LAJMI I FUNDIT:

Fqinjët zbuluan se janë vëllezër

Fqinjët zbuluan se janë vëllezër

Dy kanadezë, të cilët si fëmijë ishin adoptuar nga prindër të ndryshëm dhe ishin rritur pa e ditur se çfarë po ndodhte me fatin e vëllait tjetër, kohë më parë në kërkim të rrënjëve familjare zbuluan se e tëra që duhej të bënin ishte vetëm ta kalonin rrugën.

Burrat mbetën të shokuar kur e kuptuan se në të vërtetë ata janë edhe fqinjë edhe vëllezër, shkruan gazeta “Canadian Press”.

I pari që mbeti i befasuar ishte Tommy Larkin, kur duke biseduar me zyrtaren në agjencinë e adoptimit pyeti për identitetin e vëllait tjetër.

“Ia dhashë emrin dhe më shumë se pesë gjashtë herë më pyeti nëse e njoh atë. I thashë se nuk e njoh, por ajo përsëri më pyeti nëse vërtetë nuk jemi takuar kurrë. Pastaj ma dha adresën e tij dhe e kuptova se ishim komshinj”, tha Tommy.


Larkin (30 vjeç) dhe Stephen Goosney (29 vjeç) jetuan për shtatë muaj afër njëri-tjetrit para se t’i bashkonte agjencia e adoptimit.

“Gjithçka ishte shumë emocionale, jemi parë gati çdo ditë”, tha Stephen. Të dy thanë se ishin vënë në kërkim të familjes biologjike sepse kishin dashur të dinin më shumë për historinë e sëmundjeve trashëguese. Ende janë në kërkim të pjesës tjetër të familjes. /Telegrafi/