LAJMI I FUNDIT:

Gnocchi: Dhuna dhe bojkoti nuk e sjellin Kosovën më afër BE-së

Gnocchi: Dhuna dhe bojkoti nuk e sjellin Kosovën më afër BE-së

Mungesa e opozitës në Kuvend dhe kundërshtimet e tyre janë zënë në gojë sot nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Thomas Gnocchi, nga Zyra e BE-së në Kosovë, në ceremoninë e hapjes së projektit të binjakëzimit me Parlamentin hungarez “Përkrahja e mëtejme për Kuvendin e Kosovës”, tha se dhuna dhe bojkoti në Kuvend, nuk e bëjnë Kosovën më të pavarur dhe as nuk e ofrojnë më afër Bashkimit Evropian.

Ai tha se opozita duhet t’i kthehet jetës politike, pasi që mungesa e tyre në Kuvend dëmton funksionimin e shtetit dhe është kundër praktikave evropiane, ndërsa i kërkoi opozitës që të heq dorë nga dhuna.


“Dhuna që po përdoret ne Kuvend, e as bojkotimi i tij, nuk do ta sjellin Kosovën më afër BE-se. Nuk do ta përmirësojnë sundimin e ligjit dhe nuk do të ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar. E aq më pak do të ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të punës. Dhuna dhe bojkoti nuk e bëjnë Kosovën më të pavarur e as më sovrane. Prandaj si zyre e BE-së, vërtetë shpresojmë që opozita do të kthehet në jetën politike institucionale të Kuvendit dhe do të përdorë të gjithë mjetet dhe instrumentet, që lejohen nga ligji dhe nga praktikat evropiane, që t’i shprehin pakënaqësitë e tyre, mospajtimet dhe mosmarrëveshjet. Në anën tjetër ne e ftojmë koalicionin qeverisës të insistojë, për të gjetur një mënyre dialogu të sinqertë me partitë opozitare. Mungesa e opozitës në Kuvend dëmton funksionimin e shtetit dhe është kundër praktikave evropiane. Kosova nuk ka kohë të humbasë. Ajo ka punuar shumë, në mënyrë që të arrijë t’i përmbushë synimet e saj”, pohoi Gnocchi.

E për situatën në Kuvend, delegacionin hungarez e njoftoi dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti, i cili në takim me ta tha se tash e gjashtë muaj Kuvendi po kalon në një situatë të pakëndshme.

Ndërsa foli dhe për procesin e liberalizimit të vizave, duke pohuar se Kosova po pret që ky proces të përfundojë.

“Edhe ne kemi kaluar një situatë jo të këndshme, këta gjashtë muajt e fundit në Parlamentin e Kosovës, në të cilin opozita ka krijuar situata të pakëndshme për arsyet e veta politike, elektorale, a ku ta di unë. Por shpresoj se jemi duke i kaluar gradualisht. Kosova është në një situatë pritje për liberalizimin e vizave”, tha ai.

Haliti kërkoi thellim të bashkëpunimit me shtetin e Hungarisë në të gjitha fushat dhe në atë ekonomike, duke pohuar se bashkëpunimi ekonomik nuk është në nivel të kënaqshëm.

Por nuk mungoi as mbështetja nga shteti Hungarez në procesin e liberalizimit, por dhe në proceset integruese të Kosovës.

István Jakab, nënkryetar i Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, tha se shteti i tij do ta përkrahë Kosovën në integrimet evropiane, transmeton KP. Ndërsa përkundër veprimeve të opozitës, ai u shpreh i bindur që Kosova, do ta vazhdojë rrugën e saj përpara dhe se nuk do të dorëzohet.

“Ne kuptojmë që ka vështirësi dhe kuptojmë gjithashtu, se edhe opozita kohë pas kohe ka ndërmarrë hapa të vendosur për të shtyrë përpara qëllimet e tyre. Jemi të bindur megjithatë që ju do të jeni në gjendje që të vazhdoni rrugën tuaj. Nuk do të dorëzoheni, nuk do të ktheheni prapa dhe me sukses do t’i arrini synimet që i keni caktuar vetës. Sa i përket liberalizimit të vizave, me lejoni të theksoi se Hungaria i ka përkrahur ambiciet e Kosovës, që nga dita e parë. Dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë dhe në të ardhmen. Jemi të bindur se ky proces do të arrijë synimin tij në një të ardhme të afërt”, tha ai.

Jakab tha se Hungaria dhe në të ardhmen do të vazhdojë të jetë një përkrahëse e zotuar e Kosovës dhe integrimeve evropiane të Kosovës.

Jakab tha se Hungaria vlerëson rezultate e Kosovës në proceset e integrimeve evropiane. Ndërsa pohoi se hyrja në fuqi e MSA-së, është një hap shumë i rëndësishëm në historinë e Kosovës.

Ndërsa, nënkryetari Haliti duke folur për projektin e binjakëzimit me Hungarinë tha se Kuvendi i Kosovës po fillon një proces të ri në forcimin e funksionimit , në arritjen e standardeve karshi parametrave të tjera evropiane. Ai tha se përkrahja e partnerëve tjerë është e pashmangshme, në rrugën e Kosovës drejtë BE-së.