LAJMI I FUNDIT:

Edhe, edhe 24 orë

Veriu i Kosovës, po hyn në një fazë interesante të zhvillimeve, ku çdo ditë e më shumë, sikur hesht Bashkimi Evropian, ndërsa më shumë zhurmë vije nga vendorët, opozita dhe kohë pas kohe nga përfaqësuesit e institucioneve qeveritare dhe Beogradi zyrtar.

Një ndjenjë solidariteti me “vëllezërit” nga strukturat paralele e dëshmuan më në fund qindra e më shumë banorë të lidhur me figurën oponente serbe në Kosovë, Rada Trajkovic.


Ky tubim jo shumë i komentuar nga politika dhe analistët, se sa po reflektohen nga ngjarjet në veri, qëndrimet e komunitetit serbë, lëkundi besueshmërinë, në rezultatet e arritura me Pakon e Ahtisaarit.

Se sa mbijetojnë ndjenjat e gëzimit te shqiptarët dhe komunitetet tjera, kur KFOR-i jep gati pas çdo dy dite ultimatume 24 orëshe, duke ashpërsuar gjuhën e kërcënimit, aq tani zgjat besimi i zbehur i shqiptarëve, ndërsa pas çdo tërheqje që dëshmohet në teren, forcohen ndjenjat nacionaliste të atyre banorëve që kanë arritur të lidhen rreth disa eksponentëve ultranacionalist lokal, të cilëve nuk u mungon përkrahja ilegale nga Serbia dhe ndonjëherë “qortimi publik” jo si mënyrë e distancimit nga incidentet e dhunshme, por për hir të ruajtjes së imazhit para BE-së.

Kur KFOR-i mobilizohet, ky faktor i sigurisë sikur shihet i ndarë nga faktorët relevantë në politikën ndërkombëtare, të cilët mund ta shtyjnë ose zmbrapsin atë, ndoshta duke e vënë në sprovë misionin e tij deri në zbehjen e rolit të cilin e ka.

Vetëm diçka ka arritur të nxirret nga dendësia e kësaj mjegullnaje politike, se pavarësisht se si do të zhvillohen proceset në Veri, gjendja nuk do të mbetet në kufirin e status quos, ajo të përshkallëzohet deri në atë masë, ku vendimmarrja krijohet në nivel të faktorëve relevantë, jo për ta zgjidhur problemi se si kanë vullnet palët në këtë kontest, por sa mund të arrihen kompromise në nivel evropian-amerikan për ta mbyllur këtë kaptinë, e cila do të duhej të ishte tani në ciklin e përmbylljes, qoftë duke promovuar ide-iniciativa politike, që liderët e Kosovës më pak dhe ata serbë nuk e kanë guximin për të hapur proces të ri politik.

Zbarkimi rus

Veriu i vendit nga një zonë problematike e sigurisë me zvarritjen për t’u zgjidhur, po merr dimensione tjera të infiltrimit të elementit rus, për ta futur çështjen në rrugë më të komplikuara politike dhe diplomatike, me çka po adresohen palët e reja me interes në këtë proces duke i dhënë konotacion të një konflikti, i cili mund të rrëshqas nga një variant improvizues lokal deri në përmasën e një rreziku të stabilitet rajonal. Ndoshta pala serbe e ka vënë në kombinatoriken e veprimeve opsionale përshkallëzimin e prishjes së sigurisë deri në atë masë, sa për hir të stabilitet duhet të ndodhin kompromise për përfitim territoresh.

Edhe pse uniformat ruse vizualisht kanë më shumë simbolikë se sa domethënie, veprimet e KFOR-it në stilin vepro- tërhiqu mund të jenë inkurajuese për qëndrueshmërinë e strukturave paralele, që pretendojnë të futen në proces të legalizimit me kërkesat politike të shprehura vazhdimisht.

Sa orë për politikën?

Njëzetë e katër orët e KFOR-it për strukturat paralele në veri të vendit, janë kuptuar si njëzetë e katër orët e politikës vendimmarrëse, ndoshta të keqkuptuara se ato duhet të vazhdohen sa të nxirret një përfundim testues, se ekziston vullneti apo është krijuar frika si rezultat i presionit që të pritet rezultati, i cili as në variantin e parë e as të dytin nuk iu ka afruar objektivave të konceptuara nga faktori ndërkombëtar, here- herë e bashkëdyzuar me atë të Prishtinës zyrtare.

Çka më tutje?

Mungesa e rezultateve në veri të vendit, solidarizimi i qytetarëve serbë në komunat e reja të Kosovës, shtron pyetjen, jo më për KFOR-in, por për politikën vendore dhe ndërkombëtare, çka më tutje? Tërheqje për t’i kthyer procesit në rrugë të tjera që krijojë distancë në komunikimin e brendshëm dhe të jashtëm, afatizim i zgjidhjes në variantin e konferencave, ku çështjet nuk mund të parcializohen për zgjidhje në mënyrë selektive, sepse kërkojnë afrim qëndrimesh dhe vullnet, duke qenë të bindur se ndryshe nuk mund të flitet për siguri, stabilitet.

Apo në Evropën e bashkuar për t’ua bashkuar po krijohet sfida e radhës, që e tejkalojnë qëndrueshmërinë e euros dhe krizës ekonomike globale në kontinent. Fatkeqësisht, Ballkani i tillë si është nuk mund të ecën me shpejtësinë evropiane, mungon vizioni, vullneti, ndërsa e kaluara e mban peng lëvizjen në fushat e veta “magnetike”, produkte këto të krijuara ndër periudha historike.