LAJMI I FUNDIT:

Heqimi, berberi dhe xherahu

Heqimi, berberi dhe xherahu
Ilustrim

As emri i fshatit nuk ishte më ai i vjetri. Gjithçka që kishte ndodhur me shekuj e dëshmonin vet emrat e zijoshëve. Zeza dikur quhej Bardhë. Me kalimin e kohës, ajo ishte nxi dhe ishte pagëzuar Zezë nga vet zijoshët, të cilët dikur quheshin bardhoshë. Zeza ishte bërë një botë e tërë emrash të huaj, pa ua mësuar kurrë kuptimin, dhe për këtë as që mendonte dikush. Njëfarë dovleti, të cilin zijoshët nuk e kishin parë kurrë me sy, ishte bërë gjithçka për ta. Ai ua kishte nxi edhe ëndrrat zijoshëve duke ua rekrutuar me forcë djemtë e fshatit në ushtrinë e tij, dhe çka është më keq, ata më nuk ktheheshin të gjallë në shtëpi.

Pushtuesi i ri në Zezë nuk pranonte ndryshimin e mbiemrave pa dokumente. Po ku të merrnin dokumente zijoshët, kur asnjëri nuk kishte asnjë ditë shkollë dhe nuk kishin qenë të shënuar kurrë në ndonjë defter..


Edhe babai i Çaushit e kishte pas emrin Çaush, por kurrë në jetë nuk kishte parë çaush me sy. Ishte dashuruar në emrin e vet dhe kishte ëndërruar gjatë, që edhe të birin ta pagëzojë me emrin e vet. Krekosej si gjelkokoshi kur mendonte si do të tingëllojë kur thonë zijoshët; Çaushi i Çaushit të Çaushit!

Erdhi koha dhe i lindi edhe djali, të cilin e kishte pagëzuar pa lindur fare. Sa herë e pyesnin zijoshët për djalin, ai përgjigjej me krenari, së Çaushi po bëhet përnjëmend Çaush. Shumë shpejt Zeza filloi të shoh Çaushin e babait me “marifete” të reja që nuk i kishin parë më herët. Të atin e Çaushit, zijoshët zakonisht e thërrisnin Berber, pasi gjithë jetën kishte punuar rrojtar dhe pasi e kishte përsosur zanatin, kishte provuar edhe punën e xherahut. Kështu, me dy punë fitonte më shumë metelik dhe jetonte mirë. Pasi qe plakur Çaush Xherahu, atë e zëvendësoi i biri, Çaushi i ri ose siç kishte dëshirë t’i thonë Çaushi i Çaushit të Çaushit.

Zijoshët lakmonin emra të huaj. Bile sa u përket emrave nuk pyesnin as për gjuhë, as për fe, e as çfarë kuptimi ka ai emër kur përkthehet në gjuhën e zijoshëve. Për çdo zijosh, me rëndësi ishte të kenë emër perandori, mbreti, pirati, oficeri, vrasësi, hajduti, a zullumqari të pashpirt, që sipas tyre t’ia fuste frikën, kujt tjetër pos fqinjëve dhe të afërmeve në fshat.

Ëndërronte Zi Ziu grada pa fund, por për titull dovleti nuk kishte vend as në ëndërr. Edhe për ëndrra duhej guxim. Madje edhe guximi për të ëndërruar kishte limit. Edhe Zi Ziu i Zezës, megjithëse nuk mund e ndryshonte emrin e tij, ëndërronte të bëhej më i madh se Çaushi, të bëhej, hiq më pak se Pasha. Dëshironte të behej Pasha i vërtetë, me uniformë dhe me kalë. Ishte bërë burrë, por kurrë nuk kishte parë ordhi të huaj me kuaj duke kaluar nëpër fshat. Dovleti kishte njerëzit e tij të padukshëm kudo, kështu që as Zeza nuk bënte përjashtim. Zi Ziu, më nuk bënte gjumin gjumë, duke ëndërruar si të bëhej pasha.

Ëndërronte të bëhej pasha në krye të ordhisë dhe më të mos përmendej më Çaushi, por Pashai.

Një pasdite të nxehtë vere, derisa po dremiste në gjumë të thellë nën hije të lisit plak, Zi Ziu pa ëndërr që ishte bërë Pasha.

Ti je plot nafakë! Ti je plot nafakë! Ti je i zgjedhuri! Kështu i kishte thënë një zë i panjohur në gjumë.

Iu bë sikur ai zë po i fliste me besim të madh. Një zë i butë, i lezetshëm, përkëdhelës, krejt i panjohur, po i premtonte pozitë të lartë në perandori. U zgjua rreptë! Fërkoi sytë! Vallë, prej nga ky zë, pyeti veten? Mos tallet dikush më mua, shfaqi dyshim? Jehona e zërit të panjohur e ndoqi për pak kohë edhe pasi u zgjua nga gjumi.

Ti je plot nafakë. Ty të ra shorti! Mbi emrin tënd të shënuar në defter, u ndal gishti i vogël i Lartmadhërisë. Kështu Lartmadhëria ka zgjedhur përherë të besueshmit. Lartmadhëria njeh mirë ëndërrimtarët, lakmitarët, hyzmeqarët, sundimtarët e pashpirt e të pamëshirshëm, që i duhen për të vendosur rend e qetësi në vilajet. Gëzohu, por mos u gëzo tepër o Karazi! Urdhri është i shenjtë. Pasi urdhri është i shenjtë, o i Zi, o Karazi, ti duhet vetëm ta zbatosh. Urdhri i shenjtë nuk refuzohet. Çdo moszbatim i urdhrit paguhet me kokë.

Ti ëndërron! Ëndërron ëmbël! Dremitë lehtë, dhe buza të shkrep në gaz, mu pse Lartmadhëria, ka nisur iraden drejt teje. Këtë e ke provë jete! Kjo është mirë për ty. Gabimin nuk ke rast ta përmirësosh.

Vallë, jam ëndërr apo zhgjëndërr, kishte pyetur veten Ziu! Ëndrrën e mbante mend mirë, por nuk e lidhte dot me realitetin. Nga hija ku kishte fjetur gjatë në vapën e gushtit, nuk u kthye fare brenda në dhomë, për ta shikuar vetën në pasqyrë siç e kishte zakon. Përfytyroi veshur uniformën e pashait! Filloi të djallosët me vetveten.

Vallë është e mundur të behëm pasha? I shkoi mendja të provojë të sillet si pasha, së pari ndaj familjes së tij në shtëpi. Thirri disa herë me zë të egër të shoqen, por ajo nuk iu përgjigj. Thirri t ‘ëmën! Ajo erdhi menjëherë, por asaj nuk i tha asgjë, nga frika se mund të tallej me ëndrrën e tij. Mendja i shkoi ta thërras t ‘atin, por nuk pati guxim. Mendoi seriozisht ku ta provonte urdhrin e parë. Nuk po gjente dike që do ta përfillte! Dukej sikur iu ngatërrua ëndrra. Kishte parë vërtetë ëndërr që ishte bërë pasha, apo ishin këto halucinacione?

Donte të shihte edhe një herë po atë ëndërr. U shtri serish gjerë e gjatë nën hije. Serish filloi dremitjen. Ëndrra iu kthye menjëherë. Një zë i mekur, sikur vinte nga humbëtira, vazhdoi t’i fliste:

Ti je nafakëbardhë! Ti je plot nafakë! Ti je i përzgjedhuri. Urdhri është nisur drejt teje. Mos fli! Iraden duhet ta presësh zgjuar! Nuk ka falje për asgjë.

E kuptoi mirë fjalinë tjetër që përsëritej: Nëse pret fjet iraden, të shkon koka. Nëse pret fjet iraden, të shkon koka!

U frikua nga këto fjalë që po i dëgjonte nga një zë krejt i panjohur, që i vinte si jehonë e largët.

Jam unë vërtetë Zi Ziu, apo dikush po tallet me mua? Mund të bëhem unë Pasha, pyeti vetën? Ndoshta, ndoshta? Ndoshta është shkruar kështu? Njerëzit e përzgjedhur gradohen në ëndërr e ngushëllonte veten!

Së paku kështu kishte dëgjuar nga rrëfimet e pleqve.

Filloi t’i besonte ëndrrës.

Fjalët që i dëgjoi në kllapi, ia përsëriti vetes disa herë me zë.

“Nëse fle, të shkon koka. Nëse fle, të shkon koka! Ti je nafakëbardhi! ?

Vazhdoi të zemërohej e mllefosej, pse pikërisht në këtë çast nuk kishte një uniformë pashai dhe të dilte nga shtëpia, i veshur Pasha edhe zhgjëndërr.

Ordhia ishte nisur drejt Zezës. Një eunuk, si statujë pa shpirt, iraden mbështjellë me kadife të zezë, po e mbante para duarve .

Shtëpia e Ziut, në errësirë të plotë, u mbush rreptë me uniforma të zeza. Ziu nuk pati kohë të kuptonte a ishte ëndërr apo zhgjëndërr.

Xherahu, berberi e heqimi kryen shpejt punën e tyre.

Ordhia e zezë, doli edhe më rreptë nga shtëpia, por me një njeri më tepër. Doli ordhia e zezë me një pasha të zi, të cilin nuk e njihnin as vet ata që erdhën për ta marrë. Për Ziun, çdo gjë akoma ishte ëndërr.

Veshur me uniformë pashai, nuk e lëshoi kllapia derisa kali filloi trokun bashkë me ordhinë.

Mjekrën e pa qethur kurrë, berberi ia kishte krasitur mirë. Xherahu e kishte bërë synet, ndërsa heqimi e kishte tredhë me sixhim. Mbi kokë ia kishin vendosur fesin ngjyrë kafeje të mbylltë, që nuk dallohej fare nga terri i zi.

Të atit të Zi Ziut, Karaxhës, as i kishte shkuar mendja së në çfarë halli mund të ketë rënë i biri gjatë natës. Ku t’i shkonte mendja plakut të gjorë, që në dhomën tjetër, të cilën e ndante vetëm një mur i hollë qerpiçësh, afër tij, kishte hyrë ordhi e huaj. Ai kishte dëgjuar zhurmë të mbytur, por për asnjë çast nuk kishte pandehur se shtëpia e tij qe mbushur me mysafirë të paftuar. Karaxha nuk ishte brengosur kurrë për kohën kur kthehej i biri në shtëpi, natën apo ditën. Kishte vazhduar gjumin sikur të mos kishte dëgjuar asgjë. Ishte mësuar me ëndrrat e të birit dhe qe irrituar moti me çdo sjellje të tij. Vetëm zhdukjen e të birit nuk e kishte paramenduar. Aq më pak kishte paramenduar të birin me uniformë Pashai.

Askush nuk dinte numrin e ushtarëve të ordhisë, aq më pak emrin e ndonjërit prej tyre. Secili kishte urdhër të prerë veprimi. Për çdo ndryshim të rrethanave në vendin e ngjarjes, gjithkush dinte punën e vet.

Ordhia ishte krejt e nemitur. Asnjë pyetje, asnjë përgjigje.

Zi Ziu u zhduk natën, si ta kishte përpirë dheu?

Një pasha të zi me uniformë tis të zezë, pa asnjë fjalë, e nxorën nga shtëpia.

Xherahu kreu punën e tij!

Po kush mund të thoshte një fjalë për xherahun, kur dihej mirë se të vdekurit nuk flasin!

Edhe berberi kreu punën e tij?

Po heqimi, ç ‘punë bëri ai, mund të pyeste dikush, por para se ta hapte gojën duhej të mendonte mirë e mirë për urdhrin dhe epilogun ?

Supozohej se vetëm një anëtar i ordhisë, kishte sixhim, por atë nuk i njihte askush nga ordhia.

Ku mbeti Zi Ziu?

Aq shumë kishte ndryshuan pamjen pashain e zi, pasi e kishin fut në dorë heqimi, berberi dhe xherahu, sa më nuk mund ta njihnin as vet zijoshët të cilëve ua kishte nxi jetën.

Pëshpëritjet në Zezë filluan të shtoheshin e të merrnin dhen. Zijoshët as nuk guxonin të pyesnin njeri tjetrin se ku treti Ziu? Askush, atë natë të zezë, nuk kishte parë të rrethuar shtëpinë e Ziut. Por, askujt nuk i kishte shkuar as mendja për ordhinë që kishte ardhur e ishte zhdukur nëpër terr?!

Për iraden nuk mendonte askush?

Nuk mendoi kush as për xherahun, as për berberin, as për heqimin?

Aq më pak, mund t’i ketë shkuar mendja një zijoshi për sixhimin!?

Për sixhimin nuk guxonte të mendonte as edhe një ushtar i ordhisë. Askush nuk dëshironte as të mendonte për sixhimin. Moti ishte përhapur fjala se po t’i dëftohej sixhimi dikujt, qoftë edhe ëndërr, ai e ka punën pisk. Secili dëshironte të jetonte edhe një ditë më tepër. Për sixhimin dinte vetëm ai që e kishte. Asnjëri nga ekzekutorët nuk e njihte tjetrin.

Zijoshët e kishin kuptuar mirë se çdo pëshpëritje për ordhinë paguhej me kokë. Ai që shihte ordhinë ishte i vdekur. E dihet, se të vdekurit nuk flasin., as nuk tregojnë kurrë asgjë.

Askush nuk mund të pyeste për iraden. Ordhia kishte detyrë vetëm ekzekutimin e urdhrit. Askush, asnjëherë nuk e sheh iraden. Edhe kush pyet për iraden vdes. Urdhrat zbatoheshin pa fjalë, me përulësi.

Zi Ziu me uniformë pashai qëndronte ngrirë si një statujë bronzi mbi kalë. Ai nuk po mendonte asgjë. Tash vetëm zbatonte urdhrat. Zbatonte iraden. Pashai i Zi kishte kohë edhe të dremiste mbi kalë, po ku ta merrte guximin. Mund të flinte, po si të flinte? Iraden duhet pritur zgjuar në çdo kohë, natën e ditën. Gjumi po e dërmonte fare. Sa herë dëgjonte trokun e kalit, zgjohej nga kllapia krejt i droguar. Trupi i lahej nga djersë të ftohta.

Natë ishte, por gjumë në sy nuk kishte.

Pa kaluar shumë kohë, në Zezë plasi e zezë-dita.

Zi Ziu, jo që kishte parë ëndërr, por ashtu filloi të sillej ndaj zijoshëve në pik të ditës!

Duke parë ndryshimin e sjelljeve të Zi Ziut, zijoshët pyesnin tinëz veten, ku po mëson ai njeri gjithë ato “marifete” që nuk i kishin parë as dëgjuar deri atëherë.

Në ëndërr, dovleti kishte urdhëruar prerë pashain!

Për moszbatim të irades, dëshmi para padishahut është koka në tepsi. A dëgjove o i përzgjedhur, o nafakëbardhë. Iraden duhet ta presësh zgjuar në çdo kohë! Mos harro! Mund të harrosh, por nuk do të kesh rast të përmirësosh gabimin. Nuk ke të drejt të pyesësh për asgjë. Padishahu ka përgjigjet e gatshme. Ai di dhe sheh çdo gjë që bën ti. Ai di çka mendon ti. Ai kujdeset për ty edhe kur je në gjumë. Roja është aty zgjuar në çdo kohë. Ti edhe kur dremitë, roja të dëgjon. Kohën e arritjes së Irades nuk e di askush. Tash e tutje nuk ka gjumë për ty. Për të përzgjedhurin nuk ka gjumë. Kështu është gjithmonë. Truri yt do të të shërbej vetëm për drejtpeshim. Nuk ke nevojë të mendosh për asgjë. Lartmadhëria mendon për ty. Nuk të rrezikon më askush. Atë ditë që do të veshësh uniformën e shenjtë, njerëzit do të gjunjëzohen para teje. Zijoshët nuk do kenë rast të të afrohen asnjë hap. Ata i ndalon roja jote. Ti nuk do t’i njohësh asnjëherë rojat me emër, por vetëm nga uniforma. Edhe ata ty do të njohin vetëm nga uniforma dhe grada e pashait. Uniforma jote është e dukshme për miletin dhe të jep emër, por mos harro, se ti je vetëm një hiq, i zgjedhur nga Lartmadhëria. Mos harro, ti je nafakëbardhi.

Njerëzit e mi kanë vëzhguar kohë të gjatë zijoshët në Zezë. Kanë hulumtuar çdo pëllëmbë toke, çdo shkurre e çdo lis të atij vendi të bukur, por me emër kaur. Kemi njohur nga afër çdo dëshirë të zijoshëve. Ti Karazi je me fat! Ke ëndërruar të bëhesh pasha, dhe ja, të ra shorti. Për Lartmadhërinë, ëndrra është pjesë e realitetit. Irada vjen e mbështjellë me mister të zi, i cili për pak kohë do të nxihet dhjetëfish nga zijoshët. Lartmadhëria ka kuptuar mendësinë e këtyre malokëve. Ata përulën vetëm nga dajaku, laku dhe sixhimi. Kemi zbuluar se ata jetojnë krejt të ndarë e të përçarë, pikë e pesë. Ata njohin vetëm fiset e tyre. Shumë herë përgjaken mes veti për asgjë. Përgjaken për një fjalë goje, për një hu gardhi, për një bimë misri, për një lis mali, për një pikë uji, për një hulli, për një zog a për një vezë pule. Secili fis mendon e krekosët se është më fisnik se tjetri. Asnjëri fis nuk ia lëshon rrugën tjetrit për asgjë. Ata edhe kur shkojnë krushk për të marrë nusen, po të takohen në rrugë me krushq të tjerë, vriten mes tyre deri të njeriu i fundit. Jo pak herë janë vrarë dy palë krushqi, deri edhe nuset nën duvak, vetëm për të mos ia liruar rrugën njëri tjetrit .

Rekrutimi do të bëhet me dëshirë, me vullnet. Për pak kohë do të shohësh autoritetin tënd që nuk e ke ëndërruar kurrë.

Zi Ziut, çdo gjë i dukej ëndërr, por iraden filloi ta zbatonte zhgjëndërr në Zezë.

(sic.)

Në trend

Më shumë
Mësohet arsyeja pse nuk ndërhyri VAR-i te goli i anuluar i Bayern Munichut ndaj Real Madridit

Mësohet arsyeja pse nuk ndërhyri VAR-i te goli i anuluar i Bayern Munichut ndaj Real Madridit

Liga e Kampionëve
Harrojeni Carlo Ancelottin, ky njeri do të jetë në finalen e Ligës së Kampionëve për herë të nëntë

Harrojeni Carlo Ancelottin, ky njeri do të jetë në finalen e Ligës së Kampionëve për herë të nëntë

Liga e Kampionëve
Pamjet e fundit para tragjedisë, Alma dhe fëmijët nisen drejt urës së Bunës

Pamjet e fundit para tragjedisë, Alma dhe fëmijët nisen drejt urës së Bunës

Lajme

"Deri dje, nuk isha i sigurt se kush ishte lojtari më i mirë në botë, tani e di" - De Ligt me fjalë të mëdha për yllin e Realit

Liga e Kampionëve

"Tuchel i gaboi të gjitha, Ancelotti i bëri mirë" - Capello tregon detajin që e bëri diferencën ne "Bernabeu"

Liga e Kampionëve
Vjosa Osmani e uroi për zgjedhjen si presidente e RMV-së, Gordana Siljanovska i përgjigjet në gjuhën shqipe

Vjosa Osmani e uroi për zgjedhjen si presidente e RMV-së, Gordana Siljanovska i përgjigjet në gjuhën shqipe

Politikë
Kalo në kategori