LAJMI I FUNDIT:

Guns N’Roses apo Appetite for Destruction

Kur Lutfi Haziri bëri pagëzimin Guns N’Roses për koalicionin aktual qeverisës në Kosovë LDK-PDK, me siguri e kishte parasysh albumin e famshëm të këtij grupi, të titulluar “Appetite for Destruction”

“Appetite” ose oreksi për ta shkatërruar këtë koalicion, për të cilin që në krye të herës kemi thënë se është i panatyrshëm, në radhët e LDK- së është rritur dhe është si një furtunë që pavarësisht nga vonesat, do të shpërthejë.


Çështja është se LDK ende nuk është një rose që mund të përballet me guns, ose më saktë, me gjithë një rizgjim tw elektoratit të saj dhe një fitoreje të thellë në Prishinë, është larg të qenit një “rose” i shëndetshëm.

Lëvizjet e saj gjatë dhe pas zgjedhjeve e veçanërisht manovrimet për procesin e balotazhit janë të guximshme, por jo të mjaftueshme që kjo parti të flasë me një gjuhë dhe të marrë në dorë frenat e vetvetes. LDK në fakt ka shkuar larg përsa i përket marrëveshjes së koalicionit, duke e shkelur atë me të dyja këmbët.

Sipas kësaj marrëveshjeje, dy partitë në koalicion do të hynin në zgjedhjet lokale pa bërë koalicione paraprake me parti të tjera. Por LDK ka rigjetur partnerin e saj të dikurshëm për të fituar pushtetin nëpër disa komuna të rëndësishme, AAK-në, në këmbim të votave edhe për këtë parti, e cila ishte e vetmja që rriti ndjeshëm rezultatin në zgjedhjet e 15 nëntorit, një ngritje kjo që i ka frikësuar rivalët.

Këto marrëveshje së bashku me fushatën kritike, duket se e kanë hidhëruar kryetarin e Partisë Demokratike dhe kryeministrin aktual, aq shumë saqë i shkoi mendja ta prishë fare koalicionin me partnerin që sikur ka filluar t’i “dalë nga duart.”

Një balonë provuese që ai e hodhi në opinionin publik përmes RTK-së, por më shumë në adresë të dy partive opozitare, AKR e LDD për të provuar orekset e tyre për pushtetin, dhe më pas ripajtimit të partnerëve provoi se LDK nuk është ende e përgatitur të heqë dorë nga kolltukët dhe të shijojë për herë të parë edhe jetën në opozitë.

Kështu që deklarata e kryetarit të grupit parlamentar të LDK-së mbeti veçse një “Appetite for destruction.”

Ajo që nuk mund të mohohet është se koalicioni për komunën e Prizrenit mes LDK-së dhe AAK-së, i cili u pasua me një tjetër koalicion në Gjilan dhe që po vazhdon edhe ne komuna të tjera, duket se i ka tronditur rëndë themelet e qeverisë Thaçi. Dy partitë ku ai hodhi gomën e shpëtimit, AKR dhe LDD nuk u treguan të gatshme të hynin nën çadrën e Thaçit ndërsa LDK, duket se nuk pranon më të jetë partnerja e dëgjueshme, e gati gati e nënshtruar, siç ka qenë deri më tani.

Por ato që do të jenë vendimtare apo do të shërbejnë si proces fermentues do të jenë rezultatet e balotazhit. Në rast se LDK do të kthejë nën administrimin e saj, disa komuna të mëdha si ajo e Prizrenit apo Gjilanit dhe do të ndihmojë AAK-në të marrë Suharekën, koalicioni në nivel qendror vështirë të qëndrojë në këmbë.

Ka dhe një gjë tjetër që e bën më të lehtë këtë punë. Presidenti Fatmir Sejdiu nuk do të ketë ndonjë motiv të madh për të rezistuar për mbajtjen gjallë të koalicionit pasi mandatin e tij e ka të garantuar, sa kohë që nuk shkel rëndë kushtetutën apo nuk vuan nga ndonjë sëmundje që do ta detyronte të ndërpriste mandatin.

Një rizgjim i LDK-së për dalje të saj nga koalicioni dhe në rast se edhe AKR e LDD nuk do t’i hanin fjalët e tanishme, mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme,
të cilat është e qartë se tani për tani nuk përkrahen nga zyrat e “Dragodanit.”

Por pavarësisht përkrahjes së ambasadave të huaja, e vërteta është se zgjedhjet e parakohshme gjithnjë e më shumë po dalin si domosdoshmëri pasi Qeveria Thaçi po qëndron në një tokë të rrëshqitshme.

Nëse i kthehemi motivit të deklaruar publikisht se LDK dhe PDK, dy partitë më të mëdha rivale befas vendosen të bashkohen në një koalicion, për shkak të stabilitetit të Kosovës përpara shpalljes së pavarësisë (në fakt arsyeja e vërtetë kishte të bënte me frikën se ndonjëra nga partitë do të përvetësonte gjithë meritat për shpalljen e pavarësisë, frikë e cila doli të jetë e arsyeshme), atëherë ky motiv nuk është më i rëndësishëm.

Nuk është e arsyeshme as frika nga procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të drejtësisë që ngrenë disa përfaqësues organizatash të huaja. Tashmë në këtë Gjykatë janë dorëzuar opinionet e shumë vendeve pro dhe kundër Kosovës dhe ministri i jashtëm i cili nuk ka ndonjë rol të madh për të luajtur, nuk na del të jetë i pazëvendësueshëm. Kosova ka përfaqësuesit e vet ligjorë në këtë Gjykatë kështu që rënia e qeverisë apo zgjedhjet e parakohshme janë procese normale të demokracisë që nuk kanë pse të interferojnë me procese të tjera si ai i diplomacisë.

(Autorja është analiste politike pranë gazetës Kosova Sot)