LAJMI I FUNDIT:

FAO: Pabarazitë gjinore në ushqim po i kushtojnë botës 1 trilion dollarë

FAO: Pabarazitë gjinore në ushqim po i kushtojnë botës 1 trilion dollarë

Mbi një e treta e grave në botë që punojnë, janë të punësuara në sistemet agroushqimore, si prodhimi i produkteve bujqësore ushqimore dhe joushqimore, si dhe aktivitetet e ndërlidhura nga ruajtja, transporti dhe përpunimi i ushqimit deri tek shpërndarja.

Por në një raport të ri, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) thotë se pabarazitë gjinore, të tilla si qasja më e vogël e grave në njohuri dhe burime dhe një barrë më e lartë e kujdesit të papaguar, përbëjnë një hendek prej 24 për qind në produktivitetin midis grave dhe burrave fermerë, në ferma me madhësi të barabartë.


Gratë e punësuara në sektorin e bujqësisë, paguhen gjithashtu gati 20 për qind më pak se homologët e tyre meshkuj.

Sipas FAO-s, mbyllja e hendekut gjinor në produktivitetin e fermave dhe hendekut të pagave në punësimin në bujqësi, do të “rriste Prodhimin e Brendshëm Bruto global me gati 1 trilion dollarë dhe do të zvogëlonte numrin e njerëzve, të cilët gjenden në pasiguri ushqimore, me 45 milionë”, në një kohë të rritjes së urisë botërore.

Raporti tregon se qasja e grave për tokën bujqësore, shërbime, kredi dhe teknologji dixhitale, mbetet prapa atij të burrave, ndërsa një barrë më e lartë e kujdesit të papaguar, kufizon mundësitë e tyre për arsimim, trajnim dhe punësim. FAO thekson se, normat sociale diskriminuese, përforcojnë barrierat gjinore ndaj njohurive, burimeve dhe rrjeteve sociale – duke i penguar gratë të japin një kontribut të barabartë në sektorin agroushqimor.

“Në shumë vende, ka ende shumë për të bërë për të siguruar, që gratë të kenë tokë në proporcion të barabartë me burrat dhe, që kornizat ligjore të mbrojnë të drejtat e tyre”, thuhet në raport.

Autorët e tij e përshkruajnë si “alarmues” ritmin e ngadaltë të ndryshimit, në lidhje me qasjen e grave fermere në pronësinë e bagëtive dhe elementëve thelbësorë, si ujitja dhe plehrat.

Shkalla e punësimit të grave në sistemet agroushqimore në disa vende në zhvillim, tregon për ndikimin e mundshëm, që mund të kenë ndërhyrjet për nxitjen e barazisë. Për shembull, në Azinë jugore janë 71 për qind e të gjitha grave që punojnë, janë të punësuara në këtë sektor, kundrejt 47 për qind të burrave. /Telegrafi/