LAJMI I FUNDIT:

Gjithçka tallava

Diku nga vitit 1990 në Shqipëri filloi rënia e leximit të librit. Kjo kohë përputhet me fillimin e shpërbërjes të rendit pseudo-socialist në Evropën lindore. Ndryshimi i sistemeve politike i dha fund diktaturave pseudo-komuniste ku mizorisht shkeleshin liritë e shprehjes së lirë, si dhe të drejtat tjera elementare të popujve dhe të njerëzve. Por, si tregoi koha kjo ishte e vetmja e mirë që e ka pa kjo gjeneratë e transicionit nga ndryshimi i sistemi pseudosocialist në sistem pseudo-demokratik.

Gjatë gjysmë shekullit të asaj kohe popujt në vendet ish pseudosocialiste, me ndërhyrjen apo edhe pa ndërhyrjen e dorës së zgjatur të regjimeve, përmes të komisarëve politikë, kishin punuar dhe kishin krijuar vlera të mëdha ekonomike e kulturore, ku bëjnë pjesë edhe shkrimet e shume veprave letrare.


Por, as shkrimi i tëra atyre veprave letrare nuk do të kishte efektin e vet pa punën e zellshme të institucioneve pedagogjiken, instancat arsimore, si dhe pa punën e drejtpërsëdrejti të mësimdhënësve. Nuk duhet harruar edhe punën e prindërve me fëmijët e vet në edukimin e ngritjen e tyre arsimore, por as interesimin e vet shkollarëve që të lexojnë që të nxënë sa me shumë dituri. Në atë kohë funksiononte trekëndëshi pedagogjik më mirë se sa sot, edhe pse gjendja sociale e shumicës së popullsisë ishte me e keqe se sa sot.

Në Evropën perëndimore gjerat ishin stabilizuar nga pasojat e Luftës së dyte Botërore dhe vendet e perëndimit ekonomikisht qëndronin më mirë, meqë shumica e tyre kishin kaluar neper procesin normal te transicionint nga sistemi feudal në sistemin kapitalist, që ishte i domosdoshëm për krijimin e bazës ekonomike, që do të mundësonte kalimin normal nga shoqëria demokratike kapitaliste në shoqëri demokratike socialiste. Ky proces evolutiv krijoi një epërsi ekonomike në krahasim me shtetet pseudosocialiste të Evropës Lindore, ku shumica e vendeve kaluan nga sistemi feudal në sistem socialist, pa u pjekur kushtet elementare të zhvillimit të bazës ekonomike dhe të vetëdijes shoqërore për të kaluar në shkallë më të lartë të zhvillimit shoqëror. Kjo mundësoi që Partitë Komuniste në pushtet të marrin rolin e feudalëve të kuq, duke e bërë pronarë kolektivë të ekonomive nacionale, të cilat përbeheshin nga kryetari i partisë dhe nga njerëzit që ju bindeshin atyre si monark i kuq.

Rënia e rendit pseudo-socialist në Evropën Lindore nuk ndikoi keq vetëm në keqësimin e gjendjes ekonomike, sociale e politike të shtresave të gjëra të popujve të këtyre vendeve, por kjo solli edhe deri te keqësimi i gjendjes dhe të drejtave në punë edhe të masës se punonjësve të të gjitha profileve në vendet të Evropës Perëndimore. Sepse tani më pronaret e mëdhenj punëdhënës nuk e kishin frikën nga shpërthimi i revolucioneve në vendet e tyre. Andaj, kapitalistët e mëdhenj filluan kufizimin e të drejtave të punonjësve duke shndërruar statusin e punëtorëve të mbrojtur me ligje në status të argatëve pa mbrojtje ligjore që kur duan i marrin e kur duan i hedhin nga puna pa frik nga pasojat ligjore.

Kapitalistët sajuan ligjet përkatëse diskriminuese dhe firma ndërmjetësuese që jetojnë mirë prej tregtisë me njerëz: punëmarrës duke jetuar në kurrizin e fitimeve të argatëve të tyre, që ata i shesin në tregun e punës si dikur skllevërit.

Duke pas parasysh se tregjet nacionale nuk mjaftonin për plasimin e prodhimeve të veta e për shtimin e pasurisë se tyre, ata kopjuan nga ish Bashkimi Sovjetik formulën e internacionalizmit dhe atij ia ndryshuan vetëm emrin duke e quajtur globalizëm i Bashkimit Evropian. Në po këtë sistem ka funksionuar Rusia brenda ish Bashkimit Sovjetik dhe brenda Bllokut Socialist. Moska ka vendosur se cili vend çka ka me prodhua dhe sa ka me prodhua, që vendet tjera në as një mënyre të mos e rrezikojnë ekonomikisht Rusinë, por të veprojnë si pas interesave te Rusisë. Tani këtë rolë po e luan Brukseli.

Çka ka lidhje kjo me politikën botuese të librit dhe pse ka kjo rëndësi për shoqëritë e këtyre dy poleve të Evropës?

Përgjigja në këtë pyetje, në vija të trasha, do të ishte se regjimeve tani më nuk ju intereson ruajtja e harmonizimi i interesave mes punëdhënësve e punëmarrësve, por vetëm përfitimi sa më i madh për vete. Verbësia pas pasurisë ka ndikuar në uljen e vlerave morale njerëzore dhe kjo ka ndikuar pasivisht dhe aktivisht edhe në politiken e shtëpive botuese, sepse me privatizimin e ekonomisë atyre ju rreziku ekzistenca materiale. Kështu, në emër të demokratizimit të botimeve, atyre u është hequr edhe përkrahja materiale e edhe kontrolli shoqëror i kualitetit të botimeve.

Kjo ka mundësuar që me shkrime të mos merren vetëm autoret kompetent, por sot shkruan secili që di me përdor tastierën e një kompjuteri me dy gishta. Kështu, tani e kemi të stërmbushur tregun e librave me pamflete që nuk janë as libra e as romane, por do shkarravina që vlojnë prej intrigave mizore, për të cilat pamflete nuk interesohet askush përveç industrisë së tualetit.

Pra, sikur që na ka ndodhur anarkia e deformimet tallave në muzikën burime shqiptare, po kështu ka ardhur edhe deri te botimi i disa pamfleteve tallava që nuk janë as libra me përmbajtje historike e as romane letrare. Meqë “autorët” e këtyre pamfleteve tallava janë ndesh me bojkotimin total të lexuesve, ata janë pajtuar edhe me i fal ato pamflete vetëm që intrigat e tyre t’i lexojë dikush. Kaq poshtë ka ra katundi!

Ajo që habit në krejt këtë tregim është fakti se si institucionet tona nuk e ndalojnë këtë dukuri e cila po degradon librin dhe po i largon lexuesit gjithnjë e më larg prej librit. Habit edhe qëndrimi i mjeteve tona publike të informimit që ju japin hapësire në mediet e veta secilit “autor” të këtyre pamfleteve tallava, duke i niveluar me autor të mëdhenj. Ky është një ofendim këtyre njerëzve kompetent të pendës. Gjithashtu, është shqetësuese se si për recensent të këtyre pamfleteve tallava i shohim edhe disa emra qe aty përdoren për reklamë, por që në fakt këtyre emrave nga jeta publike ju ulë shumë vlerën e personaliteteve të tyre si individ. Sepse nuk shitet fytyra për disa grosh.

Në mbrojtje të këtyre sferave të kulturës dhe të arsimimit e të edukimit publik nga fenomeni tallava, duhet të dalë zyrtarisht Ministria e Arsimit dhe Kulturës duke krijuar komisione për kontrollimin e çdo publikimi arsimor e kulturor (në muzikë, art, literaturë etj.), duke mos lejuar daljen e tyre në treg dhe fare në publik nëse nuk e kanë banderolën e shtetit për kualitet (njësoj si për kualitetin e produkteve ushqimore, sepse fenomeni tallava po helmon dhe po e degradon shoqërinë shqiptare që nga muzika e deri në politikën institucionale të kuvendit).

Për disa nga këto pamflete tallava duhet të nisen edhe procedurat hetimore policore e gjyqësore, sepse disa nga to përbëjnë edhe krime të rënda kundër të drejtave të njeriut, meqë aty thuren akuza të rrejshme të montuara politike kundër personaliteteve publike, deri te sulmet kriminale dhe deri te akuzat për “tradhti” ndaj Heronjve e Dëshmorëve të kombit. Nëse disa personalitete historike janë shpallur Heronj e Dëshmor të Kombit sipas Ligjeve në fuqi nga ana e institucionit të Presidentit të shtetit, e dikush ata i atakon e denigron me akuza të liga nëpër pamflete tallava apo në forma tjera publike, ai kryen vepër penale të ofendimit të krejt popullit ton.

Andaj të tillët duhet vënë para përgjegjësisë juridike. Vetëm kështu mbrohet demokracia. Koha është që të ndërmerren masa për ruajtjen e vlerave tona qytetëruese dhe që shtetit ton t’i japim atributet e një shtetit ku demokracinë e mbron sundimi i ligjeve të drejta.