LAJMI I FUNDIT:

Hawking: “Jashtëtokësorët ekzistojnë”

Hawking: “Jashtëtokësorët ekzistojnë”

Njëri prej shkencëtarëve më të mëdhenj të gjallë, Stephen Hawking deklaroi se gati është i sigurt për ekzistencën e jashtëtokësorëve, por tërheq vërejtjen se njerëzimi e ka më mirë mos të vendosë kontakte me ta.

Fizikanti teorik nga Britania është i bindur se në hapësirë ekzistojnë më shumë se miliarda galaksi, në të cilat gjenden miliona yje, Toka nuk mund të jetë vendi i vetëm ku zhvillohet jeta.

“Sipas trurit tim matematikor vetëm numrat janë arsye e mjaftueshme për të besuar se ekzistojnë jashtëtokësorët. Sfida e vërtetë, në të vërtetë, është puna për të mësuar se në çfarë forma paraqitet kjo jetë jashtë planetit tonë”, thotë Hawking, i cili, pasi studioi fizikën, doktoroi në kozmologji në Universitetin e Cambridget.

Hawking mendon se jashtëtokësorët mund të jenë të zhvilluar si kafshë të thjeshta në formë krimbash, të cilët në Tokë ekzistojnë që miliona vite, por jeta jashtë Tokës mund të zhvillohet në forma të ndryshme. “Mjafton ta shohim veten dhe ta kuptojmë se jeta inteligjente mund të zhvillohet në diçka që ne nuk kishim dashur të zhvillohej”, thotë shkencëtari.


Shkencëtari i paralizuar mendon se njerëzimi në takim me jashtëtokësorët mund të përjetojë katastrofë. “Nëse na vizitojnë, mendoj se do të jetë sikur kur Kolombo zbuloi amerikanë. Të gjithë e dimë se si përfunduan indianët”, zbuloi Hawking parashikimet e tij të errëta për njerëzimin. /Telegrafi/