, ndoshta e di, se as romakët nuk ishin të krishterë asokohe.

Ushtria pushtuese romake, këtu në Ballkan. me qindra vjet i plotësoi eshalonët ushtarake me mercenarë ilirë.

Pastaj edhe Roma, kishte mbaruar duke u ndarë në dysh.

Ilirët nuk kishin bërë asgjë për bashkimin e tyre, edhe kur kishin mbetur në kuadër të njëfarë Perandorie që quhej Bizant.

Krejt çka kishte ky far Bizanti, ishte përqendruar në Kostandinopojë.

Megjithëse ky farë Bizanti kishte ekzistuar mbi njëmijë vjet(1180), nuk ishte rrezikuar ekzistenca e tij deri kur ishin shfaqur ordhitë selxhuke nga Azia.

Selxhukët, paraprakisht kishin kuptuar, se Bizanti ishte krejt i kalbur.

Një ditë kishte rënë nën pushtimin e tyre edhe Kostandinopoja bashkë Bizantin!

Shtrohet pyetja ç ‘kishte ndodhur me fiset ilire?

Ato fise, edhe gjatë gjithë pushtimit osman, kishin vazhduar të jetojnë me ato inatet e moçme të papajtueshme mes veti. Ato fise dalloheshin vetëm sipas përkatësisë fisnore, gjë që e shohim edhe sot, o Grremç.

Sa për ndonjë bashkim fisesh as që behej fjalë. Nga inatet mes veti shumë fise u asimiluan nga popujt tjerë, vandalë e sllavë.

O Grremç! Me pas sy e tru, ato inate i sheh edhe sot pa asnjë studim!

Sa burrat e trimat janë sakrifikuar për bashkimin e këtyre fiseve, por kot.

As Gjergjit, nuk i kishte shkuar për dore të bënte një hap bashkimi. Edhe kur ishte kthye në Krujë, krutanët i kishte gjetur pik e pesë, ashtu siç i kishte lënë, kur e kishte marrë ushtar Padishahu.

O Grremç, ato fise, (77) kishin mbetur edhe pa alfabet shkrimi për 2 mijë vjet. Kur ishin formuar të gjitha shtetet e Evropës, ndonjë koçobash ilir, kishte menduar të bashkonte ndonjë fis të mbetur, por kot.

Edhe kur kishte ikur Perandoria osmane, ato pak fise ilire që kishin mbetur, nuk arritën të gjenin gjuhë të përbashkët.

Në bela mes veti i kishte lenë edhe Perandoria osmane. Po çka kishte ndodhur gjatë pushtimit osman, duhet ta dish më mirë o Grremç.

Ky Padishahu ua kishte studiuar të gjitha veset por edhe aftësitë e këtyre fiseve. kishte bërë plane konkrete!

Nuk mërzitej Padishahu për jetën e tyre, por si të shtrinte pushtetin pa humbur ushtarë. Më shumë kishte dërguar Padishahu njerëz që regjistrojnë gjithçka që gjendët në tokat e Ballkanit se sa ushtarë. Bile pasi e kishte studiuar mirë si qëndron puna mes këtyre fiseve, ai ua kishte caktuar edhe haraçin. Merrte jo pak tatim Padishahu, por edhe ushtarë- nizam.

Gjithçka selxhuke shtrihej ngadalë e kudo, pa lënë asnjë pëllëmbë toke pa pushtet.

E kishte diktuar Padishahu, se këto fise nuk kishin arritur dot të caktojnë ndonjë kufi, se deri ku shtrihet njeri e deri ku tjetri dhe ishin të armiqësuara mes veti për vdekje.

Popullata vendase nuk merrej me tokat e mëdha, por me mezhda.

Sa herë që dikush nga vendasit synonte të zgjeronet pronën e tij, edhe kur kishte nevojë, i dilnin para fqinjët dhe në të shumtën e rasteve edhe për një hap toke vriteshin mes veti. Çdo burim uji bëhej problem ?

Pushtuesi nuk kishte nevojë të përdorte shpatën, por pas çdo konflikti konfiskonte pronën e kontestuar nga vendasit.

E kush thotë more Grremç qe nuk janë të ngjashëm të gjitha pushtetet?

Askush nga vendasit nuk kishte pasur kurrë një letër për pronën e tij!

Padishahu mund ti nxirrte ata edhe nga arat stërgjyshore dhe kjo do të quhej drejtësi, pasi zijoshët nuk kishin asfare dokumenti.

A mund ta rrokë rradakja more Grremç se punën e shkollës, këta zijoshët tuaj nuk e kishin diskutuar asnjëherë mes veti.

Zijoshët, përditë e më shumë mësonin e dëgjonin emërtime të reja: ara e agës, ara e beut, ura e pashës, Xhamia e Sulltanit, Hani i vezirit. Lisi i popit!

Emërtimet e vendbanimeve të vjetra gati ishin tretur në tërësi para syve të zijoshëve.

Në rend të parë, ata akoma kishin kiametin mes veti. Sa për shtimin apo ndarjen e pronave me pajtim, as që mund të përfytyronte dikush këtë punë.

Kështu shpata e Padishahut e zgjidhi krejt punën e pronave.

Padishahu shihte edhe përtej çdo bjeshke, e zijoshët nuk shihnin as para hundës.

Edhe flota e pirateve të njohur ishte harruar.

Sa konflikt që shfaqej mes fiseve ilire, dikush ankohej të kadiu. Kadiu ishte gjykatës i kohës. Ai kishte autoritet të pakufizuar për zgjidhjen e problemeve mes fiseve. Vinte pashai me një ordhi në vendin e ngjarjes. I tregonin pse janë vrarë mes veti zijoshët. Kur pashai kuptonte shkakun e vrasjeve, urdhëronte kadiun të vendoste. Nëse nuk pajtoheni mes veti, toka i mbetet padishahut. Ashtu përfundonte ndarja e drejtësisë nga hyqymeti. Kur ju nuk merreni vesh mes veti, na jemi këtu dhe ua gjejmë çarën.

Ashtu me vite e dekada, në dorën e bejlerëve e agallarëve kishin përfunduar fusha e male, ara e pyje, kullosa e lumenj. Ato sipërfaqe tokash më nuk ishin të vogla, por përfshinin krahina të tëra. Pastaj ato toka e fusha merrnin emrin e agait apo beut të cilit ia dhuronte padishahu për merita.

Këto veprime në një farë mënyre zvogëluan konfliktet mes fisesh, por u zgjerua vëllavrasja. Krejt tokat e mëdha ishin bërë të bejlerëve e të agallarëve.

Shumicës së zijoshëve u kishte mbetur vetëm të shtyjnë mezhdat e njeri tjetrit.

Pushtuesi serb shumë toka të bejlerëve ua ndau kolonëve që i solli me ushtri. Për merita ushtarake, komitët serb merrnin dhuratë me qindra e mijëra hektarë toke të cilën zijoshët nuk kishin arritur ta ndanin kurrë mes veti.

Edhe sistemi komunist, i nacionalizoi të gjitha tokat e pandara.

E keni parë edhe në luftën e fundit si ndodhi?!

Pushteti mori për veti çdo gjë që mund të merrte. Mospajtimi i zijoshëve nuk ua la as cungat e Mixhës Dan. Pa pajtim nuk ka as cunga, fliste mixha Dan me zë, duke qeshur!

Kullosat nuk ju duhen fare. Shumica jush nuk keni as pulë para dere.

Gjyshi gëzohet kur të sheh ty gjykatës, o Grremç! Mos harro edhe këto fakte se çka bënë pushtuesit e tokave tona kur ikën:

Edhe shërbimi i Padishahut mori me vete gjithë dokumentet nga arkivat e kohës. Sidomos nuk la pa marr me veti dokumentet kadastrale. Duhet të më kuptosh drejt o Grremç?!.

Edhe Serbia kur theu qafen, e iku prej këtu, mori krejt dokumentet e kadastrit o Gremç!

Si gjykatës që punon tash, o Grremç, duhet ta dish mirë rëndësinë e dokumenteve kadastrale, sepse tash është pushteti ynë të cilin e kanë pritur njerëzit tanë me shekuj. Këta njerëzit tanë duhet të pajisen me letra (dokumente zyrtare legale). Njerëzit tanë duhet të kuptojnë që kanë shtetin e tyre. E për ta kuptuar se kanë shtet, duhet të kenë edhe dokument me vulën e shtetit. Zgjidhja e lëndëve pronësore nëpër gjykatat tona, o Grremç, i zvogëlon problemet e mëdha të njerëzve tanë që kanë pasur me shekuj.

Hyqymeti nuk duhet ta lë miletin edhe pa cunga. Nuk duket t’ia mbyllë të gjitha dyert për ekzistencë. Me ja mbyllë popullit të gjitha dyert, ja duhet me ikë mileti ja hyqymeti. Kështu është kjo punë o nipçe, o gjykatësi i gjyshit.

Në trend Lajme

Më shumë

"Përzierje në kompetenca të rezervuara të NATO-s", ish-ushtaraku flet për mosdërgimn e FSK-së në veri

Siguri
Rrjeti kosovaro-shqiptar i drogës pastroi miliona euro në agjencinë turistike të Lucernit

Rrjeti kosovaro-shqiptar i drogës pastroi miliona euro në agjencinë turistike të Lucernit

Drejtësi
Gjeneral Jashari merr pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës

Gjeneral Jashari merr pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës

Siguri
31 vjet burgim efektiv, 6 me kusht dhe 171 mijë euro gjobë ndaj 11 të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”

31 vjet burgim efektiv, 6 me kusht dhe 171 mijë euro gjobë ndaj 11 të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”

Drejtësi
Këto janë adresat e kutive postare në 23 shtete për votimin jashtë Kosovës

Këto janë adresat e kutive postare në 23 shtete për votimin jashtë Kosovës

Politikë
BE do t’i monitorojë zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë

BE do t’i monitorojë zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë

Lajme
Kalo në kategori