LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia po vihet në binarë të zhvillimit

Ekonomia po vihet në binarë të zhvillimit

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria Mustafa është në rrugë të mirë për t’i vendosur parakushtet për zhvillim më të madh ekonomik dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Ai në një intervistë për “Epokën e re”, ka bërë me dije se gjatë këtij viti ka pasur zhvillime pozitive sa i përket zhvillimit të ekonomisë në vend. Ai ka thënë se politikat fiskale që ka ndërmarrë Qeveria gjatë këtij viti do të japin efekte në investime dhe, rrjedhimisht, në punësim dhe në të ardhura në vitet që vijnë.

Hoti ka thënë se është herët të flitet për arritjet e kësaj Qeverie në sektorin e ekonomisë, megjithatë ai ka treguar se janë bërë hapa konkretë për të siguruar rezultate më të mira në ekonomi, punësim, konkurrencë të bizneseve vendore, rritje të prodhimit vendor dhe në aspekte të tjera.


“Ka burokraci të brendshme në institucione qeveritare që duhet të eliminohet. Ka diskrecion të zyrtarëve qeveritarë në institucione të ndryshme që, gjithashtu, duhet të rregullohet me ligje përkatëse. Na duhen indikatorë të performancës për institucionet kyçe qeveritare, për disa ndërmarrje publike dhe agjenci të pavarura, pasi nga efikasiteti i punës së tyre varet performanca e Qeverisë në disa aspekte, sidomos sa i përket tërheqjes së investimeve të jashtme, promovimit të prodhimit vendor dhe uljes së kostos së shërbimeve publike që ofrohen nga ndërmarrjet publike”, ka deklaruar ai.

Hoti ka shtuar se me këtë Qeveri është krijuar një frymë e re sa i përket të bërit biznes dhe ka bërë me dije se viti 2016 do t’i japë rezultatet e politikave që kanë ndërmarrë gjatë këtij viti. “Ne kemi zhvilluar disa skenarë të zhvillimit ekonomik për 2016-n, varësisht nga dinamika e disa projekteve që pritet të fillojnë. Projekti i Brezovicës pritet t’i japë impuls të ri zhvillimit të turizmit në Kosovë. Varësisht nga progresi që bëhet në projektin ‘Kosova re’ mund të kemi efekte pozitive për vite me radhë në investime dhe punësim. Ka edhe disa projekte të tjera që janë në zhvillim e sipër e që sigurojnë rritje të qëndrueshme për 2016-n dhe vitet në vijim”, është shprehur Hoti.

Ministri i Financave ka theksuar se nënshkrimi i marrëveshjes për kredinë më të madhe deri më tani me BERZH-in, në vlerë prej 39.9 milionë eurosh dhe nënshkrimi i marrëveshjeve për kredi me institucionet e tjera financiare do të hapin mundësi për një zhvillim më të shpejtë ekonomik të Kosovës, rritje të shpejtë të punësimit dhe integrim në tregje rajonale dhe evropiane. Hoti ka folur edhe pakon e re fiskale, e cila ka hyrë në fuqi nga 1 shtatori. Sipas tij, kjo pako po pranohet gjerësisht nga bizneset dhe nga odat ekonomike si një reformë që do të prodhojë efekte pozitive si për qytetarët me të ardhura mesatare dhe të ulëta, ashtu edhe për promovimin e investimeve.

Duke folur për kritikat e opozitës në adresë të Qeverisë sa i përket zhvillimit ekonomik, Hoti ka thënë se është i hapur për t’i pranuar sugjerimet e opozitës. “Do të vazhdoj t’i dëgjoj me vëmendje sugjerimet dhe kritikat e tyre edhe në politikat e reja që jemi duke i zhvilluar në fushën e të bërit biznes. E ftoj opozitën të jetë konstruktive me kritika dhe sugjerime për politikat qeverisëse në interes të qytetarëve”, ka deklaruar ai. Hoti ka thënë se qeveria Mustafa është duke punuar me dinamikën e duhur për t’i zbatuar premtimet e dhëna për këta katër vjet të qeverisjes. “E kemi filluar qeverisjen me mandat të qartë dhe program të detajuar, që është diskutuar në Kuvendin e Kosovës. Tani po punojmë në strategjinë kombëtare të zhvillimit, e cila do të jetë shumë më konkrete sa iu përket masave dhe aktiviteteve konkrete që do të ndërmerren për t’i realizuar objektivat qeverisëse”, ka thënë Hoti. /Epoka e Re/Telegrafi