LAJMI I FUNDIT:

Fillon festivali “Një Botë”

Fillon festivali “Një Botë”

Në kinemanë ABC në Prishtinë në Prishtinë, të mërkurën fillon Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut “Një Botë”, i cili sivjet shënon vitin jubilar të tij. Gjatë 5 ditëve (16 deri me 20 dhjetor) sa do të zgjasë festivali, do të shfaqen 27 filma dhe dokumentarë, 7 prej të cilëve vendorë dhe 20 ndërkombëtarë.

Përfaqësuesi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, nga i cili organizohet ky festival, Shkëlzen Gashi, tha se përmes filmave dhe dokumentarëve që do të shfaqen në festival do të promovohen të drejtat dhe lirit e njeriut.

“Risi është se në nëntë edicione tjera ka pasur dokumentare shumë të mirë, mirëpo këtë edicion është rritë cilësia e dokumentarëve. Në hollin e Kinemasë ABC gjatë këtyre 5 ditëve kanë me u ekspozua 20 fotografi të fotografit Hazir Reka, prej viti 1988-2008, ku secila fotografi prezanton një vit dhe pasqyron shkelje të të drejtave të njeriut që kanë ndodh në këto dy dekada në Kosovë”, sqaron Gashi.

Ndërkaq, Gazmend Berlajolli, udhëheqës i programit të festivalit, tha se do të organizohen edhe debate për përmbajtjen e filmave dhe dokumentarëve të festivalit.


“Do të jenë gjysmë ore debat për të drejtat e njeriut. Ditën e parë debati do jetë në mes Vjollca Krasniqit dhe Qemajl Morinës për të drejtat e femrës, gruas. Ditën e dytë debati do jetë në mes Albin Kurtit dhe Halil Matoshit, me temë ‘Të drejtat e pakicave etnike’, dhe të shtunën debatohet në mes Behxhet Shalës dhe Resmi Hoxhës për drejtat e të burgosurve”, shpjegon Bërlajolli.

Në Festivalin e sivjetmë “Një botë” do të ndahen tri çmime: çmimi kKombëtar në vlerë prej 600 euro, çmimin ndërkombëtar në vlerë prej 800 euro dhe çmimi special për të drejtat e njeriut- “Adem Demaçi”, në vlerë prej 1.600 euro. /rtk/telegrafi/