LAJMI I FUNDIT:

Fanatizmi patriotik në botëror dhe lojtarët që kanë dy pasaporta

Fanatizmi patriotik në botëror dhe lojtarët që kanë dy pasaporta

Po e filloj me një info. Në Botërorin e Brazilit, që është duke u zhvilluar, janë gjithë-gjithë 218 lojtarë që kanë dy pasaporta në xhep. Gjashtëdhjetë syresh e kanë franceze njërën nga pasaportat. Janë 53 ata që e kanë italiane njërën pasaportë, 53 janë ata që e kanë spanjolle, 40 gjermane etj. Disa prej bartësve të këtyre pasaportave janë djem që duan të lënë emër në historinë e futbollit; por rëndom këta janë djem prindërish që kanë lënë, nga halli, e jo nga qejfi, vendet e tyre të origjinës, dhe kanë ndërtuar një jetë të re në vende të mbrothëta. Këtu, në këto vende, ata janë bërë me fëmijë, të cilët i kanë ushqyer gjithë kohën me dashurinë për vendin e mjerë apo të rrëmujosur të origjinës.

E kështu, kur këta fëmijë janë rritur e janë bërë futbollistë të famshëm, zgjedhjen e kanë pasur të kollajtë: i janë përgjigjur apelit të vendit të origjinës.


Nuk është se e bëjnë të gjithë këtë. Të tjerë si ata, o ngaqë prindërit nuk kanë qenë këmbëngulës me edukimin patriotik, o ngaqë ata vetë, me t’u rritur, patriotizmin nuk e radhisin në listën e vlerave të tyre, o ngaqë kanë qenë nën presionin e motiveve shumë mundane, kanë bërë zgjedhje të tjera. Janë mendësitë e njerëzve në botën e sotme globale që s’e kanë për gjë ta legjitimojnë zgjedhjen e bërë, cilado që kjo zgjedhje të jetë.

Vetëm zgjedhja që bëri Diego Costa nuk u gëlltit dot nga brazilianët. Ndoshta ngaqë prej këtyre të fundit u mor si një akt i pastër “renegati”. S’ke ç’i bën, jemi në botën e sotme globale, ku “ta braktisësh” një atdhe me histori më pak të lavdishme, një atdhe që nuk të jep aq sa duhet pará e famë, merret për një gjest të paqortueshëm. Ndërsa të braktisësh Brazilin, vendin e futbollit, vendin që e ka marrë pesë herë titullin e Kampionit të Botës, konsiderohet e pafalshme. Sa shumë e kanë fishkëllyer Diego Costa-n në këtë Botëror! Dhe sa e pafat i qëlloi zgjedhja qyqarit! Spanja e tij u eliminua sa hap e mbyll sytë.

Por Diego Costa është një rast më vete. Të tjerët ose kanë zgjedhur me mendje një atdhe “më të mirë”, ose kanë zgjedhur me zemër një atdhe “copë-copë”, që është atdheu i prindërve të tyre. Pesë vende iu vardisën shqiptarit Januzaj, aq sa shtëpia e tij u shndërrua për ca kohë në një rezidencë diplomatike, ku hynin e dilnin njerëz që aplikonin për ta pasur të tyren patentën ‘Januzaj’.

Dhe Januzaj në fund bëri njërën nga zgjedhjet, atë që e kanë bërë dhe dhjetëra të tjerë, siç janë turqit që luajnë për Gjermaninë, magrebinët që luajnë për Francën, shqiptarët e tjerë që luajnë për Zvicrën, boshnjakët që luajnë për skuadra të ndryshme të Europës, në një kohë që Bosnja është vetë në Botëror.

Dhe më i rëndësishmi ndër këta të fundit, e një nga më të rëndësishmit ndër të gjithë, quhet Zllatan Ibrahimoviç. Nëse do të kish bërë një zgjedhje të ndryshme, sot do të ish duke udhëhequr një skuadër, ku luajnë Miralem Pjanic, lojtari i Romës që është rritur në Luksemburg e që i ka të dyja pasaportat, atë të Luksemburgut e atë të Bosnjës, Haris Mexhunjanin që ka mbërritur fëmijë në Holandë, madje ka luajtur edhe me kombëtaren e të rinjve të Holandës, por më pas vendosi të luajë për Bosnjën, Asmir Begoviç, portier, që e ka lënë Bosnjën kur ish katër vjeç, dhe ka jetuar në Kanada, Vedad Ibisheviç, që ka filluar të luajë futboll në SHBA, në Saint Louis, regjisori i skuadrës Zvjezdan Misimoviç, që është një serbo-boshnjak i lindur në Gjermani (me sa duket – këtë vëzhgim interesant e bënte dikush këto ditë në një nga gazetat e huaja – kombëtarja boshnjake është i vetmi institucion multietnik që funksionon në atë vend) apo Edin Xheko (Dzeko) që është nga të paktët që është rritur në Bosnjë, e që – kjo befason shumëkënd – ka kaluar dhe luftën e tmerrshme atje; ishte 19 vjeç kur e la vendin.

Po vijoj me infon që e kam nxjerrë duke bërë një kërkim në Google lidhur me lojtarët me dy pasaporta: Lojtari amerikan Julian Green ka pasaportë gjermane, është formuar në klubin e Bajernit të Munihut, dhe nën presionin e Jurgen Klinsmann-it zgjodhi të luante për kombëtaren e SHBA-së. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe “gjermanët” e tjerë të kombëtares amerikane, si Brad Guzan, John Brooks, Timothy Chandler, Fabian Marco Johnson e Jermaine Jones apo edhe “norvegjezi” Mix Diskerud e “islandezi” Aron Johannsonn. Ndërsa një amerikan, të cilin Klinsmann-i nuk e përfilli, duhet ta ketë pasur të qartë qysh më parë planin B. Është fjala për futbollistin Steven Beitashour, një iranian i lindur në San Jose, djalë i një inxhinieri të Apple-it. Ai në fund vendosi të luante për kombëtaren iraniane.

Ka më. Nga 23 lojtarë që luajnë për ngjyrat e Algjerisë, 17 kanë lindur dhe jetojnë në Francë. Por të tjerë në të njëjtat rrethana, kanë bërë një zgjedhje të kundërt: Samir Nasri, Karim Benzema etj., kanë ndjekur shembullin e Zinedine Zidane-it. Franca në përgjithësi është një skuadër emigrantësh. Siç është edhe Zvicra. Madje, Zvicra ca më shumë. Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Mehmeti, Xhemaili e Xhaka, janë shqiptarë të Kosovës e të Maqedonisë. Mbrojtësi Djourou ka lindur në Bregun e Fildishtë, Fernandes në Kepin e Gjelbër. Rodriguez e Senderos janë me origjinë hispanike, sulmuesit Gavranovic e Seferovic janë rritur në Bosnjë, Inler është me origjinë turke.

Lista është e gjatë pra. Dhe kjo është një dukuri që do të theksohet edhe më shumë në të ardhshmen, por me shumë gjasë, ky do të jetë një zhvillim që, në kundërshtim me çfarë mendohet nga shumëkush, nuk e relativizon e nuk e shkurajon pasionin atdhetar në sport. Paradoksalisht, po ndodh e kundërta. Skuadrat kombëtare të futbollit janë duke u bërë gjithnjë e më shumë kombëtare, madje kombëtariste. Më saktë, mjedisi sportiv rreth skuadrave kombëtare, edhe kur 2/3 e skuadrës nuk dinë, apo nuk duan ta këndojnë himnin kombëtar, është “i fanatizuar” po njësoj. Gjermani Klinsmann që këndon himnin e SHBA-së, që s’është vendi i tij, ka në këtë diskutim po atë efekt patriotik që kanë dhe lotët që Neymar-i derdhi si një fëmijë, ndërsa këndohej himni i Brazilit të tij.

Asnjëri prej shqiptarëve të Zvicrës nuk e këndon himnin zviceran (do të ishte kureshtare të dihej pse ata nuk e këndojnë), as lojtarë të tjerë me origjinë jozvicerane nuk e këndojnë, por tifozët zviceranë që mbushnin shkallët e stadiumit e këndonin më me hov këtë herë himnin e tyre. Ashtu siç e këndojnë dhe ata gjermanë, s’ka gjë se tuniziani Khedira, turku Ozil apo ganezi Boateng (vëllai i të cilit Kevin Prince, ka zgjedhur të luajë për Ganën e prindërve të vet) nuk kanë provuar kurrë t’i bashkohen korit që këndon himnin.

Nuk ka vend për shqetësim. Sporti është e vetmja veprimtari humane, në të cilën fanatizmi patriotik merr në të shumtën e kohës e në të shumtën e rasteve përthyerje të hareshme e festive. Është ky fanatizëm që e ka bërë një grup tifozësh holandezë që të marrin një furgon, ta lyejnë në ngjyrë të portokallit, të shkruajnë përsipër ‘Netherlands’, e të nisen me të në drejtim të Brazilit. Në fillim mbërrijnë në New York, e prej aty marrin poshtë përgjatë Atlantikut, në Meksikë, pastaj hyjnë në Kolumbi, i bien tej e përtej këtij vendi, deri sa hyjnë në Brazil, ku do t’u duhet të udhëtojnë disa mijëra kilometra për të arritur në Salvador, e për të ndjekur Arjen Roben-in, Robin van Persie-n, Wesley Sneider-in, por edhe të tjerë me emra jo fort holandezë, si Janmaat, Wijnaldum etj. E për të kënduar himnin me ta. Ose me një pjesë syresh. Por kjo nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe.

(Marrë nga: Gazeta Shqip)