LAJMI I FUNDIT:

Frustrim i kombinuar i Maqedonisë

Opinioni publik i përgjithshëm në Maqedoni nuk ekziston prej shumë kohësh. Gati nuk ka medie e cila denjësisht dhe në tërësi përcjell gjithë atë që ndodh në këtë vend, për të mundur prej aty të analizohet e vërteta, në një hark kohor, për këtë shtet. Gjithë çka ka janë pjesë të ndara të opinionit, që përshkruajnë dhe japin vetëm disa aspekte të mbarë opinionit. Kurse, ndarja më e madhe gjithsesi është nëpër linjën etnike.

Kjo ndarje e opinionit publik përveçse vështirëson analizën, e vështirëson edhe diagnozën e vërtetë për atë se cilat janë problemet e njëmendta të këtij vendi, nga ku mandej mund të parashikohen zhvillimet e mëtejme.


Kështu është këtyre muajve edhe me frustracionet e ndara që shumë nuk shfaqen në opinion, por që e ziejnë përbrenda këtë vend. Edhe këto, teknikisht të emërtuara si frustracione, janë të ndara në linjat etnike. Ashtu popullata e deklaruar si shumicë ka frustrimin e vet të paartikuluar denjësisht, por nga ana tjetër edhe shqiptarët kanë diçka tjetër.

Maqedonasit këtyre ditëve janë në vijë të asaj që lajmërohet për sulme dhe provokime të orkestruara nga struktura dhe organizime, kryesisht nga ana e disa proto-fashistëve në Greqi dhe në vendkalimin kufitar – ato të “Agimit të Artë” – por, edhe struktura shtetërore dhe institucionale greke. Gjë kjo e cila për disa herë u bëhet sistematikisht dhe nga të cilat provokime pësojnë qytetarë të Maqedonisë, por edhe banorë të Greqisë, sllavisht-folës, e të cilët përjetojnë provokime nga më të ndryshmet në zonat ku jetojnë ose pushojnë këtyre muajve të verës.

Shqiptarëve të Maqedonisë, nga ana tjetër, u bëhet një lojë me katër shkronja “LGBT” që nisi nga një iniciativë e një organizate për të drejtat e njeriut “Komiteti i Helsinkit” që hapi një zyre në mes të Çarshisë së vjetër, për ofrim të ndihmës juridike pjesëtarëve të minoriteteve seksuale, por edhe qytetarëve të tjerë. Më pas zyra e cila u hap me ndihmë dhe një fjalim misionaresk, të gjatë, nga ana e ambasadës holandeze, asnjëherë nuk u shfrytëzua për dhënie ndihmë juridike. Kurse, kjo hapje, ngase u bë në vendin që perceptohet si pjesë shqiptare e qytetit, u kuptua si provokim.

Perceptimit si provokim i ndihmuan disa aktivitete të mëtejme të kësaj zyre që u bënë nën emërtimin “Java e krenarisë”, e për të cilat disa media qeveritare dhanë lajmërim se në fakt është paradë e pjesëtarëve LGBT. Të gjitha këto katër aktivitete u bënë në vende në Çarshinë e Shkupit, kurse për tre javë, të dielave mbahej edhe një mbledhim zbavitës në zyrën e cila u themelua si zyre administrative për dhënie të ndihmve juridike. Të gjitha këto u perceptuan si provokim dhe ky objekt përjetoi demolim, tentim djegie dhe protesta nga ana e qytetarëve.

Nuk kishte mekanizma si të mos problematizohet kjo zyrë nga fakti se Çarshia si tërësi është e askujt. Aty kanë juridiksion pronarët privat, bashkësitë fetare, dy komuna dhe institucionet qendrore shtetërore. Por, asnjëra prej tyre nuk ka juridiksion të plotë që të mënjanojë këtë zyre nga ky vend, ku shkaku i vendit dhe kohës, ekzistenca e saj vazhdon të perceptohet si provokim. Koha është nisja e muajit të Ramazanit. por edhe afërsia me njërën prej xhamive të Çarshisë, e cila është aktive si xhami, por edhe trashëgimi kuluroro-artistike e rangut të parë dhe që kështu rrezikohet.

Kulmi i perceptimit negativ ndodhi kur disa ambasadorë evropianë ishin për vizitë të qendrës, gjë që nuk i ndihmoi aspak, as të drejtave njerëzore në vend, por as në zbardhjen e rasteve rreth kësaj zyre. Bile, komentet për këtë vizitë ishin se këta ambasadorë kanë gjetur vendin e fundit ku kanë ende pak autoritet, që të njëjtin aty ta harxhojnë, duke marrë parasysh gjithë ato mospërfillje që ju bëhen në shtet dhe në pjesë tjera të qytetit. Fakti më i çuditshëm në këtë vizitë ishte se në delegacion ndodhej edhe ambasadori i OSBE-së, e cila organizatë nuk para merret me këto punë të minoriteteve seksuale, askund në botë, për shkak shkak të anëtarësimit të Vatikanit dhe Rusisë në këtë organizatë.

Provokimet greke dhe loja me katër shkronja janë interesante për përcjellje në Maqedoni, pasi si shumë gjëra më parë ato mund të reflektohen në marrëdhëniet etnike. Ndarje kjo ku kanë përfunduar dhe nisur shumë probleme të mëtejme. Prej një kombinimi ku maqedonasit do t’i shohin shqiptarët si “grekë”, kurse shqiptarët maqedonasit si “homoseksualë”, do mund të nisin probleme të mëdha për Maqedoninë edhe ashtu të brishtë, matur sipas ndarjes etnike.

Artikulimi i denjë i këtyre frustrimeve dhe provokimeve do mund të jetë një zgjidhje për Maqedoninë dhe qytetarët e saj. Ashtu, mediat dhe institucionet shtetërore do duhej të merrnin masa për parandalimin dhe sensibilizimin e provokimeve që ju bëhen qytetarëve të saj në Greqi, kurse kundërshtimi për zyrën e hapur, në afërsi të xhamisë, do të ishte më mirë të bëhej tek organizata që ka hapur atë vend, e ajo është “Komiteti i Helsinkit” i Maqedonisë.

Ashtu, Greqia do mund të vendohej në shënjestër se nuk vepron mjaftueshëm që institucionalisht t’i mbrojë turistët dhe qytetarët e saj nga sulmet dhe ofendimet që u bëhen. Por, edhe kjo organizatë, që dikur kishte edhe punën edhe misionin, në tërësi të merrej me të drejtat e njeriut, të përjetojë protestim për faktin se ka marrë anën e gabuar, duke u kufizuar në përcjelljen dhe monitorimin të vetëm të disa drejtave.

(Autori është ish-anëtar i kuvendit të Komitetit të Helsinkit për Maqedoni)