LAJMI I FUNDIT:

Fjalët që tronditën muret

Fjalët që tronditën muret

Jorgji Kote

Ngritja e Murit të Berlinit zhgënjeu dhe tronditi thellë jo vetëm berlinezët në të dyja anët e tij, por edhe gjithë Perëndimin; u duk sikur do të shuante ëndrrën e madhe të ribashkimit. Por tej Atlantikut ndriçonte një dritë e madhe shprese. Të gjithë i kishin drejtuar sytë nga SHBA-të dhe presidenti i madh Kenedi. Dhe ai fluturoi drejt Berlinit më 26 qershor 1963 me premtimin monumental për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, të solidaritetit dhe të ribashkimit. I shprehu këto mesazhe me shumë emocione, por dhe bindshëm, me oratorinë e tij të pashoqe, pikërisht aty, pranë Murit. Berlini oshtiu ato ditë nga brohoritjet entuziaste “Kenedi” “Kenedi”! I pari kryepolitikan i botës që “e kapërceu” këtë mur, si preludi i shembjes së tij pas 28 vitesh.


Me fjalimin e tij historik, mes ekzaltimit të gjysmë milionë të pranishmëve që nisi dhe u mbyll me deklarimin lapidar në gjermanisht “Ich bin ein Berliner” – “Jam berlinez”, Kenedi i thuri një himn madhështor Berlinit të ardhshëm të Europës së Bashkuar, të etur për liri dhe paqe.

Vërtet që ky fjalim i konsideruar si më emblematiku i Luftës së Ftohtë kishte vetëm 700 fjalë, por me karizmën e tij të rrallë, presidenti i 35 i SHBA-ve i dha zjarr aspiratës gjermane të ribashkimit. Ai tronditi nga themelet jo vetëm Murin e Berlinit, por edhe muret e tjerë ndarës.

Ashtu si mund të shihet në fjalimin e plotë të shqipëruar më poshtë, Kenedi foli edhe për gjermano-lindorët kur theksoi se, “nuk mund të ketë paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme në Europë, për sa kohë që një ndër 4 gjermanëve u mohohet e drejta elementare e njeriut të lirë, zgjedhja e tij e lirë”.

Fjala e Kenedit ishte dhe një pretencë e fuqishme origjinale ndaj sistemit komunist. Atyre që kishin iluzione për komunizmin, ai iu drejtua ironikisht, qartë dhe thjeshtë: “Le të vijnë ta shohin në Berlin!”.

Vërtet që disa muaj më vonë vranë Kenedin, por jo vizionin, ëndrrën dhe premtimin e tij si “berlinez”. Atë e mbajtën dhe përcollën më tej pasardhësit e tij, sidomos Presideti Regan kur më 12 qershor 1987, nga portat e mbyllura të Brandenburgut i lëshoi thirrjen kushtrim Gorbaçovit për ta shembur atë mur dhe për t’i hapur ato porta. Në vijim, me hapat dhe vendimet e tyre epokale ishin “të mëdhenjtë” e botës – Bush, Thatcher, Kohl, Miteran dhe Gorbaçov, që më 9 nëntor 1989 udhëhoqën shembjen e murit famëkeq me të gjitha rrjedhojat e tij të njohura historike.

Por, edhe Berlini e mbajti premtimin që i bëri atë ditë Kenedit me pritjen e tij madhështore. Gjithçka më pas është histori suksesi. Pasi shembi murin dhe iu bashkëngjit pjesës tjetër dhe gjithë Evropës, bashkë me Uashingtonin, Parisin, Londrën, Romën etj., Berlini ndihmoi dhe mbështeti në mënyrë të gjithanshme vendet dhe popujt e tjerë që lëngonin nën sundime arbitrare. Efektet sizmike të shembjes së Murit të Berlinit u ndjenë dhe u pasqyruan edhe në Shqipëri, ku bashkë me qindra-mijërat e bunkerëve fizikë dhe politikë u shemb edhe sistemi monist.

Ndërsa 19 vjet më parë, Berlini mbështeti dhe mori pjesë aktive në ndërhyrjen ushtarake ndërkombëtare në Kosovë; më tej, bashkë me SHBA-të, shumicën dërmuese të vendeve të BE-së e të NATO-s dhe të shumë vendeve të tjera, Berlini ishte në rreshtin e parë të njohësve dhe mbështetësve të pavarësisë së shtetit më të ri të Kosovës. Po ashtu, ai ka mbështetur ndër të parët integrimin evropian të vendeve të rajonit dhe posaçërisht të Shqipërisë deri në Procesin e Berlinit të lançuar gati pesë vite më parë nga Kancelarja evropianiste, Angela Merkel.

Plot 55 vjet pas fjalimit madhështor të Kenedit, Berlini po ndez, edhe pse jo pa vështirësi, dritën jeshile për negociatat tona të anëtarësimit në BE. Në këtë përvjetor shohim me keqardhje dhe shqetësim se sërish kudo, madje edhe në Gjermani po tentohet të ngrihen mure të tjerë ndarës dhe izolues – fizikë, ideologjikë, fetarë, azili, rajonalë, gjinorë, etj. Ndaj, “Jam berlinez” tingëllon shumë aktual si një apel madhor politik dhe qytetar për t’u ngritur në këmbë, për t’i zëvendësuar muret ndarës me ura lidhëse dhe për të mbrojtur e forcuar me çdo kusht Evropën e bashkuar. Ja pse ia vlen shumë t’i referohemi sërish fjalës monumentale të “berlinezit” legjendar Kenedi.

“Jam berlinez”

Fjala e J.F. Kenedy në Sheshin “Rudolf Wilde Platz” (pas vdekjes mori emrin e tij) në Berlinin Perëndimor, më 26 qershor 1963

“Jam krenar që vij në këtë qytet, i ftuar i kryebashkiakut tuaj të shquar, i cili simbolizon në të gjithë botën shpirtin luftarak të Berlinit Perëndimor. Jam gjithashtu krenar që vizitoj RFGJ-në bashkë me Kancelarin tuaj të nderuar, i cili për shumë, vite në krye të Gjermanisë, i është përkushtuar lirisë dhe përparimit. Jam i lumtur që vij këtu i shoqëruar nga bashkëqytetari im amerikan, Gjeneral Clay, i cili ka qenë në këtë qytet në momentet e mëdha të krizës dhe do të vijë sërish kur të jetë e nevojshme.
2000 vjet më parë, krenaria më e madhe ishte të thoshe ‘Jam romak!’, ndërsa sot, në botën e lirisë, krenaria më e madhe është të thuash “Jam berlinez”.

Në botë ka shumë njerëz, të cilët në të vërtetë nuk e kuptojnë, ose thonë se nuk e kuptojnë dallimin më të madh ndërmjet botës së lirë dhe asaj komuniste. Le të vijnë ta shohin në Berlin! Ka disa që thonë se komunizmi është vala e së ardhmes. Le të vijnë ta shohin në Berlin! Por, ka edhe të tjerë që thonë se në Europë dhe gjetkë ne mund të punojmë me komunistët. Le të vijnë ta shohin në Berlin! Ka madje syresh që thonë se vërtet komunizmi është një sistem i keq, por ai lejon që të kemi përparim ekonomik. Le të vijnë ta shohin në Berlin!

Liria ka shumë vështirësi dhe demokracia nuk është e përkryer. Por, ne kurrë s’kemi menduar të ngremë mure për t’i mbajtur njerëzit brenda tyre apo për t’i penguar që të largohen prej nesh. Në emër të bashkatdhetarëve të mi që jetojnë mijëra kilometra në anën tjetër të Atlantikut, me lejoni t’u them se për ta është krenaria më e madhe që kanë mundur të ndajnë bashkë me ju, edhe pse nga larg, historinë e 18 viteve të fundit. Unë, nuk njoh qytet tjetër, të vogël apo të madh, që edhe pse i rrethuar për 18 vjet rresht, jeton ende me vitalitet dhe me forcë, me shpresë dhe vendosmëri, si Berlini Perëndimor. Ndonëse muri është shfaqja më e qartë dhe e gjallë e dështimeve të regjimit komunist që e sheh gjithë bota, ne kjo nuk na gëzon, sepse, siç e tha edhe kryebashkiaku juaj, ai përbën një sulm jo vetëm ndaj historisë, por edhe ndaj njerëzimit; pasi ndan familjet, burrat dhe gratë, motrat dhe vëllezërit nga njëri-tjetri.

E vërteta e këtij qyteti i takon të gjithë Gjermanisë, sepse paqja e vërtetë dhe e përhershme në Europë nuk mund të jetë e sigurt, për aq kohë sa dhe qoftë një qytetari të vetëm i mohohet e drejta më elementare, ajo e njeriut të lirë dhe që të zgjedhë lirisht me vullnetin e vet. Në këto 18 vite paqeje dhe mirëbesimi, ky brez gjermanësh ka fituar të drejtën për të qenë i lirë, duke përfshirë edhe të drejtën e bashkimit familjar dhe kombëtar, për të jetuar në paqe të përhershme, me vullnetin e mirë për të gjithë. Ju jetoni në një ishull të mbrojtur të lirisë, por jeta juaj është pjesë e të gjithë vendit. Prandaj, në mbyllje të fjalës sime, më lejoni t’ju ftoj që të hidhni sytë dhe vështrimin përtej rreziqeve të sotme, te shpresat e së nesërmes, tej lirisë vetëm të qytetit të Berlinit Perëndimor ose vetëm të vendit tuaj, Gjermanisë, drejt përparimit e lirisë kudo, tej murit, në ditët e paqes dhe drejtësisë, tej vetes suaj dhe vetes sonë, drejt mbarë njerëzimit. Liria është e pandashme edhe kur qoftë edhe një njeri është i skllavëruar, të gjithë ne të tjerët nuk jemi të lirë. Kur të gjithë të jenë të lirë, atëherë ne do të mund të hedhim vështrimin tonë përpara, drejt asaj dite kur ky qytet, ky vend dhe kontinent i madh i Europës do të bashkohen në një glob plot paqeje dhe shpresë.

Kur të vijë më në fund ajo ditë, atëherë populli i Berlinit Perëndimor mund të gëzohet me të drejtë me faktin se për mëse dy dekada, ai ishte në vijën e parë të frontit. Të gjithë njerëzit e lirë, kudo që jetojnë, janë qytetarë të Berlinit; ndaj si njeri i lirë, edhe unë sot them me krenari “Jam berlinez”!