LAJMI I FUNDIT:

Hu, hu, baba hu

Është një traditë shqiptare e trashëguar brez pas brezi në trojet tona, ku nëse dëgjohet pula duke kënduar si gjel, atëherë menjëherë duhet t’i hiqet koka asaj pule. Mbase shqiptarët menduan se kjo traditë vlen vetëm për pulat, mbase sikur harruam se, kjo traditë është më shumë analogji se sa diçka tjetër, që mund të përkufizohet me ndonjë domethënie ku patjetër duhet aluduar në pulat. Kështu gjatë këtyre ditëve nxënësit shqiptarë u gëzuan për peshqeshin e quajtur libër, dhe në brendësin e librit të muzikës për klasën e katër, e panë dhe e hetuan se pula kishte kënduar në vend të gjelit.

Me personazhin e pulës nuk aludojë në zëvendësministren që dinë të fletë edhe shqip, mbase emrin e ka edhe shumë të bukur me kuptim shqip, por e gjora kishte harruar se, nxënësit shqiptarë duhet t’i mësojnë rregullat e para të muzikës shqip, ndonëse ajo si pedagoge, edhe pse nuk jam i sigurt rreth profesionit të saj, por ashtu hiqet, ashtu siç hiqet shitësi i gazetave si gazetar, apo pastruesi i bankës si njeri i cili punon në bankë. Sidoqoftë ne do të merremi me personazhin e saj si pedagoge, sepse në këtë shkrim të shkurtër dhe modest i kam venduar tre personazhe: pulën, pedagogen dhe gjelin, kështu që përpos epitetit pedagoge s’kam si ta emërtojë, edhe nëse do të dua ta emërtoja në njërin prej dy personazheve, frikohem prej pulës dhe gjelit, që mund të më padisin për tjetërsim.


Si lejuat e nderuara zonjë zëvendësministre e pedagoge (uff, sa shumë epitete), që nxënësit shqiptarë të na vinë në shtëpi të hipnotizuar, përmes këngës, – hu, hu baba hu, merre kalin shko për dru, mbase në të njëjtin kuptim thuhen edhe me ciriliken e maqedonishtes. Nëse nuk e keni ditur, atëherë unë ju tregoj se kjo këngë e cila thuhet se është këngë popullore shqiptare – një gënjeshtër e kulluar dhe tejet tendencioze, është ritual ku bektashinjtë për të mos i ndier fare dhembjet, që ia shkaktojnë vetës, e përdorin këtë këngë, pra shkurtë thënë, – për t’u mpirë fare pa alkool. Nëse nuk ju duket ky argument i shëndoshë, atëherë ju kisha lutur të shkoni te psikiatri, jo që ju personalisht të kontrolloheni, mos më keqkuptoni ju lutem, por mundësisht ta pyetni atë se, mendja dhe truri i njeriut si do të reagojë pas përsëritjes së disahershme të kësaj kënge fetare bektashiane, e assesi shqiptare.

Në të njëjtën libër, mund të lexohen biografi të shkurtra, të kompozitorëve maqedonas, rusë, çekë, francezë, austriakë, sllovenë, por për asnjë kompozitor shqiptar. Mund të lexosh gjëegjëza, fjalë të urtë, valle e kënga, por asnjë shqipe, duke e bërë kështu nxënësin e gjorë të dyshimtë rreth përkatësisë së tij kombëtare, sepse ai/ajo assesi nuk mund të besojë se këto libra qenkan për shqiptarët, por ai/ajo edhe nuk mund të besojë që shteti kaq shumë ia kujton të keqen, duke tentuar që përmes këtyre metodave klasike, gradualisht ta zhvesh prej vlerave të tij/saj kombëtare.

Të mos flasim për gabimet tjera gjuhësore që janë lëshuar prej përkthyesve shqiptarë, të cilët sikur mëditja simbolike ia kishte verbuar sytë. Si more përkthyes që flet e shkruan shqip nuk ju vjen fare turp, që për një mëditje dhe zotimit të detyrës suaj, të jeni kaq symbyllur, mendoni se historia do t’ju anashkalojë juve, jo more të gjorë e të papërgjegjshëm, edhe ju si pjesë e këtij vargani të turpshëm do të radhiteni në analet e historisë së turpit, sepse ju ishit ndër të parët që mundeshit ta sensibilizoni këtë tragjedi që po ndodh me librin e ashtuquajtur shqiptar. Ç’të bësh kur jeni shndërruar në interpretues besnik të politikës sllavo-ortodokse-idiote-maqedonase, – huu sa strofë e mirë doli, lirshëm mund ta inkorporoni në librin e dytë – korrigjues të muzikës.

Ndonëse keni harruar se, libri i muzikës i botuar në vitit 1969 ka qenë shumë më shqip se sa ky i sodit, madje me këtë të sotmin as që bënë ta krahasojmë, sepse ky tërësisht nuk është i yni, qoftë edhe nëse ca germa janë hedhur në gjuhën shqipe, por mos harroni se, edhe kur lexon apo belbëzon kryeministri jonë në gjuhën shqipe, askush s’ka të drejtë të pohojë se ai është duke menduar shqip.

Me këngën bektashiane që padrejtësisht dhe qëllimisht ia kishit pllakos thesarit tonë shqiptar, ju nomenklaturë që i imitoni kukullat, mund ta përdorni vetëm për veti: Hu, hu baba hu, ju shqiptar të ministrisë së arsimin, shkoni me kali për dru, mbase edhe kjo mund të jetë nder për ju, por kërkojmë ndjesë, s’kemi ndryshe siç ju dënojmë. Mjafton që nxënësit dhe mësuesit zhurmshëm të fillojnë t’i bojkotojnë librat në gjuhën dhe mendësinë maqedonase, të cilat aksidentalisht i paskan ca shkronja edhe në shqip, dhe urgjentisht ta miratoni kërkesën tonë natyrale, që autorët ku fëmija im dhe i juaji i nderuar lexues do të mësojë nga libri i autorit shqiptar, madje të gjithë të jenë shqiptar. Nuk kemi nevojë që maqedonasit të stërngarkuar me konteste gjeografike, historike dhe kombëtare t’i shesin mend fëmijëve tanë. Pra, mos ua prishni fëmijëve lumturinë, mos ua shkarravitni trurin e pastër me ngjarje të vjedhura.