LAJMI I FUNDIT:

Fevziu apo Enveri?

“Ditët e fundit, në ambientet e sallës ‘Balsha’ të Hotel Tiranës, poeti Preç Zogaj prezantoi librin me poezi ‘Ngjarje në tokë’. Në sallë kishte vetëm disa shkrimtarë e publicist. Nuk kishte as qeveritar, as politikanë, as darkë, apo koktej…”!

Dikur, një gazetar me emër, i njohur për batutat e tij, pasi shihte kolegët që habiteshin nga numri i ftesave që i vinin, u thoshte: “Unë e lexoj ftesën nga poshtë – lart. Shkoj në festë, vetëm, nëse poshtë shkruhet ‘Për pjesëmarrësit shtrohet një darkë, koktej’”.


Këto batuta, jo vetëm që ngrohnin ambientin mes miqve e kolegëve në redaksi, por shprehnin edhe një velje të tyre ndaj ftesave të gjithfarëlloji.

Në datën 20 dhjetor, ditën e promovimit të librit “Enver Hoxha”, me autor gazetarin Blendi Fevziu, të organizuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, morën pjesë qindra të ftuar, mes të cilëve edhe Kryeministri Sali Berisha, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ministrat e kabinetit qeveritar Sokol Olldashi, Aldo Bumçi, Arben Imami, Edmond Haxhinasto, Majlinda Bregu, Genc Ruli, Fatmir Mediu, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, ish-Kryeministri Nano me bashkëshorten Xhoana…

Pra, gjithë Protokolli i Shtetit.

Ka akoma: numrat një të ambasadave, mes të cilëve ambasadori i SHBA-ve, Alexander Arvizu, ai i BE-së, Ettore Sequi, dhe ai i OSBE-së, Eugen Wolfarth. Më tej: Politikanë të lartë nga Kosova, si Kryeministri Hashim Thaçi, Zv/Kryeministri Bujar Bukoshi, Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, i Kulturës Memli Krasniqi, Ministrja e Integrimit Vlora Çitaku e ai i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj… Ndërsa, nga Maqedonia ishte i ftuar Kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.

Në mbrëmje, të ftuar ishin edhe politikanë të pozitës, Astrit Patozi, Edi Paloka, Ilir Meta, Vangjel Tavo, Rajmonda Bulku, Neritan Ceka, Fatbardh Kadilli, Ylli Manjani… Politikanë të opozitës, Kastriot Islami, Arben Malaj, Blendi Klosi, Erjon Veliaj, Arta Dade, Petro Koçi, Paskal Milo, Namik Dokle, Valentina Leskaj, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Ylli Bufi, Arben Ahmetaj, Ilir Beqja…

Biznesmenët Ylli Ndroqi me bashkëshorten, Drejtori i TV Klan Aleksandër Frangaj, Kreu i Red Bull në Shqipëri, Agim Zeqo; Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani… Profesorët Anastas Angjeli, Luan Hajdaraga, shkrimtarja Diana Çuli, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari, gjyqtarja Fatmira Hajdari, Princi Leka dhe e fejuara Elia Zaharia, soprano Inva Mula, këngëtarja Çiljeta Xhilaga, e të tjerë personalitete VIP e kolegë të autorit të këtij botimi.

Pa dyshim, do të ishin edhe gazetarët.

Por, kush e mblodhi Protokollin e Shtetit, krerët nga Kosova e Maqedonia dhe trojkën?

Autori Fevziu, apo Enver Hoxha?

A thua, të jenë nisur nga motivi i gazetarit të njohur, që cituam në krye të këtij shkrimi? “Në fund për pjesëmarrësit do të shtrohet një darkë, një koktej…”!

Të ftuarve në këtë promovim iu servirën vetëm dy lloje pijesh, verë e shtrenjtë dhjetëra vjeçare dhe shampanjë spumante, pije këto të përdorura posaçërisht për mbrëmje të tilla shik (organizatorëve u kishte dalë nga mendja “Xhini” që pi Fatos Nano).

Por, në këtë festë, këto personalitete mund të pinin edhe kafe AMA, pronarët e të cilës ishin treguar të kujdesshëm për të mos lënë jashtë vëmendjes zonjat e pranishme. Të gjitha damat morën dhuratë nga një çantë dhe një set filxhanësh kafeje.

Promovimi i librit të Fevziut, kishte pamjen e një mbrëmje “Gala”. Këtë përmasë luksi ia jepte muzika e dhomës, që luhej nga familja Qerimaj.

Për të qetësuar kureshtjen e një pjese të mirë të të ftuarve, por edhe të shikuesve, që u magjepsën nga ekrani, konfirmojmë se të gjitha shpenzimet e mbrëmjes i ka mbuluar TV Klan, veç faktit që kopjet e librit të shitur arritën numrin rekord 35 mijë apo që Fevziu nuk është fukara.

Siç shihet nga kjo “ekspoze”, “qerasja” duket e bollshme, por prapë nuk të mbushet mëndja, se kjo solli Protokollin e Shtetit dhe ajkën e të ftuarve në promovimin e librit të Fevziut.

Së pari, ata nuk janë aq fukarenj, sa të prisnin këtë rast për të ngrënë e për të pirë…

Ti ketë mbledhur, vallë, libri për “Enver Hoxhën” dhe urrejtja për diktatorin?

Edhe mundet, por gjer më sot janë botuar jo pak libra pro apo kundër Enver Hoxhës, kryesisht, përkthime nga të huajt, kujtime të misionarëve anglezë që kanë qenë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo kujtime të shqiptarëve.

As promovime nuk ka patur; darka e kokteje – jo se jo.

Edhe në panairin e këtij viti ku Fevziu ekspozoi librin e tij për diktatorin Enver Hoxha, një tjetër autor, prof. Arben Puto ekspozoi librin e tij “Lufta Italo-Greke: Diktatorë e Kuislingë”. Duam të themi se edhe diktatorët e Putos, Hitleri e Musolini, nuk ishin më të vegjël se ai i Fevziut.

E, megjithatë, cilësia e lartë e një pune prej disa dekadash të profesorit për këtë libër, mblodhi në një sallë të vogël vetëm profesorë, akademikë, gazetarë e shkrimtarë boll, dhe sigurisht miq të botuesit Fatmir Toçi, por as që mund të mendohej për darka e kokteje.

Po kështu, vetëm miq, kolegë e lexues të tyre, ndodheshin edhe në promovimin e librave të fundit të gazetarit Enver Robelli, “Arbën Xhaferi rrëfehet”; të profesor Luan Omarit, “Ndarja e pushteteve dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese”; studiuesit, prof. Shaban Sinani, “Kodikët e Shqipërisë në Kujtesën e Botës” e “Etnos në Epos”; “Iluzione në sirtar” të shkrimtarit Fatos Kongoli; “Tranzicioni dhe liria ekonomike në Shqipëri” nga Prof. Anastas Angjeli, apo “Historia e qytetërimit shqiptar” me autor historianin e njohur, prof. Kristo Frashëri.

Në këto përurime mungonin edhe darkat, koktejet, por edhe Protokolli i Shtetit, shkëlqesitë e tyre ambasadorë, kryeministra, ministra, pjesëtarë të familjes mbretërore, biznesmenë e këngëtarë, që do të ishin të mirëpritur nga autorët dhe botuesit e këtyre librave.

“Si rregull”, një lexues shkon në promovimin e një libri apo në panair jo për show, as për koktejin e muzikën, por për cilësinë e librit, vlerat e tij. Kaq. Edhe “politikën” e librit e bën cilësia e tij.

Për çudi, në të njëjtën kohë me panairin e 14-të të librit, “Tirana 2011”, ndërsa botimi “Enver Hoxha” po shënonte një bum shitjesh, Akademia e Shkencave u tregua “e pavarur” dhe bëri një zgjedhje “absurde”, duke nominuar shkrimtarin Ismail Kadare për çmimin “Nobel” për letërsinë.

Jo vetëm kaq! Në fund të këtij panairi, edhe juria “devijoi”. Anëtarët e saj vendosën që çmimin “Autori i Vitit” t’ia japin shkrimtares Helena Kadare, me librin e saj “Kohë e pamjaftueshme”.

“Puç” i Akademisë dhe i jurisë së panairit?! Nuk u trembën nga gjithë ai protokoll i rëndë, që pushtoi Panairin?! Mos bëhet fjalë për ndonjë parti të re (Partinë e Botuesve)?!

Edhe këtu dora e opozitës?!