LAJMI I FUNDIT:

Heronjtë e heshtur, 27 vjet nga greva e minatorëve

Heronjtë e heshtur, 27 vjet nga greva e minatorëve

Kanë kaluar 27 vjet nga një ngjarje e paharruar historike, që pa mëdyshjen më të vogël kishte peshën e madhe të kohës.

Gjenerata të reja pak dinë për ato ngjarje. Muaji shkurt i vitit 1989, gjithsesi ngjarje historike që protagonistë kishte minatorët e Stantërgut dhe grevën e tyre, ngërthen në vete një ngjarje tjetër që kishte ndodhur në shkritoren e Trepçës në Zveçan, e që la gjurmë për ardhmërinë e Kosovës dhe të shqiptarëve.


Në fakt, atëkohë në rafinerinë dhe shkritoren e Zveçanit, disa punëtorë kishin organizuar këputjen e zinxhirit të furrës, që për pasojë bllokoi boshtin qendror të prodhimit në këtë gjigant. Kërkesat e tyre tani ishin krejtësisht politike, ndërsa porosia ishte e qartë. Të ndërpriten mjetet e mëdha devizore që derdheshin në llogaritë e shtetit të Jugosllavisë dhe Serbisë nga puna që bëhej këtu, si dhe të drejtohej vëmendja e ndërkombëtarëve mbi shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.

Akti në shkritore i dha jehonë akoma më shumë grevës. Punëtorët vazhdonin të qëndronin brenda shkritores, por tani më nuk po shkriheshin 300 tonelata në ditë të plumbit, argjendit, arit, bakrit dhe të metaleve tjera. Pas disa ditësh policia serbe nxori me forcë punëtorët nga kjo shkritore.

Disa prej tyre u detyruan të migrojnë për shkak të përndjekjeve dhe maltretimeve që po ushtronte pushteti ndaj tyre, e disa të tjerë kishin vuajtur dënime me burg. Mirëpo, qëllimi ishte arritur, sepse furra në shkritore u paaftësua për punë për një kohë të gjatë, deri në pushtimin klasik të saj nga ana e Serbisë, ndërsa humbjet për Jugosllavinë dhe Serbinë, ishin të paparashikueshme.

Tani, pasi kanë kaluar gati tre dekada nga kjo ngjarje, autorët e saj janë ulur bashkë për iftar në një takim mjaft emocionues në Koshtovë të Mitrovicës.

“Sikur po njihemi sërish, sepse shumë prej nesh mezi e kemi njohur njëri-tjetrin”, rrëfen për KosovaPress Xhavit Bajraktari, iniciatori dhe koreografi kryesor i ngjarjes së atëhershme.

Aty janë edhe Gani Baliu, Hajriz Bajraktari, Mexhit Peci, Ismet Bislimi dhe Musa Seferi, ndërsa përmendet me dhembje edhe Shyqyri Ahmeti, i vrarë gjatë luftës në Kosovë.

1

Bajraktari bëri të ditur se përvoja e tij si udhëheqës në njërin nga këto reparte që kishte bërë gjatë viteve 1979-1983, kishte krijuar mundësinë e njohjes deri në detaje të punës në shkritore.

“Po, ideja ishte e imja dhe për një akt të tillë e kam sugjeruar axhën tim Hajrizin, i cili atëherë punonte pikërisht në shkritore. Në fakt, jam konsultuar edhe me Gani Baliun me të cilin kemi qenë bashkë veprimtarë të LPK-së atë kohë, pastaj kam takuar Hajriz Bajraktarin dhe Shyqyri Ahmetin, të cilët i kam këshilluar se si duhet kryer aktin. Duhej guxim dhe sakrificë, por ishte momenti që t’i bashkërendisnim përpjekjet edhe në mënyra të tjera, jo doemos me demonstrata. Ndonëse rrethanat shoqërore dhe historike me kohë ndryshojnë, ngjarjet çfarë ishte greva e minatorëve dhe akti i kryer nga punëtorët në shkritore, e ruajnë aktualitetin, vlerën e pashlyer dhe e përcjellin më tej mesazhin historik. Janë mësim dhe leksion për rolin e vetë popullit në bërjen e historisë në kthesat e mëdha dhe vendimtare”, ka thënë Bajraktari.

Sipas tij, marrë parasysh zhvillimet deri tani, përveç luftës dhe luftëtarëve të UÇK-së, akti në shkritore ishte ndër aktet më madhore ndonjëherë.

Bajraktari, që pas asaj ngjarje ishte detyruar të largohet dhe tani jeton me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij në Basel të Zvicrës, flet vetëm fjalë të mira për shokët me të cilët kishte punuar dikur.

Ai lavdëron Gani Baliun, për të cilin thotë se e kishte gjithmonë dorën e djathtë, sidomos kontributin e tij në organizimin e shkuarjes në ekzil, por edhe aktivitetin e përbashkët për disa vite në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK).

Fillimisht, për shkak të aktivitetit të tij politik, ai vuajti dënimin prej katër vitesh në burgun e Mitrovicës, ku qëndroi nga 3 tetor 1983 deri në tetor të vitit 1987.

Bashkë me të në burg për dy vjet ishte edhe Shyqyri Miftari, ndërsa Hysni Hajrizi dhe Agim Bajrami i shpëtuan burgut vetëm falë dy të parëve, të cilët veprën e morën mbi vete.

Pas daljes nga burgu, Bajraktari vazhdon aktivitetin e tij politik në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK).

Ishte për disa vite anëtar i Këshillit të përgjithshëm të LPK-së për Evropë, gjatë luftës ka qenë edhe anëtar i Shtabit mobilizues i emëruar nga UÇK-ja, ndërsa ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e logjistikës sa i përket luftës së fundit në Kosovë.

Në lidhje me këta të fundit, ai kapet në portin e Durrësit dhe sërish burgoset në janar të vitit 1999.

Ka qenë ndër përgjegjësit kryesorë në sigurimin dhe mbarëvajtjen e demonstratave sa herë që janë organizuar nëpër vende të ndryshme të Evropës gjatë viteve 1990-1999, në të cilat kanë marrë pjesë dhjetëra mijëra qytetarë.

“Lëvizja Popullore ka qenë baba dhe nëna e UÇK-së”, thotë mes tjerash Bajraktari, derisa pas luftës në Kosovë, ishte emëruar anëtar i Kryesisë së PDK-së në Zvicër.

Kjo kishte zgjatur pak kohë, siç u shpreh ai, sepse tani në Kosovë ishin krijuar rrethana të reja, dhe ata të cilët dëshironin të zhvillonin aktivitetin e tyre politik, këtë mund ta bënin në Kosovë.

Në lidhje me ngjarjen e dikurshme në shkritoren e gjigantit Trepça, foli edhe vetë kryeprotagonisti i aktit, Ismet Bislimi.

“Pothuajse gjithë shqiptarët përcillnin me vëmendje dhe brengosje atëherë zhvillimet në rrethanat e krijuara. Mua më ra hise ta këpusë zinxhirin. Duhej guxim, sepse megjithatë ishte e rrezikshme, por thjesht është dashur të veprohet në atë mënyrë dhe nuk kishte zgjidhje tjetër”, rrëfen ngjarjen përplot emocion Bislimi.

Sipas tij, ai pas kësaj është dërguar në burg, ku ka vuajtur shumë nga pjesëtarët e sigurimit shtetëror të atëhershëm, për aktin që kishte kryer.

“Në burg kanë provuar të na thyejnë e të na përçajnë. Serbia vuri në lëvizje secilën mënyrë, institucionale dhe jashtë institucionale, por ne nuk dorëzoheshim dhe kategorikisht kundërshtonim. U nisëm në betejën vendimtare. Ngritëm zërin kundër çfarëdo ndryshimeve me presion, sepse e dinim se krejt lufta e Serbisë që nga viti 1981 bëhej për ndryshimin e pozitës kushtetuese të Kosovës”, theksoi Bislimi.

Ai u shpreh të jetë krenar për atë që ka bërë dikur, ngase shihte në vepër, nëpër rrugët, sheshet dhe vendbanimet e Kosovës një unitet që kurrë nuk kishte parë mes shqiptarëve.

Pas këtyre ngjarjeve, shtoi ai, çdo gjë ndryshoi. Çështja e Kosovës faktikisht u internacionalizua. Uniteti i krijuar atëherë u bë bazë për organizime dhe veprime politike, më vonë edhe ushtarët që e sollën Kosovën deri te liria dhe shtetësia.

“Si përcaktim kryesor, pa alternativë u artikulua interesi kombëtar dhe atdhetar dhe u fshinë ndasitë ideologjike që ishin mes shqiptarëve”, tha në fund Bislimi.

Edhe shokët tjerë ishin pothuajse të të njëjtit mendim, dhe se akti i tyre i dikurshëm bartë një porosi universale.

“Me unitet, të bashkuar dhe të vendosur mund të arrihen qëllimet e drejta, sado që rruga drejt tyre është e vështirë. Mund të bëhet historia dhe mësojmë për ‘vijat e kuqe’ të interesave kombëtare”, thanë njëzëri ata. /KosovaPress/