LAJMI I FUNDIT:

Fusnota dhe raportimi televiziv më 24 shkurt …!

“Ra ky mort e u pamë”, ra puna e Fusnotës-shtojcës dhe ne shqiptarët sikur tash e kuptuam se nuk jemi kurrkund. Këtu nuk po hy në politikë për të diskutuar dhe analizuar lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë,por besoj se çdo marrëveshje që ka për synim pajtimin, integrimin ndërkulturor dhe integrimin rajonal dhe atë në BE- duhet përshëndetur. Fakti se Kosova nuk po humbë asgjë nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje, mendim të cilin e kanë përforcuar dhe deklaruar shtete si SHBA, Gjermania, Britania e madhe etj, duhet të na ngushëlloj sadopak. Por shkaku i këtij shkrimi siç e thash nuk ishte debati politik rreth Shtojcës-fusnotës, por raportimi i medieve tona nga Brukseli më 24 shkurt 2012. Edhe raportimi gazetaresk, kam parasysh atë televiziv siç ishte ai në RTK, KTV, KLANKOSOVA karshi RTS-e serbe tregoi shumë çka. Tregoi se edhe në fushën mediale jemi larg Serbisë.

Siç u pa më 24 shkurt, RTK si televizion publik, vetëm huazoi materialet nga FONNET dhe RTS, pra mediumi ynë publik tregoi sa kemi “kaçik”, sa jemi pjekur si shtet. Pse nuk kishte s’paku RTK- ja korrespondent në Bruksel që t’i filmoj ngjarjet dhe jo t’i huazoj ato, kjo mbetet një pikëpyetje e madhe? Nuk dëshiroj të pyes pse gazetarët dhe agjencitë serbe nga Serbia po arrijnë aty ku ne po mungojmë? A mos duhet edhe këtu një marrëveshje dhe një fusnotë për të pasur qasje mediale?! Edhe pas 12 vitesh ekzistimi, RTK ja si medium publik, deri tani nuk arriti të krijoj një rrjet të mirë korrespondentësh nëpër botë, sepse siç mund të dihet i mungojnë mjetet materiale, sepse për këtë duhet të kesh një infrastrukturë dhe kuadro që ta implementosh strategjinë. Mendoj se pasi që jemi shtet i pavarur duhet të demonstrojmë edhe me pranon tonë si medium i një shteti në ngjarje të tilla.


Me sa di, mediumi ynë publik i ka pesë korrespondentë: Një në New York (Sylejman Gashi), një në Bruksel (Gjeragjina Tuhina) një në Beograd (Fahri Musliu), një në Maqedoni (Besnik Iseni) dhe një në Tiranë (Asllan Bajrami), ndërsa nuk ka korrespondentë në Londër, në Paris dhe në Berlin. Për vendet tjera as që ja vlen të flasim! As televizionet tjera në Kosovë nuk janë më mirë, madje, i kanë punët edhe më keq. Se RTK- ja si televizion publik nuk mund të mirëmbajë korrespondentët politik në qendra si Londra, Berlini, Parisi e vende tjera, ka të bëjë edhe me vetë stafin e RTK-së. Ata ankohen se nuk kanë para, për t´i paguar korrespondentët (disave ju kanë mbetur bile edhe borxh) dhe as që bëhet fjalë për atë se do të hapin zyra të reja në këtë krizë financiare. Kjo, gjithsesi nuk ka kuptim! Pra këtu duhet të kyçet edhe parlamenti i cili mbikëqyrë RTK-në, e ky i fundit akoma vazhdon të anashkalojë rëndësinë e rolit diplomatik dhe përmirësimit të marrëdhënieve përmes medies.

Ka një teori që thotë se media, gjegjësisht korrespondentët, luajnë rolin e diplomatëve (Walter Hagemann 1950). Sipas kësaj teorie, media dhe gazetarët mund të veprojnë si ndërmjetësues të paqes dhe stabilitetit, por edhe të kontribuojnë në krijimin e imazhit pozitiv në opinionin politik, të ndikojë diskursin ndërkombëtar në çështje të rëndësishme (Kai Hafez 2002). Rol të veçantë këtu luajnë edhe agjencitë ndërkombëtare të lajmeve. Para së gjithash diskursi mediatik mund të ndihmojë në krijimin e opinionit politik diplomatik dhe në raste të paqes, mund të ndikojë të aprovohet apo të refuzohet një vendim politik, një konflikt, një dialog apo për të mundësuar një pajtim mes palëve të përfshira në konflikt (John Galtung 1998,2002), etj.

Mediat si aktorë aktivë në politikën e jashtme!

Qasja në informacione është primare në bërjen e politikës, politikës ndërkombëtare, ndërsa mangësia në informacione dhe komunikim mes shteteve e rrit dukshëm keqkuptimin. Me këtë rast në opinion krijohet një fotografi prej urrejtje e shkallës së rrezikshme, kur një shtet dhe opinioni i tij përmes mediave krijon stereotipe dhe paragjykime ndaj një shteti apo ndaj një populli tjetër. Se çfarë imazhi do të ketë një diplomaci kjo varet edhe nga shkëmbimi i informacioneve gjegjësisht qasjes së një diplomacie ndaj një tjetre. Mungesa e komunikimit mediatik është denigruese dhe mund ta varrosë paqen dhe marrëdhëniet e mira ndërshtetërore.

Andaj, gazetaria e bën të mundshëm shkëmbimin e informacioneve nga shteti pranues drejt publikut në vendin prej nga vjen gazetari apo korrespondenti. Korrespondentët ushtrojnë ndikim jo vetëm tek Ministria e Jashtme, por edhe në shtetin e huaj prej nga raportojnë. Modeli “gazetaria si diplomaci”, i klasifikon mediet si aktorë aktivë në politikën e jashtme të një shteti. Korrespondentët furnizojnë opinionin me informacione, ata mund të ndikojnë në rrjedhën e ngjarjeve politike përmes informimit dhe komenteve mbi ngjarjet që ata botojnë. Edhe pse zyrtarisht korrespondentët e medieve nuk janë pjesë e Ministrisë së Jashtme të një vendi, ata gjithsesi ushtrojnë ndikim më të madh në politikë-bërje ndërkombëtare.

Lidhjet interaktive mes politikës dhe medieve

Siç dihet, mediat raportojnë rreth proceseve të ndryshme politike nga qendra të vendosjes edhe atëherë kur Ministria e Jashtme nuk ka fare përfaqësues diplomatik në atë shtet. Përmes raportimit mediat e kanalizojnë vëmendjen diplomatike në një drejtim të caktuar që ata dëshirojnë. Ato ndryshojnë ritmin vendimmarrës politik apo e shpejtojnë atë. Ndikimi në këtë rast nuk është asimetrik. Këtu nuk mungon as qasja dhe ndikimi i politikanëve mbi media përmes të cilave ata përçojnë mesazhet e tyre politike në opinionin publik. Qeveritë e ndryshme përpiqen përmes mediave të diktojnë agjendën politike në vend dhe jashtë tij. Qeveritë mobilizojnë mediat përmes mesazheve të tyre për të arritur qëllimet politike apo për të sjellur në tavolinë zgjidhje oponente për çështje të caktuara.

Politikanët, apo veçmas elita në pushtet (qeveria) ka ndikim për të diktuar agjendën politike përmes mediave, pasi që ajo ka një qasje më të drejtë dhe më të lehtë se sa pjesa tjetër e cila nuk është në pushtet. Fuqia e pushtetit e definon njëherit edhe afërsinë dhe qasjen në media dhe iu krijon atyre një përparësi statusore. Kapacitetet organizative dhe qasja në resurse financiare iu krijon atyre favore për të kontrolluar fushëveprimin e tyre politik përmes mediave. Ndërsa, grupet tjera të interesit të cilat nuk kanë këto resurse në dispozicion janë të prirë për t´i inskenuar ngjarjet vetëm e vetëm për të arritur vëmendjen e mediave (Gadi Wolfsfeld) dhe aferat dhe skandalet dhe përfshirjen e politikanëve në afera të ndryshme.

Edhe pse gazetari apo korrespondenti, nuk është pjesë e ministrisë, pra është jashtë sistemit diplomatik, gjithsesi dy palët kanë interesa të përbashkëta, por gjithashtu edhe veprojnë si sisteme të pavarura nga njëra-tjera. Pra, gazetarët duhet ta ruajnë edhe autonominë e vet profesionale. Një përafrim i tepërt ndërmjet korrespondentit me politikën e vendit prej nga raporton duhet megjithatë të ekzistojë, pasi që mendohet se me këtë ai nuk do të mund të përfaqësonte interesat e publikut dhe shtetit prej nga vie dhe nuk do të mund të përfaqësojë interesat e mediave për të cilat punon.

Lidhjet e Kosovës me botën, terri informativ në relacionin: Kosovë-Gjermani e më gjerë!

Shteti dhe opinioni ynë publik nuk ka qasje në shumë shtete, për të mësuar mbi zhvillimet shoqëroro-politike atje, pra nuk ka korrespondentë dhe këto raste kemi vetëm terr informativ. Shembulli aktual me i dhimbshëm është ai i Gjermanisë, vendi më i zhvilluar, shteti ndër të parët që ka njohur Republikën e Kosovës. Gjermania është shteti më i fortë dhe me ndikim më të madh në BE. Televizionet kombëtare si KTV dhe RTV21 nuk kanë kurrfarë këmbimi të informacioneve me Gjermaninë, pra as mediumi publik RTK, i cili do të duhej të kishte kapacitete të mëdha në ketë drejtim. Si është praktika e radiotelevizioneve gjermane me korrespondentët?

Tjetër praktikë p.sh zbatojnë radiotelevizionet publike gjermane ARD dhe ZDF. Ato kanë zyrat korrespodentësh në New York, Uashington, Bruksel, Londër, Paris, Vjenë, Budapest etj., prej nga raportojnë LIVE por paraqiten edhe me raporte për lajmet qendrore apo me kronika dhe magazina informative mbi ngjarjet aktuale nga shtetet që përmenda. Bundestagu gjerman në Berlin përditë tubon me dhjetëra gazetarë korrespodentë nga rrjetet e ndryshe si CNN, ART, 3SAT, ZDF, ARD, RTS,HRT, dhe nga agjenci lajmesh si: Reuters, AFP, APA, RIA, TANJUG etj, vetëm korrespondentët shqiptarë nga Shqipëria dhe ata nga Kosova mungojnë aty, pra Kosova, ose shqiptarët nuk kanë lidhje informacionesh me botën gjermane. Autori i këtij shkrimi disa herë ju ka propozuar drejtuesve të RTK-së, RTV21 dhe KTV-së, për këtë dhe nuk ka marrë përkrahje.

RTK- ja dhe korrespondentët e saj me 24 shkurt 2012

Kur jemi te korrespondentët e mediumit tonë publik, më duhet ta them se tash për tash, siç e tregoi ngjarja e 24 shkurtit korrespondentja aktive për RTK Gjeraqina Tuhina nuk solli diçka të re, të ja kalonte kolegëve serbë, ose, RTK- ja nuk i tregoi pamjet më 24 shkurt! Lajmet qendrore më 24 shkurt ishin material i huazuar nga mediet e shtetit dhe burimet e medieve të tij, shtet i cili insiston në rezolutën 1244 dhe që nuk njeh Republikën e Kosovës. Të njëjtat korrespondenca të përgjumshme me telefon nga New Yorku, më duhet të them, korrespondentëve të tillë u ka ikur koha.

Për fund: Se sa po u kushtojmë rëndësi këmbimeve të tilla informative tashmë sapo vura në dukje disa skicime të zhvillimit nga kjo sferë. Më e keqja është se mediumet tona në Kosovë dhe udhëheqësit e tyre vazhdojnë ta nënvlerësojnë këtë potencial prej informacioni dhe nuk bëjnë asnjë përpjekje dhe nuk kanë bile as interes të ndërtojnë rrjete të korrespodentëve për shkëmbime informacionesh nga Brukseli, Berlini, Londra, Parisi etj. Nuk duhet harruar se bota e përparuar vazhdon të besojë dhe ta çmojë sloganin e njohur se, informacioni është pushtet, ndërsa ne akoma se kemi kuptuar “formulën”. Pra, televizionet tona vazhdojnë ta neglizhojnë rëndësinë e shkëmbimit informativ nga bota e jashtme. E kjo formulë është: Kush e ka informacionin ka çelësin drejt majave të suksesit edhe të pushtetit politik, ekonomik dhe mundësinë e dominimit. Në saje të informacioneve që ka, fiton edhe “luftën” politiko-diplomatike në arenën ndërkombëtare!

(Autori është doktorant në UBW në Munih të Gjermanisë)