LAJMI I FUNDIT:

Fshikullimi i Adil Ollurit

Fshikullimi i Adil Ollurit

Nga: Albin Mehmeti

Pas dy veprave studimore, fituesi i çmimit ndërkombëtar për letërsi “Pemio Ostana Internazzionale”, Adil Olluri, kthehet para lexuesve me përmbledhjen me tregime “Kthimi i Profetit”, botuar nga shtëpia e njohur botuese “Armagedoni”. Në tetëmbëdhjetë tregime, Olluri trajnon tema nga më të ndryshme, që nga religjioni e nacionalizmi e deri tek krimi e korrupsioni.

Në tregimin “Kthimi i Profetit”, Olluri godet rëndë interpretimin e dhunshëm të fesë islame nga predikuesit. Ai sjellë profetin Muhamed në Prishtinë, të cilin e vë në sprova që ai asnjëherë s’i ka ndeshur në epokën e tij, ku kulmon me largimin e tij nga xhamia, vetëm e vetëm pse ai thërriste në dashurinë ndaj Zotit, dhe jo frikën ndaj Tij, mjet përmes së cilit manipuluesit dhe predikuesit i mbajnë nën kontroll besimtarët.


Profeti Muhamed i Ollurit është ndryshe nga profeti Muhamed të cilin e hasim në mësimet kanonike. Profeti i Ollurit më shumë ngjason me mësuesit bredhës, apo të njohur në mistikën islame si dervishë, të cilët shumicën e kohës e kalojnë nga rruga në rrugë, nga fshati në fshat dhe nga qyteti në qytet për të predikuar në dashuri ndërnjerëzore e mbi të gjitha për dashurinë metafizike. Profeti i Ollurit do të ndeshet me klerikë të paditur, besimtarë të nënshtruar prej këtyre të fundit dhe njerëz që krekosen kur bëjnë punë të mira, gjë që e detyrojnë Profetin të ikë me të shpejtë nga Prishtina. Temën e religjionit, Adil Olluri do të trajtojë edhe në tregimin “Barku i balenës”, ku merr si trajtim mitin biblik dhe kuranor të Jonuzit, mit të cilin do ta rikontekstualizojë dhe ngjarjen do ta zhvillojë në shekullin XXI me topikë shqiptare, përmes së cilës do të godas njerëz të cilët pandehin se bartin flamurin e kodeve të larta morale, por në të vërtetë ato i kanë vetëm se mbulesë të punëve të tyre të liga.

Në të gjitha kulturat botërore qofshin ato religjioze a profane, qofshin monoteiste, ateiste a politeiste, qofshin ato perëndimore apo lindore, respekti ndaj të vdekurve ishte maksimal, ku shpeshherë merrte edhe premisat e shenjtërisë. Se deri ku është degraduar morali ynë e tregon tregimi “Tender për transport kufomash”, ku autori godet fenomenet e nepotizmit dhe të korrupsionit, fenomene që tanimë nuk janë shqetësim vetëm për të gjallët, por ato fillojnë t’i vrasin për së dyti herë edhe të vdekurit.

Më tej, në tregimin “Funerali im”, autori ndërton ngjarje përmes së cilave trajton temat primordiale, atë të xhelozisë dhe të hipokrizisë. Në varrimin e narratorit-autor marrin pjesë edhe ata persona që e urrenin sa ishte gjallë, madje disa prej tyre edhe qanin, edhe pse ndoshta në thellësitë e tyre, këtë ditë e kishin pritur kaherë. Autori këtu spikat se njeriu më i mirë për njeriun, sot është njeriu i vdekur. Degradimin moral të njeriut si qenie, autori e përmend edhe te tregimi “Revolta e minjve”, në të cilin e vërteton teorinë, e cila duhet mbase të bëhet edhe ligj shkencor, në atë se njeriu shpeshherë është edhe më kafshëror sa edhe vetë kafsha.

Tema e patriotizmit të rremë, fenomen që po na shqetëson dita-ditës është preokupim i autorit në tregimin “Vrasësi i Titos”. Një njeri, që shquhej për njeri të ligë dhe gënjeshtar pandehte tek bashkëfshatarët malësorë se kishte vrarë Titon, udhëheqësin e atëhershëm jugosllav. Kjo i vjen në vesh pushtetit, dhe më pas e arrestojnë. Por, çfarë ndodhi më pas? Thuhej, se bëri marrëveshje me pushtetin që do dilte neper qytete dhe do të proklamonte ide nacionaliste, dhe në sytë e popullit do të paraqitej si atdhetar i paepur. Por, çfarë rezultati sillte kjo? Më pas arrestoheshin atdhetarët e vërtetë, të cilin binin pre e thirrjeve të rreme nacionaliste të tij.

Temën e luftës së fundit, por jo me topikë të një rajoni a zone të caktuar të Kosovës, autori do të trajtojë në disa tregime brenda kësaj përmbledhjeje. Ajo çka bie në sy është se nuk kemi as protagonistë e as antagonistë nga aradhet e UÇK-së, as himnizim e as përbuzje të luftës, por vetëm dhimbje. Në tregimin “Kthimi i babait” paraqitet episodi i kthimit të eshtrave të një shqiptari të vrarë në luftë. Në këtë tregim kemi rrëfim në vetën e dytë (teknikë e rrallë e përdorur në letërsinë shqipe, të cilin Olluri e përdor edhe në romanin “Bartësi i shpirtrave të përzënë”), ku i biri si narrator iu drejtohet me dhimbje, e tek tuk me nuanca krenarie eshtrave të babait, i cili u vra në luftë si ushtar i UÇK-së.

Në tetëmbëdhjetë tregimet, Olluri nuk mëton ta sulmojë religjionin por interpretimin e tij, jo pushtetin por pushtetarët e korruptuar, nuk sulmon patriotizmin por patriotët-folklorikë, jo luftën por përfituesit e saj. Në tetëmbëdhjetë tregime, Olluri fshikullon mbi padrejtësitë e të ligat që dita ditës e më shumë po na përdhosin të kaluarën, cenojnë të sotmen e po na vrasin të ardhmen.